Mehmeti në samitin në Mal të Zi: Kosova ka performancë të mirë ekonomike

Ekonomia June 16, 2017 - 12:04

Telashet financiare që kanë vendet e rajonit po i shpalosin në Becici të Malit te Zi.

Në samitin e gjashtë rreth stabilitetit financiar regjional dhe mjedisit të ri global drejtuesit e institucioneve financiare janë zotuar për bashkëpunim, me qëllim të rritjes ekonomike të vendeve të rajonit.

Si nikoqir i samitit guvernatori i Bankës Qendrore të Malit te Zi, Radoje Zugiq, ka kërkuar ngritjen e dinamikës së bashkëpunimit për zgjidhjen e problemeve ekonomike mes vete.

Ai ka kërkuar lehtësira ekonomike për zhvillim, duke përmendur lehtësira doganore, punësim e intensifikim të bashkëpunimit tregtar.

Kosovën me fusnote në këtë takim e ka përfaqësuar zëvendës guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti, njofton Klan Kosova.

Ky ka deklaruar se shteti i ri pavarësisht sfidave ka performancë të mirë ekonomike.

Ky ka përmendur sistemin bankar si shembull për investime në vend. Konkretisht sipas tij ulja e normave të interesit prej rreth 15% në 7.04% tregon qartë stabilitetin ekonomik e financiar të Kosovës.

Tutje Mehmeti ka thënë se rritja ekonomike prej 3.4% në vitin 2016 dhe 3.7% 2017, tregon tendencat e zhvillimit të Kosovës.

Në këtë samit po marrin pjesë edhe përfaqësues nga bankat qendrore nga Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Serbia e Bosnja.

Për te diskutuar gjendjen aktuale ekonomike e bashkëpunimin në të ardhmen në këtë samit të shtunën do të diskutojnë edhe ministrat e vendeve përkatëse.