“Peshqit e mëdhenj”, të paprekur nga drejtësia

“Peshqit e mëdhenj”, të paprekur nga drejtësia

Aktuale January 09, 2020 - 07:57
detaje
Image

Viti 2019 përfundoi pa ngritjen e ndonjë aktakuze për afera korruptive për personat e profilit të lartë. Pavarësisht që Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditur se ka zgjidhur 94% të rasteve të këtij lloji, sipas monitoruesve të seancave gjyqësore asnjë rast i vetëm nuk është ngritur për zyrtarët e profilit të lartë, shkruan sot Zëri.

Asnjë rast i vetëm i ngritjes së aktakuzave për profilet e larta lidhur me afera korruptive nuk është shënuar gjatë 2019-s. Edhe pse Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka zgjidhur 263 raste që kanë të bëjnë me këto afera, sipas monitoruesve të sistemit të drejtësisë asnjë nuk ka të bëjë me persona të profilit të lartë.

Të njëjtit këtë e cilësojnë si dështim të drejtësisë në vend, teksa pohojnë se kjo tregon që prokurorët janë duke ikur nga përgjegjësia e ushtrimit të mandatit kushtetues dhe ligjor.Së fundmi Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që të akuzuarit në rastin “Pronto” të lirohen nga akuza.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti, ka bërë të ditur vendimin, duke sqaruar se për Adem Grabovcin, për Besim Beqajn, për Zenun Pajazitin dhe për 8 të akuzuarit e tjerë nuk është provuar se kanë kryer veprën penale, për të cilën janë akuzuar. E kjo për njohësit e rrethanave është dëshmia më e mirë se ku është katandisur sistemi i drejtësisë në vend.

Prokuroria Speciale: Zgjidhen 94% të rasteve të pranuara

Prokuroria Speciale në raportin vjetor ka bërë të ditur që gjatë 2019-s ka arritur t’i zgjidhë 94% të rasteve, që janë adresuar në të. Gjatë kësaj kohe janë zgjidhur 263 raste të korrupsionit e ku të përfshirë kanë qenë 483 persona. “Sistemi prokurorial ka arritur që gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, nga 279 raste të korrupsionit të pranuara me 725 persona, ka zgjidhur 263 raste me 483 persona, respektivisht ka zgjidhur 94% të rasteve të pranuara”, thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie.

Prokuroria Speciale po ashtu bëri të ditur që në të njëjtin vit ka pranuar 343 raste të krimeve ekonomike. “Ndërsa sa u përket krimeve ekonomike, nga 343 raste të pranuara me 480 persona, janë zgjidhur 357 raste me 474 persona, respektivisht janë zgjidhur 4% më shumë lëndë sesa janë pranuar”, bëhet e ditur më tutje.

Me gjithë paraqitjen e këtyre shifrave zyrtarë nga kjo prokurori nuk kanë bërë të ditur nëse në mesin e këtyre personave ka ndonjë të akuzuar të profilit të lartë.

Miftari: Në 2019-n asnjë aktakuzë për profilet e larta

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftari, për “Zërin” ka thënë se nga monitorimi i kësaj organizate në Prokurorinë Speciale të Kosovës kanë gjetur se asnjëra nga aktakuzat e ngritura për korrupsion nuk ka qenë për profilet e larta. “Instituti i Kosovës për Drejtësi në raportin e saj të fundit lidhur me luftimin e korrupsionit në Kosovë ka trajtuar edhe rolin e PSRK-së në këtë drejtim. IKD-ja nga monitorimi sistematik ka gjetur se PSRK-ja gjatë vitit 2019 nuk ka ngritur as edhe një rast të korrupsionit të nivelit të lartë dhe deri në shtator 2019 as edhe një aktakuzë për vepra penale korruptive”. Ai ka pohuar se një gjë e tillë është ikje nga përgjegjësia e ushtrimit të mandatit kushtetues dhe ligjor. “Një qasje e tillë pa dyshim se është ikje nga përgjegjësia në ushtrimin e mandatit kushtetues dhe ligjor, mungesë e guximit dhe e vullnetit për luftimin e korrupsionit të lartë dhe promovim i kulturës së pandëshkueshmërisë”, ka thënë më tutje ai.

Të nevojshëm Miftaraj e ka parë shtimin e numrit të prokurorëve dhe avancimin e tyre me meritokraci. “IKD-ja vazhdimisht ka potencuar se numri i prokurorëve duhet të rritet në PSRK. Krahas kësaj, duhet siguruar se vetëm prokurorët që e meritojnë të avancohen duhet të avancohen, të ndalen praktikat kur prokurorët e dështuar dërgohen në ketë prokurori sikurse është humbur shumë kohë në mosspecializimin e prokurorëve dhe të gjykatësve në çështje të korrupsionit dhe të krimeve ekonomike. Andaj trajtimi i këtij fenomeni është i natyrës urgjente”, ka pohuar ai.

Demhasaj: Asnjë dënim meritor për të akuzuarit e aferave korruptive

Në anën tjetër Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, po ashtu pohoi se gjatë vitit të kaluar nuk ka pasur asnjë aktakuzë për afera korruptive në profilet e larta. “Edhe më herët në raportin që e kemi bërë dhe e kemi publikuar në fund të vitit kemi treguar që vitin e fundit nuk ka pasur asnjë aktakuzë që është ngritur dhe që flet për korrupsionin e profilit të lartë”, ka thënë ai.

Demhasaj përmendi rastin e fundit “Pronto”, ku të akuzuarit u shpallën të pafajshëm. “Njëjtë po ndodh edhe me rastet që kanë qenë të ngritura më herët. E pamë rastin e fundit ‘Pronto’, si dhe ato të mëhershme, që gjithmonë po përfundojnë me hedhje poshtë të aktakuzës ose me shpallje si të pafajshëm të të akuzuarve”.

Sipas tij, ende nuk ka pasur ndonjë rast të profilit të lartë që ka përfunduar me dënim meritor. “Përfundimi është që nuk kemi as edhe një rast të profilit të lartë, i cili ka përfunduar me një proces meritor dhe që kanë marrë dënime meritore ose kanë marrë dënime tepër të ulëta, ose janë sjellë të pafajshëm. Kohëve të fundit nuk kemi pasur as ngritje të aktakuzave dhe kjo tregon se çfarë fokusi po ka sistemi i drejtësisë te rastet e profilit të lartë të korrupsionit”, ka potencuar Demhasaj./ZERI/