LVV: Liberalizimi nuk do të ndodhë në një të ardhme të afërt

Aktuale November 12, 2018 - 13:58
Detajet

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, duke folur për procesin e liberalizimit të vizave ka thënë për “Zërin” që ky proces rrezikon të zvarritet tutje për shkak të mospërgjegjësisë së udhëheqësve të institucioneve në vend.

 “Tashmë ka sinjale të qarta edhe nga përfaqësues të vendeve të BE-së që janë skeptikë sa i përket liberalizimit të vizave pikërisht për shkak të mospërmbushjes së kriterit kryesor që është lufta kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar, që mbetet një ndër faktorët jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin”, ka thënë ajo.

LEXO EDHE: 'Nuk ka sinjal për heqjen e vizave'

Ajo ka thënë po ashtu që heqja e vizave për kosovarët nuk do të ndodhë së shpejti.

“Fatkeqësisht, besojmë se në një të ardhshme të afërt liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë edhe pse është e padiskutueshme që kjo gjë është shumë e padrejtë, kjo që po ndodh ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka theksuar ajo.

LEXO EDHE: Javët finale për liberalizimin e vizave

Nagavci vlerëson se nuk kemi pasur asnjëherë premtime për data konkrete për heqje të vizave nga zyrtarë të BE-së, derisa kemi pasur vazhdimisht premtime me data të fiksuara nga zyrtarët tanë duke filluar prej ministrave e deri te presidenti i vendit.

 “Përgjegjësia kryesore bie mbi pushtetarët tanë që e kanë shfrytëzuar gjatë gjithë këtyre viteve çështjen e liberalizimit duke u bërë premtime qytetarëve për gjërat që nuk kanë qenë në dorën e tyre dhe nuk kanë bërë asnjë hap për luftimin e krimit dhe të korrupsionit si kriter kryesor për liberalizim të vizave”, ka thënë tutje ajo. /ZERI