Pesë autobusë shiten për hekur

Ekonomia September 18, 2017 - 08:18

Komuna e Pejës përmes një ankandi publik ka nxjerrë në shitje për hekur pesë autobusë, të cilët kanë qenë jashtë përdorimit. Vlera fillestare është 0,15 euro për një kilogram. Sipas njoftimit të publikuar, hapja e ofertave do të bëhet më 16 shtator të këtij viti, transmeton zeri.info. 

Pesë autobusë, të cilët kanë qenë jashtë përdorimit, janë nxjerrë në shitje përmes një ankandi publik nga Komuna e Pejës dhe vlera fillestare e tyre është caktuar të jetë 0,15 euro për një kilogram. Në njoftimin e publikuar në uebfaqe të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) thuhet se autoriteti kontraktues ka për qëllim shitjen e pesë autobusëve (skelet) përmes ofertave publike të mbyllura. Aty më tutje thuhet se autobusët shiten në kushte “siç janë, ku janë” dhe autoriteti kontraktues nuk do të ketë përgjegjësi të mëtutjeshme pas shitjes, transmeton zeri.info.

Gjithnjë duke u bazuar në njoftimin e publikuar thuhet se autobusët në fjalë kanë dalë nga funksioni.

“Vlera fillestare prej 0.15 € për 1kg euro, sasia përafërsisht 35.0000 kg. Ofertimi është i hapur për të gjithë ofertuesit e interesuar. Të drejtë pjesëmarrjeje kanë si personat fizikë (të cilët duhet ta prezantojnë letërnjoftimin dhe deklaratën nën betim), ashtu edhe personat juridikë (të cilët duhet ta prezantojnë certifikatën e biznesit). Pas shpalljes së fituesit fituesi i ankandit qoftë person fizik, apo juridik obligohet të sjellë vërtetimin nga gjykata se nuk është nën hetime”, thuhet në njoftimin e publikuar në uebfaqe të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Më tutje në njoftim thuhet se dokumentet e ofertimit do të kërkohen nga ofertuesit e interesuar duke dorëzuar një aplikacion me shkrim në zyrën e arkivit, në objektin e Stacionit të Autobusëve në Pejë, apo edhe përmes postës elektronike, transmeton zeri.info.

Më tutje në njoftimin e KRPP-së thuhet se ofertuesit e interesuar mund të inspektojnë autobusët në garazhet e Stacionit të Autobusëve prapa bankës “Procredit” nga data 13.09.2017 deri më 25.09.2017,  nga ora 10:00-14:00. Ofertat duhet të dorëzohen në zyrën e arkivit në objektin e Stacionit të Autobusëve në Pejë jo më vonë se 26.09.2017, në orën 12:00 dhe ofertat e vonuara do të refuzohen.

“Ofertat do të hapen në prezencë të përfaqësuesve të ofertuesve, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në adresën e cekur më lart më 26.09.2017, në orën 12:30”, thuhet në njoftim.

Ashtu sikurse edhe në ankandet tjera, kriter i dhënies së kontratës është çmimi më i lartë i ofruar.

“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë në autoritetin kontraktues, në bazë të Nenit 108/A të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, Ligjin Nr. 05/L-068 dhe Ligjin Nr. 05/L-092, në adresën e përcaktuar në Nenin I të kësaj ftese”, thuhet në fund të njoftimit të publikuar në uebfaqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik./Zeri/