Nga nesër deri më 27 korrik do të mbyllet një pjesë e rrugës kryesore të Prishtinës

Aktuale July 11, 2016 - 17:26

Që nga dita e nesërme e deri më 27 korrik, një pjesë e rrugës “Luan Haradinaj”, e cila është në qendër të kryeqytetit do të mbyllet.

Përmes një njoftimi për medie, Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se arsyeja përse kjo pjesë e rrugës do të mbyllet është për shkak të punimeve disa ditore që është duke i bërë Ndërmarrja “Termokos”, transmeton “zeri.info”.  

Për shkak të mbylljes së kësaj pjese të rrugës edhe qarkullimi rrugor i transportit publik do të ndryshoj.

LEXO EDHE: Zënkë ndërmjet dy familjeve në Prishtinë, intervenon Policia

Njoftimi i plotë i Komunës së Prishtinës:

Nga nesër,e martë, më 12 korrik ,rruga "Luan Haradinaj", fillimisht pjesa në mes të rrugës "Garibaldi" ​dhe ASK (American School of Kosova), e pastaj edhe pjesa në mes të rrugës "Garibaldi" dhe Gjykatës Kushtetuese,  do të mbyllet  për shkak të zhvillimit të punimeve disa ditore në të nga Ndërmarrja "Termokos".

Në kuadër të rehabilitimit të rrjetit të ngrohjes, Ndërmarrja "Termokos" do t'i ndërrojë gypat e vjetruar dhe do t'i zëvendësojë ata me të rinj.

Punimet do të zgjasin nga data 12 e deri më 27 korrik në të dy pjesët. Gjatë gjithë kësaj kohe, rruga "Garibaldi" do të jetë e hapur për qarkullim të plotë.

Transporti Publik, i cili e ka shfrytëzuar këtë segment rrugor do të qarkullojë në rrugën "Driton Hoxha", djathas "Tirana", vazhdon në rrugën e UÇK-së dhe anasjelltas.

Ftojmë qytetarët që të kenë mirëkuptim dhe që qarkullimin me automjete ta planifikojnë paraprakisht.