PDK falimentoi PTK-në

Ekonomia January 12, 2017 - 07:42

Në vitin 2011 Telekomi i Kosovës ka paguar 80 milionë euro dividend në buxhetin e Kosovës, një vit më vonë, më 2012-n, janë paguar nga kjo kompani 45 milionë euro dividend, 40 milionë euro janë paguar në vitin 2013, ndërsa gjatë viteve 2014-2015 janë paguar nga 15 milionë euro për secilin vit. Ndërkaq, në vitin 2016 Telekomi i Kosovës nuk ka arritur ta paguajë asnjë cent dividend për buxhetin e Kosovës

Partia më e madhe në pushtet, PDK-ja, ka vënë para falimentimit asetin më të rëndësishëm publik - Telekomin e Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kjo ndërmarrje ka rënë në “dy gjunjë” duke u zhvlerësuar aq shumë, saqë nuk ka mundësi t’i paguajë as dividend Qeverisë së Kosovës. Degradimi ka vazhduar në gjashtë vjetët e fundit, me pjesëmarrje direkte në menaxhment dhe në bord të përfaqësuesve politikë.

Në krye të Bordit të PTK-së që nga viti 2008 është i emëruar Rexhë Gjonbalaj, ish-kryetar i Degës së PDK-së në Pejë. Telekomi i Kosovës (TK) është përcjellë vazhdimisht me skandale, ndërkohë edhe me rënie drastike të dividendit.

Image

Në vitin 2011 kishte ndarë hiç më pak se 80 milionë euro dividend për Qeverinë, përderisa gjashtë vjet më vonë as të hyrat e përgjithshme vjetore të kompanisë publike nuk kanë arritur këtë shifër. Kështu që është bërë e pamundur për Telekomin e Kosovës që të paguajë edhe dividend.

Për shkak të keqmenaxhimit dhe të punësimeve të pakontrolluara, Telekomi për vetëm 5 vjet ka arritur “suksesshëm” ta humbë epitetin e kompanisë më profitabile në vend, pasi që vitin të cilin e lamë pas kjo kompani mezi ka arritur ta përmbyllë me pagesën e pagave të rreth 2300 punëtorëve dhe të shpenzimeve të tjera operative, ndërsa për pagesë të dividendit për aksionarin as që është bërë fjalë.

Në këtë periudhë kur të hyrat për kompaninë publike ka rënë dukshëm, Telekomi rrezikon të humbasë edhe dhjetëra miliona euro në procese të nisura të Arbitrazhit Ndërkombëtar, ku kjo e fundit ka vendosur që operatorit mobil virtual “Z-Mobile” t’i paguhen rreth 30 milionë euro dëmshpërblim nga TK-ja.

Edhe pas vitit 2011 Telekomi i Kosovës ka arritur të paguajë dividend për buxhetin e Kosovës. Në vitin 2012 janë paguar nga kjo kompani 45 milionë euro dividend, 40 milionë euro në vitin 2013, ndërsa gjatë viteve 2014-2015 janë paguar nga 15 milionë euro, përkatësisht 30 milionë euro për dy vjet.

Por në vitin e kaluar (2016) Telekomi i Kosovës nuk ka arritur ta paguajë asnjë cent dividend për buxhetin e Kosovës, për dallim nga pak vite më parë kur paguheshin nga dhjetëra miliona euro në vit.

“Për vitin 2016 Telekomi i Kosovës nuk ka paguar dividend në buxhetin e Kosovës”, ka konfirmuar për “Zërin” zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini.Image

 Bordi, politik

Në krye të Bordit të Drejtorëve prej vitit 2008 është Rexhë Gjonbalaj, ish-kryetar i Degës së PDK-së në Pejë, dhe të gjithë anëtarët e Bordit të Drejtorëve kanë qenë nga ky subjekt politik, LDK-ja, AKR-ja dhe përfaqësues të serbëve.

Ndërsa të gjithë kryeshefat ekzekutivë nga ajo periudhë kanë qenë të afërt me partinë më të madhe në vend, PDK-në, duke filluar nga Shyqri Haxha, Ejup Qerimi dhe Agron Mustafa. Në raportin vjetor thuhet se të hyrat gjatë vitit 2015 po ashtu kanë shënuar nivelin më të ulët duke arritur në 84.2 milionë euro apo rreth 15.2 milionë euro më pak sesa në vitin paraprak. “Në periudhën janar-dhjetor 2015 fitimi bruto i Telekomit të Kosovës ka arritur në 66.8 milionë euro, e cila është minus 23 për qind nën tragetin e planifikuar, ndërsa në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar tregon rezultat minus 20 për qind rezultat më të pafavorshëm për periudhën raportuese. Në fund të muajit dhjetor të vitit 2015 gjendja e mjeteve në llogari rrjedhëse tregon shumën prej 4.6 milionë eurosh. Sfidë mbetet ruajta e likuiditetit të Korporatës, meqenëse orientimi strategjik për të investuar në zgjerim dhe licenca për periudhën në vijim mund të na kufizojë që të mos afatizojmë mjete për periudhën e ardhshme”, thuhet në raportin vjetor të Telekomit të Kosovës për vitin 2015.

  Ish-ministri i Financave: PTK-në e shkatërroi politika

Haki Shatri, ish-ministër i Financave, aktualisht zyrtar i lartë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), thotë se Telekomin e Kosovës e kanë shkatërruar bordet dhe menaxherët politikë. Sipas tij, në kohë zgjedhjesh në Telekomin e Kosovës janë punësuar një numër i madh i njerëzve, të cilët nuk kanë pasur as vende për të punuar.

“Kanë marrë rrogë duke qëndruar në shtëpi, vetëm se kanë lidhje politike. Këto veprime kanë shkatërruar kompaninë më të madhe publike në vend - Telekomin e Kosovës”. Sipas tij, po ashtu bordet dhe menaxherët në vazhdimësi kanë marrë vendime politike që në masë të madhe kanë dëmtuar kompaninë. Sipas tij, Telekomi i Kosovës nga viti në vit ka rënie të madhe të të hyrave. Shatri thotë se nuk përjashtohet mundësia që Telekomit të Kosovës t’i ulet vlera qëllimisht për ta blerë më pas ndonjëri prej biznesmenëve vendorë të lidhur ngushtë me politikën.

“Telekomi është devalvuar dhe për këtë nuk ka interes ndonjë kompani serioze e huaj, ndoshta ky ka qenë edhe qëllimi kryesor i bordeve dhe i menaxherëve që e kanë drejtuar këtë kompani viteve të fundit”, ka thënë Shatri për gazetën “Zëri”

Gazeta për këtë çështje u ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, por këta të fundit kanë thënë se për këtë çështje kompetente është Ministria e Financave. Këta të fundit kanë konfirmuar se gjatë vitit 2016 Telekomi nuk ka paguar asnjë cent dividend buxhetit të Kosovës.

EBITDA, 19.3 milionë euro më e ulët

Në raportin vjetor të Telekomit të Kosovës shihet se EBITDA (Fitimi para interesit, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) për periudhën janar-dhjetor 2015 ka qenë në vlerë prej 15.1 milionë eurosh, më e ulët për 19.3 milionë euro se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. “Si përqindje e të hyrave totale është 17,9 për qind, tregohet një trend më i  pafavorshëm në krahasim me tragetin e planifikuar prej 27,1 %. Ndërsa shpenzimet e stafit në krahasim me planifikimin si përqindje e të hyrave totale prezantohen me 31,9 %”, thuhet në raportin vjetor të vitit 2015 për Telekomin e Kosovës.

 Ndërkaq, sa i përket fitimit para tatimit në raport thuhet se gjatë vitit 2015 paraqitet një humbje prej 3,3 milionë eurosh.

“Ky rezultat i mbajtjes së nivelit të lartë të aktiviteteve investuese dhe ekspansionit të theksuar të marketingut si nevojë e qasjes strategjike në treg dhe e ndikuar kryesisht nga ndryshimet e teknologjisë, që kanë dhënë efekt direkt në nivelin e të hyrave të përgjithshme”, thuhet më tej në raportin vjetor të kompanisë publike - Telekomi i Kosovës.

 2287 punëtorë

Më tej në raportin vjetor të Telekomit të Kosovës thuhet se në fund të vitit 2015 numri i punëtorëve me kontratë të rregullt pune është 2287, ndërsa me kontratë mbi vepër është 11 punëtorë. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar numri i punëtorëve është zvogëluar për 35 apo 1,5 %. “Gjatë periudhës raportuese 46 punëtorë janë larguar nga kompania, ku 17 për qind e këtyre janë larguar me vetëdëshirë, 9 për qind kanë ndërruar jetë, 54 për qind janë pensionuar, 9 për qind janë suspenduar nga puna, ndërkaq 9 për qind janë në pension të parakohshëm në bazë të skemës së ofruar nga Korporata”, thuhet në raportin vjetor të Telekomit të Kosovës për vitin 2015.ImageBordi i Telekomit 2008

 

Rexhë Gjonbalaj, kryesues, PDK

Nuhi Ahmeti, PDK

Gani Syla, PDK

Elmaze Pireva, LDK

Qamil Buzhala, LDK

Sahit Surdulli, PDK

 

Bordi i Telekomit 2013

 

Rexhë Gjonbalaj, kryesues, PDK

Gani Syla, PDK (ish-kryetar i Drenasit)

Bislim Zogaj, ( deputet i PDK-së)

Naim Hyseni, PDK (ish-drejtor i Arsimit në Vushtrri)

Afrim Loku, AKR

Suzana Andjelkoviq-Kryeziu, SLS

 

Grafika

Dividendi i paguar nga Telekomi i Kosovës

2011, 55 milionë euro

2012, 45 milionë euro

2013, 40 milionë euro

2014, 15 milionë euro

2015, 15 milionë euro

2016, 0 euro