Dështojnë projektet për kthimin e serbëve, humbin mbi 2 milionë euro

Ekonomia November 25, 2017 - 08:12

Organizatat e ndryshme të huaja dhe Qeveria e Kosovës kanë investuar mbi 2 milionë euro për ndërtimin e shtëpive të serbëve në disa fshatra të komunës së Vushtrrisë. Familjet serbe që jetojnë në veri të Mitrovicës, shumë prej tyre në banesa të uzurpuara të shqiptarëve, përveç që nuk janë kthyer kurrë për të jetuar në pronat e tyre, ata vetë i kanë demoluar shtëpitë e disa edhe i kanë shitur, shkruan sot, gazeta Zeri.

Mbi 2 milionë euro që janë dhënë për ndërtimin e shtëpive të serbëve kanë shkuar huq pasi që serbët e disa fshatrave të komunës së Vushtrrisë, të cilët pas përfundimit të luftës kanë ikur në veri të Kosovës dhe në pjesë të ndryshme të Serbisë, ndonëse u janë krijuar kushte ideale për jetë të qetë në pronat e tyre prej nga kanë ikur, nuk janë kthyer kurrë për të jetuar aty ku kanë pasurinë dhe pronat.

Komuna e Vushtrrisë dhe organizata të ndryshme të huaja janë përkujdesur që serbëve të zhvendosur t’u ndërtohen shtëpitë dhe përveç ndërtimit shtëpitë e tyre janë mobiluar si dhe janë stimuluar me nga 2 mijë euro vetëm që të kthehen dhe ta fillojnë jetën në pronat e tyre.

Kushte të njëjta për serbët ka krijuar edhe Komuna e Mitrovicës, por as atje familjet serbe nuk janë kthyer kurrë. Janë 63 shtëpi që janë ndërtuar me donacione të huaja në fshatrat Maxhunaj, Sllatinë e Dolak të Vushtrrisë, në të cilat do të duhej të ktheheshin serbët e zhvendosur në veri të Mitrovicës, por edhe në Serbi.

Por, megjithëse kishin pranuar të kthehen, shtëpitë kanë mbetur bosh që nga viti 2003, ndërsa familjet serbe vazhdojnë të jetojnë në veri të Mitrovicës, të shumtën në banesat e uzurpuara të shqiptarëve, por edhe në pjesë të ndryshme të Serbisë. Në vitin 2003 në fshatin Maxhunaj qenë ndërtuar 35 shtëpi për po aq familje serbe të cilat dëshironin të ktheheshin për të jetuar në këtë fshat.

Një vit më vonë gjithashtu për të njëjtin qëllim ishin ndërtuar edhe 15 shtëpi të tjera në fshatin Sllatinë, ndërsa në vitin 2010 në Dolak u ndërtuan edhe 13 shtëpi për familjet serbe. Këto shtëpi janë ndërtuar me fonde të organizatave dhe qeverive të shteteve evropiane.

“Përveç ndërtimit të shtëpive për të kthyerit, shtëpitë e tyre edhe ishin mobiluar, ndërsa krahas kësaj familjeve serbe që do të ktheheshin, sipas një projekti, u jepeshin edhe nga 2 mijë euro”, ka thënë zyrtari komunal për Kthim në Vushtrri, Ekrem Merovci...

 15 shtëpi të ndërtuara në Sllatinë

E sipas të dhënave që ka siguruar gazeta, në Komunën e Vushtrrisë për ndërtimin e këtyre shtëpive janë dhënë rreth 2 milionë euro, mjete të Qeverisë së Kosovës dhe të organizatave të ndryshme të huaja në kuadër të shumë projekteve për kthim. Merovci thotë se serbët, ndonëse kishin premtuar, nuk janë kthyer asnjëherë për të jetuar në fshatrat e tyre, ku u janë ndërtuar shtëpitë. Madje ai thotë se disa nga serbët i shitën shtëpitë dhe përfituan nga ato projekte.

“Shtëpitë janë të boshatisura e të demoluara nga vetë pronarët serbë, të cilët në fillim janë deklaruar se do të kthehen për të jetuar e që më pas kanë refuzuar një gjë të tillë. Ka të tillë që i kanë shitur shtëpitë e ka ndonjë shtëpi ku jetojnë familje shqiptare”, pohon Merovci.

Serbët e Vushtrrisë, ata që jetojnë në Gojbulë, Gracë, Prelluzhë e gjetiu, thonë se serbët nuk duan të kthehen e të jetojnë aty ku ka familje shqiptare.

Në fshatin Gracë të Vushtrrisë, në të cilin jetojnë bashkë shqiptarë e serbë, i kanë thënë “Zërit”, të hënën, se familjet serbe që janë zhvendosur nuk dëshirojnë të kthehen e të jetojnë me shqiptarët. “Pronarët e këtyre shtëpive, të ndërtuara në emër të kthimit, shtëpitë tashmë të demoluara edhe po i shesin, pasi që po mendojnë të jetojnë në veri të vendit. Ka që jetojnë në Mitrovicë në veri, por edhe në Zveçan, Zubin Potok e në Leposaviq. Ka shumë që jetojnë në Serbi, në pjesë të ndryshme, bile edhe në fshatra të Serbisë në kushte jo të mira, por ata po hezitojnë të kthehen, sepse nuk po duan të jetojnë në mjedise ku ka shqiptarë”, thotë një serb i Gracës rreth të 65-ve me kushtin që të mos i përmendet emri në gazetë.

Ndryshe, në tre vjetët e fundit në Gracë janë kthyer dy familje serbe, ndërsa në Prelluzhë edhe dy familje të tjera serbe. Ka edhe familje të tjera që janë kthyer në ndërkohë në shtëpitë që janë ndërtuar me mjetet e Ministrisë për Kthim dhe Komunitete të Republikës së Kosovës, por edhe me mjete të UNHCR-së. Ndërkaq, në Sllatinë serbëve u janë ndërtuar 15 shtëpi, por as në ato shtëpi nuk janë kthyer familjet.

Në Lubozhdë kthehen kryefamiljarët

Në anën tjetër, në Lubozhdë të Istogut janë kthyer 13 kryefamiljarë, të cilët jetojnë në një shtëpi të një qytetari serb, e cila është rregulluar për të jetuar aty derisa serbëve t’u ndërtohen shtëpitë në këtë fshat. Kthimi i tyre është realizuar nga ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq, i cili ka siguruar serbët se do t’u ndërtohen shtëpitë. Jevtiq nuk ka precizuar se cila do të jetë kostoja e projektit të kthimit të serbëve në Lubozhdë të Istogut. Kthimin e tyre e kundërshtojnë banorët shqiptarë të fshatit, pasi që pretendojnë se disa nga të kthyerit kanë bërë krime mbi shqiptarët gjatë luftës. 

Në veri të Mitrovicës pas përfundimit të luftës dhe pas dëbimit të mbi 11 mijë shqiptarëve nga banesat dhe nga pronat e tyre në shkurtin e vitit 2000 ishin uzurpuar 552 banesa të shqiptarëve dhe të komuniteteve joserbe, në të cilat kishin hyrë familje serbe jo vetëm nga Vushtrria e Skenderaj, por edhe nga e gjithë Kosova. Për serbët e ikur nga pjesë të ndryshme të Kosovës shteti i Serbisë ka ndërtuar edhe ndërtesa të larta, në veçanti në “Lagjen e Boshnjakëve”, ku deri më tani janë ndërtuar 13 soliterë e të cilat janë populluar me serbë të rajoneve të ndryshme të Kosovës.

Një projekt për ndërtimin e shtëpive të serbëve ishte realizuar edhe në Frashër të Mitrovicës, por serbët e asaj pjese, të cilët jetojnë në një kamp në “Mali Zveçan” të Zveçanit, nuk janë kthyer kurrë, ndërkohë që shtëpitë e ndërtuara dhe të mobiluara janë plaçkitur dhe dëmtuar nga vetë serbët. Në këtë fshat jeton vetëm një familje serbe.

Tani kur qeveria e Serbisë është duke e realizuar projektin e vendbanimit “Lugina e Diellit” në Zveçan, serbët të cilëve u janë ndërtuar shtëpitë në komunën e Vushtrrisë dhe të Mitrovicës (në Frashër), por që nuk janë kthyer për të jetuar aty, pretendojnë të kthehen e të jetojnë në 1500 shtëpi, të cilat do të ndërtohen në këtë vendbanim.

Serbia synon t’i vendosë në “Luginën e Diellit” 3000 serbë që jetojnë në Serbi.