Kosova rrezikon t’i humbë në Arbitrazh edhe 100 milionë euro

Ekonomia February 26, 2018 - 07:53
Gazeta 'Zëri' ka siguruar të gjithë dokumentacionin për këtë rast, i cili rrezikon ta dëmtojë buxhetin e Kosovës deri në 100 milionë euro në Gjykatën e Arbitrazhit.

Kompania britanike “Kosovo Metal Group” është duke përgatitur lëndë ndaj shtetit të Kosovës në Arbitrazh me një pretendim prej 100 milionë eurosh. Ajo është në Kosovë qe 12 vjet duke kryer hulumtime për rezerva minerare në Podujevë, por pasi i kreu hulumtimet institucionet në Kosovë ia pezulluan punën, duke e zvarritur me vite nëpër procese gjyqësore, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Në vitin 2006 kompania britanike “Lydian Internacional” ia kishte mësyrë Kosovës për të kryer investime milionëshe në sektorin minerar.

Kompani e specializuar për shpime të thella në hulumtimin e rezervave minerare, “Lydian” aso kohe në Kosovë e përfaqësuar nën emrin “Kosovo Resource Company”, e cila kishte fituar licencë nga Komisioni për Miniera dhe Minerale (KPMM) për të kryer hulumtime në Drazhnje në komunën e Podujevës, shkran tutje "Zëri".

Nga viti 2006 deri në vitin 2011, nga hulumtimet e kryera, kompania konstatoi në Drazhnje 7 milionë tonë rezerva minerare dhe kreu për këtë periudhë 10 milionë euro investime.

Këto investime kompania i kishte kryer në bashkëpunim me institucione financiare ndërkombëtare përmes kredive, siç është Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka Botërore (BB).

Por, pasi i konstatoi rezervat dhe kur kompania aplikoi në Komisionin për Miniera dhe Minerale për licencë të shfrytëzimit dhe eksploatimit të rezervave minerare të hulumtuara, institucionet në Kosovë filluan ta pengojnë punën e saj.

Gazeta Zërika siguruar të gjithë dokumentacionin për këtë rast, i cili rrezikon ta dëmtojë buxhetin e Kosovës deri në 100 milionë euro në Gjykatën e Arbitrazhit.

Përfaqësuesit e kompanisë kanë treguar për “Zërin” se janë në përgatitje të lëndës për Arbitrazh pas dëmeve që u janë bërë në Kosovë, siç thonë ata nga institucionet kosovare.

Fillimisht me vonesat e shkaktuara nga KPMM-ja, pastaj një padi gjyqësore nga “Trepça” dhe tash së fundi nga Agjencia Pyjore e Kosovës. Vendi ku kanë hulumtuar është në Podujevë, përkatësisht në lokacionin e quajtur Drazhnje, por aty tashmë gjenden vetëm shiritat.

Agjencia Pyjore e Kosovës ua ka bllokuar punën, ani pse kompania e kishte licencën e KPMM-së për t’i eksploatuar rezervat minerare.

Gjyqi me “Trepçën”

Lokacioni Drazhnje, ku kompania britanike ka kryer hulumtime, është pronë e Agjencisë Pyjore të Kosovës. Por, sipas përfaqësuesit për Kosovë të kësaj kompanie Naim Ibishit, pengesat kishin filluar më herët.

Qysh në vitin 2010, kur në Bordin e KPMM-së erdhën vendorët. Fillimisht ndërmarrja “Trepça” e kishte hedhur në gjyq kompaninë duke pretenduar se Drazhnja është pronë e saj.

Kjo padi ndodhi pavarësisht faktit që kompania i kishte konstatuar rezervat dhe tani mbetej vetëm fillimi i punëve për eksploatim të tyre. Në fund kompania e kishte fituar rastin me “Trepçën” në Gjykatë Supreme, por gjatë kësaj kohe sa ka qenë në gjyq ka qenë e pezulluar puna.

Para kësaj në vitin 2008 disa deputetë të Kuvendit të Kosovës e krijuan një grup hetimor për ta hetuar këtë licencë. Ibishi përmend me emra njerëzit që sipas tij punuan në të gjitha drejtimet që ky investitor të mos ketë sukses në Kosovë.

“Ndonëse ishim kompani me renome e listuar në ‘Toronto Stock Exchange’ dhe e financuar nga institucionet financiare ndërkombëtare, Bajrush Xhemajli në atë kohë e Sala Shala-Berisha dhe Myzejene Selmani na kanë cilësuar si ‘kaubojca’ që po e plaçkitim Kosovën, derisa kompania në atë kohë binte miliona në eksplorim e ne trajtohemi si kauboj. Pas kësaj ne e kontaktojmë edhe Ambasadën Britanike edhe atë Amerikane dhe i njoftojmë për problemet dhe pengesat që i kemi. Pas reagimit të tyre formohet grupi ndërparlamentar dhe e bëjnë hetimin e dhënies së licencës, në vitin 2008”, tregon Ibishi.

Ky grup hetimor krijohet vetëm për “Lydian International” për ta hetuar dhënien e licencës. Të gjeturat e këtij komisioni tregojnë se gjithçka lidhur me licencën është në rregull. Pas kësaj bëhet edhe një auditim gjeneral i dhënies së licencës dhe në fund konstatohet se gjithçka ka qenë konform ligjit.

“Pas kësaj kur e shohin që nuk po ndezin këto iniciohet lëndë në gjykatë, në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme nga ‘Trepça’ kundër nesh dhe e humbin lëndën. ‘Trepça’ ka pretenduar për pronësi në Drazhnje. Problemi është se kur është dorëzuar lista në Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme Drazhnja nuk ka qenë në listë dhe duke u bazuar në këtë KPMM-ja ka pasur mundësi ta lëshojë këtë licencë. Pra, nuk ka qenë Drazhnja në listë si aset i ‘Trepçës’ dhe mbi ketë bazë KPMM-ja ka mundur të na lëshojë licencën. Ky dokument ekziston dhe duke u bazuar në atë dokument ne edhe e kemi fituar licencën”, ka thënë Ibishi.

Pasi grupi parlamentar konstatoi se licenca është në rregull, po ashtu edhe auditori gjeneral dhe pas rastit të fituar me ‘Trepçën’ në Gjykatë Ibishi thotë se “menduam se në njëfarë formë tash ka mundësi të vazhdojmë më tutje”.

Gjatë kësaj kohe hulumtimet nga kompania nuk janë ndalur asnjëherë, duke kryer investime milionëshe. Për çdo vit kompania ka realizuar diku afër 2 milionë euro investime, të cilat janë të evidentuara në raportet e audituara të kompanisë, të cilat i janë ofruar edhe gazetës.

Deri në maj 2011 kompania “Ledian International” ka investuar mbi 7.5 milionë euro.

“Pasi e fituam lëndën me ‘Trepçën’, më 2010-ën, ne kemi marrë licencën e parë në qershor 2006, vazhdimi i parë më 2008-ën në bazë të ligjit ka qenë pas tre vjetëve dhe kur jemi ardhur në vazhdimin e dytë më 2010-ën është ndërruar bordi në KPMM dhe për herë të parë vijnë anëtarë të bordit lokal. Deri atëherë kanë qenë të përzier lokalë me ndërkombëtarë, kurse në fund të 2009-ës fillojnë problemet.

Ahmet Tmava ka qenë atëherë anëtar Bordi, edhe ai na thotë neve uzurpatorë. Më 2010-ën nuk na vazhdojnë licencën për 17-18 muaj”, shpjegon Ibishi.

Ai thotë se sërish i janë drejtuar për ndihmë Ambasadës Britanike dhe asaj Amerikane, por as kjo nuk ka mjaftuar.

“E kemi sjellë edhe përfaqësuesin e IFC-së të vendosur në Tiranë. Ka shkuar të kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi dhe i ka treguar se çka është duke ndodhur në terren dhe çuditërisht atëherë, për të mirën tonë, kjo ka pasur sukses dhe na është vazhduar licenca më 2011-ën, në mars, deri në 2013-ën, dyvjeçare. Vlen të theksohet se përveç presionit që ka qenë nga IFC-ja dhe nga ambasadat, këtu kompania ka angazhuar kompani me renome në Londër, me një letër qarkore e ka informuar kryetarin e shtetit, kryeministrin, kryeparlamentarin, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe ambasadat që ne nëse nuk na vazhdohet licenca deri më 31 mars 2011 shkojmë në Arbitrazh. Dhe në orën 15:00, më 31 mars, na është vazhduar licenca, 20 minuta pa përfunduar orari”, tregon Ibishi.

Dorëzimi i “Lydian”-it dhe shitja e aksioneve

Por ndonëse e merr licencën pas më shumë se një viti pritjeje, “Lydian International” e shqyrton tërheqjen pas shumë problemeve që i bëhen në Kosovë. Kompania pas telasheve në Kosovë ia shet aksionet një kompanie tjetër britanike, e cila kishte kryer investime në Maqedoni.

“Kompania lodhet me telashet që është përballur këtu dhe përmes tenderit publik kërkon investitorë që punën e deriatëhershme ta vazhdojnë investitorët e tjerë për të kaluar nga hulumtimi në prodhim, sepse rezervat ishin të konfirmuara. Prej këtyre kompanive që ne i kemi selektuar kanë qenë 3 ose 4, më e besueshmja dhe më e pranueshmja për ne ka qenë kompania IMM me pronarë nga Britania”, tregon Ibishi.

Kjo kompani pastaj e hap degën e vet në Kosove, të quajtur “Kosovo Metal Group”. Bëhet transferimi i licencave dhe kompania e fillon punën aty ku e kishte lënë “Lydian International”. Por sërish fillojnë problemet me KPMM-në.

“Kompania KMG vazhdon operimin me stafin që ka qenë dhe vazhdon investimet qindra mijëra euroshe dhe në fund të dhjetorit 2011 mbërrijmë të aplikojmë në njërin prej trupave xeherorë që ne e kemi quajtur si ‘Sant Barbara’, me një rezervë 280 mijë tonësh rezerva të konfirmuara dhe aplikojmë për licencë të shfrytëzimit. Prapë fillojnë problemet. Prapë fillojnë ankesat e KPMM-së, jo s’bën kjo, jo s’bën ajo. Prej 27 dhjetorit 2011, kur aplikojmë, ne licencën e marrim më 3 mars 2013. Flasim për një vonesë 15-muajshe. Një odise që është e papërshkrueshme se çka gjejnë ata”, thotë me nervozizëm Ibishi.

Problemi transferohet tek AKP-ja

Pas gjyqit me “Trepçën” dhe pasi kompania kishte kaluar nëpër një proces hetimor dhe gjithçka kishte dalë në rregull, investitori britanik obligohet të merret edhe me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Në dokumentacionin që ka siguruar gazeta KPMM-ja në atë kohë ia dërgon një shkresë Agjencisë Kosovare të Privatizimit, duke i kërkuar sqarime se mos është tash AKP-ja pronare e parcelave në lokacionin Drazhnje.

“Edhe pse parcelat kanë qenë të Agjencisë Pyjore të Kosovës, AKP-ja thotë se jemi administratorë të ndërmarrjeve shoqërore dhe kyçet tash edhe AKP-ja. Tash hajde ne të merremi edhe me AKP-në në vitin 2012. Prapë në dhjetor të 2012-ës e shkruajmë letrën qarkore ku i informojmë të gjithë, kryeministrin, kryetarin e shtetit, kryeparlamentarin, ambasadat dhe themi se nëse nuk lëshohet licenca ne do të shkojmë në Arbitrazh”.

Pas kësaj, në dhjetor 2012 aprovohet licenca, por ajo lëshohet tek në mars 2013.

Pezullimi i punës nga Agjencia Pyjore e Kosovës

Në vitin 2015 kompania fillon sërish të përballet me probleme. Ndonëse kishte licencë, Ibishi ka thënë për gazetën se pa kaluar shumë kohë fillojnë sërish presionet, veçse tash nga shefi i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Ahmet Zejnullahu.

Gjatë kësaj kohe kompania fillon me eksport të koncentratit. Bëhet përpunimi diku i 500 tonëve koncentrat dhe 6 mijë tonëve xehe.

“Është shumë pak pasi ka qenë si fazë testuese. Vetëm kaq, prej atëherë asgjë, ne ende rrimë me xehe në depo”, thotë ai.

Në vitin 2015 kompania aplikon për vazhdim të licencës në një periudhë prej tetë vjetësh dhe arrin marrëveshje me Agjencinë Pyjore të Kosovës për shfrytëzim të sipërfaqes prej pesë hektarëve në lokacionin ku ka kryer hulumtime. Megjithatë në mes të punëve shefi i kësaj agjencie ua shkëput kontratën dhe lëndën e dërgon në Gjykatë.

“Në mes të kësaj faze ky na e shkëput kontratën, kur të vazhdohet licenca nga KPMM-ja ky pa paralajmërim hiç e shkëput kontratën me Agjencinë Pyjore për parcelat që i kishim në shfrytëzim dhe na e dërgon lëndën menjëherë në Gjykatë. Marrëveshja shkëputet pa na informuar, e shkëput kontratën edhe e çon lëndën në Gjykatë për gjoja vonesë të pagesave”.

Ibishi thotë se menjëherë pas kësaj e kryejnë pagesën dhe thotë t’i kenë kërkuar falje shefit të Agjencisë pasi pagesa ka qenë e vogël, por lënda tashmë përfundon në Gjykatë.

“Shefit të Agjencisë i them të lutem nuk bëhet kjo punë se ne kemi investuar 10 milionë euro, nuk ka sens kjo punë për 4 mijë euro. Na tha se hiç nuk vjen në shprehje”.

Por, kompania edhe në këtë rast e fiton lëndën në Gjykatë.

Gazeta “Zëri” e posedon dokumentacionin ku Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Ekonomike, i jep të drejtë kompanisë, pasi përfaqësuesi i Agjencisë Pyjore të Kosovës nuk merr fare pjesë në seanca, me çka Gjykata e konsideron si heqje dorë nga rasti.

“Kryhet edhe shkalla e dytë dhe vendimi i Gjykatës bëhet i plotfuqishëm. Avokati ynë pastaj shkon me vendim të plotfuqishëm të Gjykatës në Agjenci dhe u thotë që për ta vazhduar kontratën pasi kemi një vendim të plotfuqishëm të Gjykatës. Kur shkon avokati shefi i kësaj agjencie nuk i pranon fare në takim. Madje nuk e pranon as shkresën. Në vendimin e Gjykatës ia bashkëngjisim një shkresë ku i themi se është fituar lënda dhe vazhdona kontratën”, shpjegon Ibishi.

Por, kjo nuk ndalet me kaq. Shefi i kësaj agjencie pas humbjes së rastit në Gjykatë hap rast të ri ndaj “Kosovo Metals Group”.

“Çka bën ky, ky inicion lëndë të re në Gjykatën Ekonomike, sepse ky në start i ka iniciuar dy lëndë, njërën për rehabilitim, njërën për mospagesë të borxhit dhe të dyja i bën në Gjykatë të gabueshme edhe ia hedhin poshtë. Tash ky pasi e ka humbur këtë shkon e inicion lëndën e dytë në Gjykatën Ekonomike. Ky është keqpërdorim i buxhetit të Kosovës, faktikisht veç pse po kam mundësi po e dërgoj edhe një lëndë. Tash është procesi tjetër që e ka hapur dhe nuk dëshiron fare të dëgjojë”, tregon Ibishi.

Pezullimi i licencës nga KPMM-ja

Menjëherë pas kësaj Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ia pezullon licencën kompanisë, meqë e njëjta ka lëndë në Gjykatë me Agjencinë Pyjore të Kosovës. Gazeta e posedon edhe dokumentin e KPMM-së me të cilin ia pezullon licencën “Kosovo Metal Groups”.

“KPMM-ja tash thotë se deri në marrjen e vendimit të Gjykatës ne nuk mundemi ta lëshojmë licencën. Edhe ne prej kësaj date jemi pa aktivitet (08.02.2016). Dhe kjo pasi KPMM-ja na kishte dhënë licencën, Agjencia dërgon shkresë në KPMM dhe i thotë se unë ua kam pezulluar punën mu në mes të procesit”, shpjegon Ibishi.

Sipas Besa Zeqirajt nga KPMM-ja, në bazë të të dhënave që KPMM-ja ka, ndërmarrja “Kosovo Metals Group” ka të dorëzuar në KPMM një aplikacion për shfrytëzim të mineraleve metalike, për të cilin aplikacion KPMM-ja nuk ka marrë ende vendim për shkak të problemeve që kjo ndërmarrje ka me Agjencinë  Pyjore të Kosovës.

“Ndërmarrjes ‘Kosovo Metals Group’ ky aplikacion i është pezulluar me kërkesën e saj, sepse më datën 16.11.2015 ka paraqitur kërkesë në KPMM, me të cilën kërkon të pezullohet shqyrtimi i këtij aplikacioni për shkak se ‘Kosovo Metals Group’ kanë paraqitur padi në gjykatën kompetente për shkak të anulimit të vendimit nr. KE767/15 të Agjencisë Pyjore të Kosovës më datën 18.09.2015 dhe ende nuk kanë sjellë në KPMM ndonjë vendim që Gjykata ka marrë lidhur me ketë padi”, ka thënë ajo.

Por Ibishi thotë se me këto veprime të institucioneve kosovare dëmi që i është bërë kompanisë shkon në qindra miliona euro.

“Jemi duke përgatitur lëndë për 100 milionë euro dëme që na janë bërë gjithë këto vite”.

Ibishi këtë e ka mbështetur në investimin prej 10 milionë eurosh dhe konfirmimin e 7 milionë tonësh rezerva me tri licenca shfrytëzimi.

Ai thotë se për të gjitha investimet e kryera i kanë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm, pasi çdo gjë është e audituar.

“Tash nëse i kalkulon vonesat që na janë shkaktuar, nëse e llogarit më 2010-ën një vit vonesë për vazhdim të licencës, më 2012-ën deri në mars 2013-ën dy vjet e diçka. Tash prej 2015-ës jemi pa aktivitet. Do të thotë mbi 5 vjet jemi pa aktivitet për shkak të obstruksioneve të ndryshme, herë KPMM-ja, herë AKP-ja, herë Agjencia Pyjore e Kosovës, d.m.th. këta veç po e gjuajnë topin”, ka përfunduar rrëfimin e tij për gazetën Ibishi.

Agjencia: Ia shkëputëm kontratën për shkak të borxhit

Gazeta për të gjitha këto pretendime i është drejtuar me pyetje Agjencisë Pyjore të Kosovës, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Kadri Kadrijaj, nga kjo agjenci, e ka konfirmuar për gazetën se “Kosovo Metal Group” ka pasur marrëveshje për shfrytëzim të lokacionit me këtë agjenci, ndërsa si arsye për pezullimin e marrëveshjes e ka dhënë një borxh modest të kompanisë.

“Për shkak të moskryerjes së obligimeve sipas kontratës për shumën e borxhit të grumbulluar prej 6.683.76 eurosh. Vendimi për shkëputje të kontratës është marrë pasi kompania ka dështuar në shlyerjen e borxhit të krijuar në shumën prej 6.683.76 eurosh”, ka thënë Kadrijaj.

Ndërkaq kur është pyetur se pse nuk kanë shkuar në Gjykatë për t’i mbrojtur pretendimet, Kadrijaj ka thënë se një zyrtar i tyre që është dashur të marrë pjesë ka qenë i sëmurë.

Ai ka sqaruar se lënda për borxhin e kompanisë është ende në procedurë gjyqësore, ndërsa poshtë është hedhur një lëndë tjetër që ka pasur të bëjë më disa punime që është dashur t’i kryejë kompania në atë zonë.

“Lënda të cilën ju e potenconi nuk ka të bëjë me çështjet e borxhit, ku në këtë rast zyrtari i APK-së për çështje shëndetësore nuk ka mundur të marrë pjesë në seancë, Gjykata ka marrë aktvendim me nr. C. nr. 512/15 dhe e ka konsideruar si të tërhequr padinë, ndërsa padia për pagesën e borxhit me nr. APK-DK 691/15, e datës 05.10.2015, gjendet ende në procedurë gjyqësore”, ka thënë ai. Sipas tij, kësaj kompanie në bazë të kontratës i është lëshuar vendim për rikultivimin e sipërfaqes së shfrytëzuar, përderisa shton se kompania nuk e ka respektuar vendimin për rikultivim. Ai thotë se sipërfaqja e shfrytëzuar nga kjo kompani paraqet rrezik për jetën e njerëzve dhe të kafshëve. “APK-ja ka iniciuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë me nr. PR –APK-384/17 më datën 25.08.2017 për koston e rikultivimit sipas planit të rikultivimit e që është pjesë e lëndës në shumën prej 185.107.71 €, lëndë e cila ende është në procedurë gjyqësore”, ka thënë ai.

Sa i përket mundësisë që lënda të përfundojë në Arbitrazh, Kadrijaj këto i ka quajtur kërcënime të pambështetura dhe se, sipas tij, kompania nuk ka dokumentacion për t’i mbështetur të njëjtat.

Gazeta i është drejtuar me pyetje edhe Komisionit për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Mirëpo, ndryshe nga Agjencia që thotë se kompania nuk posedon dokumentacion për t’i mbështetur këto pretendime, në KPMM kanë thënë se kjo kompani ka marrë deri më tani 4 licenca, prej tyre dy për hulumtim dhe dy të tjera për shfrytëzim, pa përfshirë këtu edhe një të lëshuar para vitit 2010.