Thaçi në pritje të lejes për anashkalim të Kuvendit

Aktuale October 26, 2018 - 07:56
Lexoni lajmet e fundit nga vendi, rajoni dhe bota
Image

Presidenti Hashim Thaçi tash e dy muaj është në pritje të sqarimit të Gjykatës Kushtetuese nëse marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen nga presidenti nuk kanë nevojë të ratifikohen nga Kuvendi. Vlerësohet se Thaçi në këtë formë shpreson që Kushtetuesja do t’i japë leje ta anashkalojë Kuvendin për marrëveshjen me Serbinë në kuadër ta fazës finale të dialogut të Brukselit. Ndërkohë që edhe zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po kërkojnë që marrëveshja me Serbinë të ratifikohet në Kuvend, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ndonëse rreth dy muaj më parë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ia parashtroi Gjykatës Kushtetuese kërkesën për interpretim të Nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës, Kushtetuesja ende nuk ka dalë me një interpretim rreth kësaj çështjeje. Ky nen specifikon qartë se marrëveshjet ndërkombëtare miratohen nga 2/3-at e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

LEXO EDHE: Qeveri e madhe me suksese të vogla

Nga Gjykata i kanë thënë shkurt gazetës se kërkesa e presidentit mbi këtë çështje është në shqyrtim e sipër. Ky veprim i kreut të shtetit sipas përfaqësuesve të opozitës paraqet vetëm një tendencë të presidentit për ta anashkaluar tërësisht Kuvendin e Kosovës. Në kërkesën e drejtuar Kushtetueses Thaçi ka kërkuar të saktësohet nëse marrëveshjet ndërkombëtare konsiderohen të ratifikuara vetëm me nënshkrimin e presidentit ose duhet edhe votimi i 2/3-ve të deputetëve të Kuvendit. 

Ky veprim i tij ka ardhur pak muaj pas fillimit të fazës finale të dialogut Kosovë - Serbi. Thaçi, i cili po e përfaqëson Kosovën në këtë proces, nuk po arrin assesi të sigurojë mbështetje të brendshme mbi idenë e tij për korrigjim të kufirit me Serbinë. Por meqë marrëveshja finale mes dy vendeve duhet të kalojë edhe në Parlament, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, me kërkesën drejtuar Kushtetueses presidenti po synon ta injorojë Kuvendin e Kosovës.

Madje kundër anashkalimit të Kuvendit në procesin e dialogut me Serbinë janë shprehur edhe zyrtarët e lartë amerikanë. I fundit që është deklaruar për këtë çështje është zëvendësndihmëssekretari amerikan Matthew Palmer, i cili ka thënë se nuk duhet të ketë anashkalim të Kuvendit në procesin e dialogut me Serbinë.

Kushtetuesja, ende pa interpretim

Të pyetur nëse është shqyrtuar kërkesa e presidentit për interpretim të Nenit 18 të Kushtetutës dhe se kur do të ketë një qëndrim mbi këtë kërkesë, nga Zyra për Informim e Kushtetueses është thënë se kërkesa në fjalë është akoma në shqyrtim. “Kjo kërkesë është ende duke u shqyrtuar”, thuhet shkurt në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese dhënë “Zërit”.

Ndërkaq presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së djeshme ka thënë se kjo gjykatë duhet të vazhdojë ta mbrojë Kushtetutën e vendit. “Gjykata Kushtetuese duhet të vazhdojë të luajë rol në mbrojtjen e Kushtetutës dhe në interpretimin përfundimtar të saj”, është shprehur Thaçi.

Ndërkaq nënkryetarja e LVV-së, Fatmire Kollçaku, ka vlerësuar se qëllimi i presidentit lidhur me kërkesën e dërguar më 3 shtator në Gjykatë Kushtetuese është që ta anashkalojë Kuvendin.

“Kushtetuta është e qartë dhe nuk presim që Gjykata Kushtetuese të dalë me çfarëdo vendimi tjetër, përveç asaj që Kuvendi është organi më i lartë vendimmarrës. Ne nuk jemi shtet presidencial, por shtet ku Parlamenti është organi më i lartë vendimmarrës. Kërkesa e Thaçit është tendencë për ta anashkaluar Kuvendin dhe kjo nuk duhet të kalojë, sepse organi më i lartë vendimmarrës në shtetin tonë është Kuvendi i Kosovës”, ka theksuar ajo.

Kollçaku më tej ka thënë se debati mbi dialogun duhet të bëhet në Kuvendin e Kosovës.

“Duhet të ketë një debat në Kuvendin e Kosovës, ta bëjmë një listë të kërkesave karshi Serbisë, e cila na ka shumë borxh, pastaj të miratohet një platformë në Parlament me qëllime të qarta dhe me parime për dialogun, në fund të formohet një ekip negociator i cili do të ketë autorizim nga Kuvendi”, është shprehur deputetja e LVV-së.

Kërkesa që tenton ta vërë në dyshim rregullimin kushtetues

Rreze Hoxha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka konsideruar se kërkesa e presidentit Thaçi drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim të Nenit që ndërlidhet me marrëveshjet ndërkombëtare paraqet një tentativë të tij për të ndërhyrë në kompetencat e Parlamentit.

“Meqenëse Neni 18 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton tekstualisht që ratifikimi i të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat përmbajnë implikime territoriale, të aleancave, si dhe të çështjeve politike e ushtarake, si dhe çështjeve lidhur me të drejtat dhe liritë themelore, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe marrjen përsipër të detyrimeve financiare, bien nën kompetencat ekskluzive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kërkesa e presidentit Thaçi për interpretimin e kësaj dispozite paraqet një tentativë direkte për të ndërhyrë në kompetencat kushtetuese të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Njëkohësisht, sipas saj, kjo kërkesë tenton që ta vërë në dyshim rregullimin kushtetues të demokracisë parlamentare në Kosovë që në rastin konkret, siç Hoxha është shprehur, po sfidohet nga njëri ndër institucionet më kryesore në vend. Kuvendi i Kosovës, siç ka thënë ajo, është organi i vetëm shtetëror i legjitimuar nga populli me të drejtën e vendosjes për këto marrëveshje.

“Çdo ndërhyrje në këtë rregullim do të rrezikonte sistemin kushtetues demokratik, mbi të cilin vihen themelet e shtetit të Kosovës”, ka nënvizuar Hoxha.

Pavarësisht kësaj, deputeti i PDK-së Hajdar Beqa ka thënë se Kuvendi i Kosovës do ta respektojë çfarëdo interpretimi që vjen nga Gjykata Kushtetuese lidhur me kërkesën e parashtruar nga kreu i shtetit. “Presidenti i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim, atëherë çdo deklarim yni politik i bie interferim. Ne do ta presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ajo që vjen prej Gjykatës do të respektohet 100 për qind prej Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Beqa.

Kërkesa për interpretim të Kushtetutës ndërlidhet me dialogun

Ndërkaq Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, ka vlerësuar se Kushtetuesja nuk do të nxjerrë një vendim që anashkalon Kuvendin lidhur me miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Nuk mendoj asnjëherë që Gjykata Kushtetuese do ta nxjerrë një vendim që të thotë se mund të anashkalohet Kuvendi, për shkak se në Kushtetutë parashihet që çdo marrëveshje ndërkombëtare të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës si organi më i lartë dhe atë me 2/3-at e votave”, është shprehur ai.

Megjithatë, Demhasaj ka thënë se duhet të pritet fillimisht interpretimi i Gjykatës.

“Presidenti ka të drejtë të bëjë kërkesë të tillë në Gjykatë Kushtetuese dhe të kërkojë interpretim. Gjykata Kushtetuese jep interpretimin dhe ai vendim i Gjykatës pastaj mbetet vendimtar dhe final. Tash duhet të presim se çka po thotë Gjykata Kushtetuese”, ka shtuar ai. Ndërkohë ka thënë se kjo kërkesë e kreut të shtetit për interpretim të Nenit 18 të Kushtetutës ndërlidhet pikërisht me çështjen e dialogut. Sipas tij, synimi i presidentit është që marrëveshja finale me Serbinë të mos kalojë fare për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.  /ZERI