Kurti: Ne nuk jemi kundër popullit serb

Aktuale November 12, 2018 - 14:49
Detajet

Lideri i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti përmes një postimi në “Facebook”, ka komentuar tentimin e Serbisë për formimin e Asociacionit të Komunave  me Shumicë Serbe, transmeton “zëri.info”.

Kurti ka thënë që nuk është kundër popullit serb e as që do jetë ndonjëherë.

“Ne nuk jemi kundër popullit serb, ashtu siç kurrë nuk kemi qenë dhe kurrë nuk do të jemi. Nuk i barazojmë serbët me Serbinë, ashtu qysh nuk e barazojmë pjesëtarin e një populli me veprimet e një shteti”, ka shkruar ai.

LEXO EDHE: Veseli: Nuk mund të na shantazhojë Lista Serbe

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

Para një shekulli, gjashtë vjet pasi e pushtoi Kosovën, me të mbaruar Lufta e Parë Botërore, Serbia e aneksoi Vojvodinën. Jugosllavia e Parë ishte monarki dhe u formua si platformë për Serbinë e Madhe. "Ku është një serb, aty është Serbi" nuk paraqiste analizë faktesh por projekt hegjemonik. Andaj nisi kolonizimi i hapsirës së ish Jugosllavisë përmes popullimit me serbë dhe shpronësimit të të tjerëve. Serbia nga Kosova ka dëbuar shqiptarë për Turqi, por edhe nga Vojvodina ka dëbuar gjermanë e hungarezë. Pra, Serbia nuk na urren vetëm neve pse jemi shqiptarë, por edhe të tjerët pse nuk janë serbë.

Para tri dekadave, me ushtri e polici të ish Jugosllavisë, Serbia iu pat sulur Kosovës, mandej Sllovenisë, pastaj Kroacisë, pastaj Bosnje dhe Hercegovinës dhe në fund edhe njëherë Kosovës. Beogradi, si kryeqytet i Jugosllavisë, për ta krijuar Serbinë e Madhe, e shkatërroi Jugosllavinë e Dytë, meqë s'u dukej më mjaftueshëm e keqpërdorshme. "Ku është një varr serb, atje është Serbi", bërtisnin akademikët dhe priftërinjtë serbë. Kështu, serbët duhet të vdisnin, duke vrarë e pasi të kenë vrarë kroatë, boshnjakë e shqiptarë. 160.000 joserbë u vranë, miliona njerëz u bënë refugjatë.

Pas shkatërrimit të Jugosllavisë së Dytë, Serbia vazhdoi edhe me shkatërrimin e njësive konstituive, pra republikave, veç e veç. U përpoq t’i rrënojë ato nga brenda me konstruksione juridike dhe struktura paralele të cilat republikat i shndërrojnë në shtete jofunksionale. Në Kroaci nuk i eci. Në Bosnje e instaloi Republikën Serbe. Në Kosovë po mundohet të na e kurdis ‘Zajednicën’.

Serbia edhe sot gjithqysh është e madhe. Ajo i ka brenda Vojvodinën, Sanxhakun, Luginën e Preshevës dhe Krahinën e Timokut. Pra, Serbia i ka brenda vetes Novi Sadin e Suboticën, Novi Pazarin e Pirotin, Preshevën, Medvegjën e Bujanocin. Ata Kosovën e quajnë Kosovë dhe Metohi, pikërisht pse vetë ata do të duhej të quheshin: Serbia, Vojvodina, Sanxhaku, Lugina e Preshevës dhe Krahina e Timokut.

Ne nuk jemi kundër popullit serb, ashtu siç kurrë nuk kemi qenë dhe kurrë nuk do të jemi. Nuk i barazojmë serbët me Serbinë, ashtu qysh nuk e barazojmë pjesëtarin e një populli me veprimet e një shteti. /ZËRI