Më në fund miratohet Plani Zhvillimor Komunal i Vushtrrisë

Ekonomia May 22, 2017 - 11:57

Opozita në Vushtrri dhe kompania “Emona City” më në fund kanë ngadhënjyer ndaj pozitës në Kuvendin e Vushtrrisë, pasi që zona 8, e cila me versionin e parë të Planit Zhvillimor Komunal ishte shpallur zonë e gjelbëruar, tani ka kaluar në zonë ndërtimi dhe si e tillë edhe është miratuar në Kuvendin e Vushtrrisë

Kuvendi i Vushtrrisë në seancën e jashtëzakonshme të ftuar nga 19 këshilltarë komunalë të opozitës dhe disa të pozitës kanë miratuar Planin Zhvillimor Komunal të Vushtrrisë me një ndryshim, që zona e 8-të, e cila paraprakisht ishte shpallur zonë e gjelbëruar, tani është shpallur zonë ndërtimi. Me këtë ndryshim kompanisë “Emona City” i është hapur rruga që të ndërtojë në pronën e vet prej rreth 1 hektar tokë në këtë zonë, në të cilën do t’i investojë 5 milionë euro dhe punësimin e mbi 200 vushtrriasve.

Opozita në Vushtrri si dhe përfaqësuesit e kompanisë “Emona City” kanë vlerësuar se kanë ngadhënjyer ndaj pozitës në Kuvendin e Vushtrrisë, në veçanti ndaj kryesuesit të Kuvendit Shpëtim Zhegrova, i cili kishte këmbëngulur që kjo zonë, në të cilën ndodhet prona e kompanisë “Emona City”, të mbetet zonë e gjelbëruar.

Kryesuesi Shpëtim Zhegrova dhe shumica e këshilltarëve të partive në pushtet kanë gjetur të arsyeshme ta lëshojnë sallën, pasi që nuk ishte arritur konsensusi në mes të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Vushtrrisë.

Paraprakisht është bërë një konsultë në mes të kryetarëve të grupeve të këshilltarëve, subjekteve përfaqësuese në KK të Vushtrrisë, së bashku me kryetarin e Komunës, Bajram Mulaku, i cili ftoi të gjithë këshilltarët që ta gjejnë një konsensus të përbashkët dhe ta miratojnë planin, pasi që konstatoi se Plani është me shumë rëndësi dhe jetik për qytetarët e kësaj komune./Zeri/