Osmani: Imazhi i sotëm Putin-Thaçi do ta copëtojë Kosovën

Aktuale November 12, 2018 - 15:07
Detajet

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani ka reaguar pas takimit Thaçi-Putin duke e quajtur kështu fare të papritur. Ky shtrëngim i duarve sipas Osmanit nënkupton mbështetjen e një politikani shqiptar ndaj planeve serbe e ruse për ndarjen e Kosovës, transmeton “zëri.info”.

“Shtrëngimi i duarve mes Putinit dhe Thaçit nuk është fare i papritur. Kjo sepse për herë të parë në historinë e Kosovës, një politikan shqiptar del haptas në mbështetje të planeve serbe dhe ruse për ndarje të Kosovës. Dhe kjo nuk bëhet rastësisht nga Thaçi. Shpresa që këto akrobacione të rrezikshme mund të shpëtojnë lëkurën e dikujt, mund të jetë njëra nga arsyet. Kosovës nuk i bënë nder takimi me Putin, si lider autoritar i izoluar nga Përëndimi për shkak të të bëmave të tij në ish-Republikat Sovjetike, e as mesazhi i përquar përmes këtij takimi për një orientim tjetër gjeostrategjik që bie në kundërshtim me vlerat dhe aspiratat tona euroatlantike”, ka shkruar Osmani në një postim në “Facebook”.

LEXO EDHE: Kurti: Ne nuk jemi kundër popullit serb

Sipas saj Kosovës nder do t`i bënte shtrëngimi i duarve me kancelarin gjermane Angela Merkel.

 “Nder Kosovës do t’i bënte duarshtrëngimi me Kancelaren Merkel, e cila po lufton me ngulm për të mbrojtur kufijtë e Kosovës nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm të vendit tonë. Por, Thaçit i mungoi dje ajo fotografi, prandaj edhe e zëvendësoi me një të para disa muajve. Shpresoj që imazhi i sotëm Putin-Thaçi të bindë të gjithë deputetët e pushtetit që ka ardhur koha që copëtimin e vendit ta kundërshtojnë jo vetëm me fjalë por edhe me votë”, përfundon postimi i saj.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ishte i ftuar në Paris nga Emmanuel Macron në ceremoninë e organizuar për nder të 100 vjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes së armëpushimit mes Gjermanisë e Francës që ka sjell përfundimin e  Luftës së Parë Botërore. /ZËRI