Punëtorët presion Qeverisë për realizimin e kërkesave të “Ferronikelit”

Ekonomia August 24, 2016 - 08:25

Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të “Ferronikelit”, në një tubim informues, në të cilin merrte pjesë edhe kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, ia ka bërë tri kërkesa Qeverisë së Kosovës, që t’i përmbushë menjëherë, ndërsa ka porositur Bordin e Aksionarëve, “se punëtorët janë të gatshëm të punojnë dhe t’i mbajnë familjet me djersën e vet”

Nëse “Ferronikeli” eventualisht mbyllet, atëherë fajin do ta ketë Qeveria e Kosovës. Kështu të paktën kanë lënë për të kuptuar punëtorët e “Ferronikelit” në një tubim të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit”, i cili është mbajtur në ambientet e ndërmarrjes në Drenas, të martën. Sipas tyre, Qeveria e Kosovës nuk i ka realizuar kërkesat e “NewCo Ferronikeli” dhe për këtë arsye nuk mund të rifillojë prodhimi.

Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të “Ferronikelit”, në një tubim informues, në të cilin merrte pjesë edhe kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, ia ka bërë tri kërkesa, ose vetëm i ka përsëritur kërkesat e “Ferronikelit” Qeverisë së Kosovës që t’i përmbushë menjëherë, ndërsa ka porositur Bordin e Aksionarëve të “Ferronikelit”, se punëtorët janë të gatshëm të punojnë dhe t’i mbajnë familjet me djersen e vet.

“Qeveria e Kosovës ta ulë çmimin e energjisë elektrike, të japë leje për dislokimin e rrugës në “Gllavicë”, miniera e Magurës së Lipjanit dhe të japë leje për dislokimin e hekurudhës së vjetër, për t’i liruar hapësirat për eksploatimin e xehes së nikelit”, janë tri kërkesat kryesore të sindikalistëve të “Ferronikelit” për Qeverinë e Kosovës.

Sipas sindikalistëve, pa plotësimin e këtyre tri kërkesave “Ferronikeli” nuk mund ta kthejë prodhimin. Ata thanë se kanë edhe kërkesa të tjera, ndërkohë që nga Bordi i Aksionarëve të “Ferronikelit” kanë kërkuar që ta rifunksionalizojnë “Ferronikelin”.

Bordi i Aksionarëve, gjithashtu mori garanci nga punëtorët, se janë të gatshëm për të punuar, në mënyrë që t’i mbajnë familjet me djersën e vet.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të punëtorëve të “Ferronikelit”, Fehmi Nika, përkujtoi se me qëllim të tejkalimit të krizës, menaxhmenti dhe SP e “NewCo Ferronikeli” kishin ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për uljen e kostos së prodhimit, për shkak të uljes së çmimit të nikelit në berëzën ndërkombëtare.

“Si rezultat i kësaj është arritur marrëveshja që pagat e punëtorëve, duke filluar nga 1 dhjetori i vitit 2015 të zbriten për 5 deri në 15 për qind. Mirëpo, kriza vazhdon të thellohet edhe më tepër me rënien e çmimit drastik të nikelit në berzën botërore si dhe me ndërrimin e menaxhmentit të kompanisë. Ekipi i ri menaxhues dhe SP presin sfida të tjera edhe më të rënda, siç është mbyllja totale e operimit dhe mbetja pa punë e më së 1 mijë punëtorëve. Më 29 mars të vitit 2016, Sindikata e Pavarur informohet nga menaxhmenti me vendimin e Bordit të Aksionarëve, sipas të cilit që nga 1 prilli 2016 ndërpritet prodhimi në kohë të pacaktuar, si dhe me vendimin që punëtorët të punojnë me gjysmë orari dhe të marrin 50 për qind të pagave. SP i ka hedhur si të papranueshme këto vendime dhe ka nisur një dialog intensiv për një marrëveshje për tejkalimin e situatës”, ka sqaruar Nika, i cili ka shtuar se si rezultat i marrëveshjes, pagat ishin kthyer në gjendjen e nëntorit të vitit 2015, ndërsa ishte siguruar që punëtorëve t’u paguhet 70 për qind e pagës, e jo 50 për qind siç ishte paralajmëruar.

Sipas Nikës, punëtorëve i ishin dhënë garanci se pas riparimit të furrave do të fillojë prodhimi, si dhe që pagat e punëtorëve të jenë 100 për qind. Gjithashtu, sipas Nikës, ishte arritur marrëveshja që xehja nga Medveci të transportohet në sasi të kufizuara dhe aq sa është e arsyeshme për mbulimin e pagave të punëtorëve në periudhën kohore sa është në fuqi marrëveshja.

Kryetari i SP të Punëtorëve të “Ferronikelit” ka sqaruar se më 30 qershor kishin skaduar kontratat e punëtorëve të “Ferronikelit”, si dhe kishte kaluar afati i marrëveshjes Sindikatë – Menaxhment. “Andaj, SP dhe menaxhmenti, duke parë rrezikun e mbylljes së fabrikës i kanë kërkuar kryeshefit ekzekutiv që t’i bëjë kërkesë kompleksit të kompanive Cunico Resources, pjesë e të cilit është edhe ‘NewCo Ferronikeli’, për vazhdimin e kontratave të gjithë punëtorëve edhe për një muaj, me kushtet e përcaktuara të marrëveshjes 3-mujore, në mënyrë që të mos vijë deri te mbyllja e fabrikës dhe mbetja pa punë e më shumë se 1000 punëtorëve”, sqaroi Nika, duke shtuar se në dy muajt e fundit ka pasur bashkëpunim të ngushtë me menaxhmentin e ri të kompanisë për t’i adresuar të gjitha çështjet e rëndësishme për mbijetesë të “Ferronikelit”.

“Gjatë kësaj kohe kemi zhvilluar dialog me subjekte të ndryshme qeveritare dhe subjekte tjera, që vazhdon edhe sot. Përpjekjet tona të përbashkëta kanë rezultuar me progres të dukshëm në të gjitha drejtimet për të siguruar rifillimin e prodhimit dhe stabilitet për të punësuarit”, theksoi Nika, sipas të cilit rifillimi i prodhimit është shumë afër dhe se është duke u punuar që kjo të jetë çështje ditësh, apo orësh.

Ndërkaq, Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka inkurajuar punëtorët e “Ferronikelit” që të mos frikësohen, pasi që “Ferronikeli” do të rifunksinalizohet shpejt. Ai tha se ka bashkëpunuar ngushtë me SP të “Ferronikelit” dhe me nivelin qendror për ta tejkaluar situatën. Ai siguroi se të gjitha kompanitë dhe biznesmenët, edhe ata të huaj duhet të punojnë sipas ligjeve të Kosovës.

Ndryshe, “Ferronikeli”, i cili është privatizuar në vitin 2005, ka ndërprerë prodhimin me 1 prill të këtij viti, për shkak se, siç ishte thënë në një njoftim të “New Co Ferronikeli Complex”, anëtar i grupit të kompanive “Cunico Resoures NV”, “të problemeve teknike të zbuluara kohëve të fundit me pajisje të caktuara në fabrikë, të cilat kanosin sigurinë në fabrikë, krijojnë rrezikun që të shkaktohet dëm i pariparueshëm i pajisjeve, dhe në këtë mënyrë detyron vendosjen e menjëhershme të fabrikës në gjendje për riparim, si dhe rënies së vazhdueshme të çmimit të nikelit në tregun e metaleve, e cila po shkakton humbje të konsiderueshme për grupin”.

Në njoftim ishte thënë gjithashtu se në fabrikë do të zbatohet Plani i Mirëmbajtjes dhe Kujdesit “CAMP”, që do të përfshijë rinovimin e furrës rrotulluese dhe furrës elektrike në linjën 1, si dhe pajisjeve tjera mirëmbajtëse. Sipas të njëjtit njoftim ky proces do të zgjaste përafërsisht 90 ditë, përkatësisht deri në fund të qershorit të këtij viti.