U keqpërdorën 400 mijë euro, të paprekshëm nga drejtësia

Ekonomia April 21, 2018 - 08:14

Me tre zyrtarë të financave në Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët dyshohen se i kanë keqpërdorur rreth 400 mijë euro të avancave, nuk po merren shumë organet e drejtësisë, shkruan Gazeta "Zëri".

Për dyshime të tilla vetëm drejtorit të Financave në Agjencinë Kosovare për Produkte Medicinale, Mendim Sojevës, i është shqiptuar masa e paraburgimit për një muaj.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, ka treguar për “Zërin” se kjo çështje është në fazën e hetimeve dhe se përveç Sojevës në paraburgim nuk është asnjë zyrtar tjetër i kësaj Ministrie.

Ndërsa zyrtarë të Prokurorisë Speciale të Kosovës kanë bërë të ditur se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë informatë për këtë rast.

Zyrtarët e financave në Ministrinë e Shëndetësisë, Shkëlzen Sadriu, Ganimete Gashi dhe Fatmir Kajtazi, janë pezulluar nga puna pasi dyshohet se kanë keqpërdorur rreth 400 mijë eurove të avancave, të cilat jepen për udhëtime zyrtare.

Sipas ministrit Uran Ismaili, dyshohet se këto keqpërdorime ishin bërë gjatë viteve 2016-2017.

Për këtë rast, zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se do të ndihmojnë organet e drejtësisë në hetimin e rastit. Sipas tyre, me qëllim të moskomprometimit të procesit janë pezulluar nga puna tre anëtarët e dyshuar.

Pas dy vjetësh keqpërdorime, rasti mbetet në fazën fillestare të hetimeve

“Paraburgimi është caktuar për Mendim Sojevën për ‘Keqpërdorim dhe mashtrim në detyrë’. Momentalisht në paraburgim është vetëm drejtori. Jemi në fazë të hetimeve dhe nuk guxojmë të japim të dhëna tjera as për shumën që është keqpërdorur sepse mund të prishen hetimet. Ne kemi ende punë rreth kësaj çështjeje”, ka thënë për “Zërin” kryeprokurori Beka.

Në anën tjetër zyrtari për informim në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Hekrem Lutfiu, ka treguar se deri më tani Prokuroria Speciale nuk ka pranuar asnjë informatë për këtë rast.

Informata për shumën e saktë të parave të keqpërdorura dhe për hetimet tjera nuk kanë dhënë as zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsionit. Me arsyetimin se një kopje e shkresës së lëndës është në Polici, ata nuk u janë përgjigjur pyetjeve të dërguara.

“Zëri” ka kontaktuar edhe me zyrtarë nga Policia e Kosovës, të cilët kanë deklaruar se derisa rasti është në hetim nuk mund të japin informacione.

MSH: Do të bashkëpunojmë me organet e drejtësisë

Zyrtarë për informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për “Zërin” se do t’i ndihmojnë organet e drejtësisë në hetimin e këtij rasti. “Pa e paragjykuar epilogun e këtij procesi dhe as fajësinë apo pafajësinë e të pezulluarve, Ministria e Shëndetësisë do të ofrojë bashkëpunimin e plotë për të gjitha organet me qëllim që çështja e avancave të pambyllura në Agjencinë Kosovare për Pajisje dhe Produkte Medicinale dhe në Ministri të Shëndetësisë të hetohet e të trajtohet konform përgjegjësive të institucioneve dhe të ligjeve në fuqi”, kanë thënë ata.

Sipas zyrtarëve për informim, me qëllim të komprometimit të procesit edhe janë pezulluar tre anëtarët e dyshuar. “Me qëllim të parandalimit të çfarëdo komprometimi të procesit të hetimeve për dyshimet për çështjen e avancave të pambyllura, Ministria e Shëndetësisë, duke u bazuar në Ligjin për Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës, ka marrë masën e pezullimit parandalues ndaj tre zyrtarëve të buxhetit dhe të financave deri në zbardhjen e këtij rasti”, kanë thënë ata.

“Zëri” ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga zyrtarë të AKPM-së, por ata nuk kane pranuar të flasin.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, keqpërdorime këto që dyshohet se kanë ndodhur gjatë mandatit të tij si ministër, ka thënë për “Zërin se ndonëse nuk e di se sa është shuma e parave të keqpërdorura nga zyrtarët e Ministrisë, ai e mirëpret veprimin e organeve përgjegjëse të drejtësisë.

Derisa ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, kishte deklaruar se dyshohet se keqpërdorimet e parasë publike ishin bërë gjatë viteve 2016/2017, Rrahmani e ka mohuar një gjë të tillë. “Sipas informatave që kam unë, pjesa më e madhe e keqpërdorimit ka ndodhur në fund të viti të kaluar dhe në fillim të këtij viti. Sipas asaj sa unë di, keqpërdorimi eventual nuk ka mundur të ndodhë vetëm në Ministrinë e Shëndetësisë. Hetimet duhet të shtrihen edhe në institucionet tjera. Kjo çështje është direkt në përgjegjësi të stafit civil dhe jo atij politik”, ka thënë ai.

Kadrijaj: Komisioni është në pritje të vendimit nga organet e drejtësisë

Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, Time Kadrijaj, ka thënë për “Zërin” se janë duke pritur që gjykata të marrë vendimin përfundimtar në lidhje me këtë rast. “Të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në aferën e supozuar janë suspenduar. Tashmë merret vendimi përfundimtar nga gjykata. Ne nuk kemi qasje, nuk dimë se si po zhvillohen hetimet. Ne e dimë që janë pezulluar, por nuk kemi qasje në gjyqësi. Ajo është privatësi e gjyqësisë, e cila merret me hetimin e këtyre lëndëve. Ne si Komision nuk kemi të drejtë të kërkojmë qasje. Për shkak të hetimeve ato duhet të jenë hetime të mbyllura”, ka thënë ajo.

Sipas Kadrijajt, nëse faktohet se të dyshuarit janë fajtorë, atëherë ata do të largohen nga puna.

Ndërsa zyrtarë për informim nga Agjencia Kundër Korrupsionit kanë thënë për “Zërin” se kanë bërë hetime për këtë çështje dhe se kanë dërguar shkresën e lëndës edhe në Polici. “Në këtë rast Agjencia i ka ndërmarrë veprimet në kuadër të procedurës së  hetimeve paraprake dhe pas pranimit të shkresës (kërkesë për marrje dokumentacioni) nga DHKEK- Policia e Kosovës, në pajtim me Ligjin nr. 03/L-159 për Agjencinë Kundër Korrupsionit ua ka dorëzuar kopjen e shkresave të lëndës”, thuhet në një përgjigje.

Zyrtarë për informim nga Policia e Kosovës kanë thënë për “Zërin” se përderisa ajo mund të jetë në trajtim dhe në hetim paraprak të rasteve, siç kanë thënë ata, me qëllim të mos dëmtimit të procesit hetimor, nuk mund të japë informacione apo detaje rreth trajtimit të tyre.