Javët finale për liberalizimin e vizave

Aktuale November 12, 2018 - 08:08
Detajet
Image

Komisioni, Parlamenti dhe Këshilli i Bashkimit Evropian janë duke zhvilluar trialogun për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ndërkohë vlerësohet se tri ose katër javët në vijim janë vendimtare në këtë proces, pasi nëse në këtë periudhë arrihet pajtimi në mes të këtyre tri institucioneve, atëherë mund të pritet që në fillim të dhjetorit të merret vendimi për liberalizim, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Javët në vijim vlerësohen vendimtare për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, pasi tashmë tri institucionet e Bashkimit Evropian: Komisioni, Parlamenti dhe Këshilli janë duke zhvilluar trialogun për heqjen e regjimit të vizave për kosovarët dhe nëse arrihet pajtimi ndërmjet këtyre institucioneve, atëherë vendimi për liberalizim mund të merret në pjesën e parë të dhjetorit.

LEXO EDHE: Sholtes: Shpresoj vizat të hiqen deri në maj të 2019-s

Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e partive politike por edhe njohësit e integrimeve thonë se gjasat që vendimi për heqjen e vizave të merret këtë vit janë minimale, shkruan tutje gazeta "zëri".

Sipas analistëve, nëse nuk ka vendim këtë vit, atëherë gjërat do të komplikohen edhe më shumë, pasi vitin tjetër mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe kjo i zbeh gjasat për një vendim në atë vit. 

Eurodeputeti gjerman: Kosovarët e meritojnë liberalizimin

Deputeti gjerman i Parlamentit Evropian, Knut Fleckenstein, i cili po ashtu është edhe anëtarit i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe raportues për Shqipërinë, në një intervistë për “European Western Balkans”, ka deklaruar se kosovarët e meritojnë liberalizimin e vizave.

Eurodeputeti porosit vendet e BE-së që të mos i shikojnë zgjedhjet e sondazhet, por të vazhdojnë punën në çështjen e liberalizimit të vizave. Atij i janë përmendur raportimet se rreth 10 shtete janë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën dhe se ky vendim nuk mund të merret brenda këtij viti. I pyetur se cila është arsyeja e këtyre kundërshtimeve dhe se a e meritojnë kosovarët liberalizimin e vizave, ai deklaroi: “Unë nuk i kam numëruar sa shtete janë kundër. Diskutimi në Komision, në Parlament dhe në Këshill sapo ka filluar. Të presim dhe të shohim se cili do të jetë rezultati”.

Ndërsa Fleckenstein shprehet i bindur se kosovarët e kanë merituar që t’u hiqen vizat shumë më herët.

“Jam shumë i bindur se populli i Kosovës e meriton liberalizimin e vizave. Ata e kanë merituar këtë edhe më herët. Ata kanë bërë atë që kemi kërkuar prej tyre dhe tash na takon neve që të jemi të besueshëm”, ka shtuar ai.

Në fund eurodeputeti gjerman ka thënë se Bashkimi Evropian nuk duhet t’i shikojë zgjedhjet, por duhet të vazhdojë punën.

“Sigurisht që nuk mund të garantoj për secilin shtet të Bashkimit Evropian, por nuk duhet gjithmonë t’i shikojmë sondazhet dhe zgjedhjet, ne duhet ta vazhdojmë punën tonë”, ka thënë ai.

Pushteti kritikon BE-në
Në anën tjetër deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, për “Zërin” ka thënë që qytetarëve kosovarë po u bëhet padrejtësi në raport me heqjen e vizave.

“Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe këtë e kanë theksuar edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. Qytetarëve të Kosovës po vazhdon t’u bëhet një e padrejtë me mosmundësinë e lëvizjes së lirë, sikur popujt e tjerë. Megjithatë mbetet të shihet deri kah fundi i vitit ose kur do të merret vendimi për vizat”, ka thënë ai.
Mirëpo, sipas tij, pavarësisht kësaj institucionet e vendit janë duke u përpjekur maksimalisht që qytetarët sa më parë të fitojnë liberalizimin.

“Ka përpjekje serioze për këtë proces nga ana e Kosovës dhe duhet në vazhdimësi të lobohet edhe tek ato shtete që po hezitojnë që Kosova ta ketë të drejtën e lëvizjes së lirë”, ka thënë ai.
Në anën tjetër shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vlerësuar se nëse kosovarëve nuk u lejohet lëvizja e lirë në zonën Schengen me këtë veprim Bashkimi Evropian po ia kthen shpinën Kosovës.
“Mendoj që është sinjal shumë dekurajues, është komplet i padrejtë dhe nëse një gjë e tillë vërtet do të ndodhë, atëherë do të jetë me të vërtetë një kthim i shpinës Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Me vite na kanë thënë që nuk është vendim politik, por është çështje teknike, janë pikërisht qëndrimet politike që dëshirojnë ta mbajnë Kosovën të përjashtuar nga një e drejtë fundamentale”.
Ndonëse shprehet optimist se liberalizimi mund të ndodhë, Krasniqi thotë Austria si udhëheqëse e presidencës së BE-së duhet ta fusë në rend dite çështjen e vizave për Kosovën.

“Unë ende jam optimist i kujdesshëm në kuptimin që shpresoj Austria do ta marrë përgjegjësinë, të cilën e ka si udhëheqëse e Presidencës së BE-së që ta fusë në rend të ditës çështjen e vendimit sepse ne nuk jemi fajtorë për mosmarrëveshjet që shtetet e BE-së i kanë mes vete edhe për problemet e politikave të tyre të brendshme. Ne kërkojmë të drejtën tonë, me vite na kanë thënë duhet t’i kryejmë këto punë, krejt punët i kemi kryer, sot do të ishte përtej standardit të dyfishtë nëse ata tërhiqen nga krejt ato zotime që i kanë dhënë me vite”, ka thënë ai.

LVV: Liberalizimi nuk do të ndodhë në një të ardhme të afërt

Kurse deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, duke folur për procesin e liberalizimit të vizave ka thënë për “Zërin” që ky proces rrezikon të zvarritet tutje për shkak të mospërgjegjësisë së udhëheqësve të institucioneve në vend.

“Tashmë ka sinjale të qarta edhe nga përfaqësues të vendeve të BE-së që janë skeptikë sa i përket liberalizimit të vizave pikërisht për shkak të mospërmbushjes së kriterit kryesor që është lufta kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar, që mbetet një ndër faktorët jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë po ashtu që heqja e vizave për kosovarët nuk do të ndodhë së shpejti.

“Fatkeqësisht, besojmë se në një të ardhshme të afërt liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë edhe pse është e padiskutueshme që kjo gjë është shumë e padrejtë, kjo që po ndodh ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka theksuar ajo.
Nagavci vlerëson se nuk kemi pasur asnjëherë premtime për data konkrete për heqje të vizave nga zyrtarë të BE-së, derisa kemi pasur vazhdimisht premtime me data të fiksuara nga zyrtarët tanë duke filluar prej ministrave e deri te presidenti i vendit.

“Përgjegjësia kryesore bie mbi pushtetarët tanë që e kanë shfrytëzuar gjatë gjithë këtyre viteve çështjen e liberalizimit duke u bërë premtime qytetarëve për gjërat që nuk kanë qenë në dorën e tyre dhe nuk kanë bërë asnjë hap për luftimin e krimit dhe të korrupsionit si kriter kryesor për liberalizim të vizave”, ka thënë tutje ajo.

Nuk ka sinjale për heqje të vizave

Në anën tjetër Taulant Kryeziu, nga instituti “Epik”, ka thënë tashmë është e qartë që këtë vit qytetarët e Kosovës nuk do të mundë të lëvizin lirshëm, ashtu siç është premtuar vazhdimisht nga liderët shtetërorë.
“Është mbyllur tema që qytetarët e Kosovës të mundë të lëvizin sivjet pa viza. Diskursi ka mbetur aty se a kanë për të lëvizur qytetarët sivjet ose jo, ashtu siç kanë thënë liderët shtetërorë? Mbeten edhe 6 hapa që duhet të ndodhin me qëllim që të kalojmë deri te heqja e plotë e vizave për Kosovën, mirëpo asgjë nuk ka lëvizur në këtë drejtim dhe po shihet që vullneti politik nuk është i duhuri momentalisht”, ka thënë Kryeziu për “Zërin”.
Ai ka ritheksuar se skenari më pozitiv do të ishte që të ketë vendimmarrje pa përfunduar ky vit, mirëpo sipas tij, edhe kjo gjë tashmë është vështirësuar pasi nuk ka elemente që e paralajmërojnë një gjë të tillë.
Duke folur për trialogun mes Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit ka thënë që pikërisht këto tri institucione janë përcaktuese të heqjes ose jo të vizave për Kosovën.
“Disponimi matet te vendet anëtare se sa po ecën përpara ky dialog ndërinstitucional. E për ta ditur këtë gjë duhet të ketë një marrëveshje të përkohshme joformale, nëse janë dakorduar ose jo shtetet anëtare të BE-së që ta votojnë ose jo heqjen e vizave për Kosovën. Mirëpo nuk po shihet që ka sinjale për një vendim pozitiv dhe jam skeptik nëse edhe vendimmarrja do të ndodhë sivjet”, ka theksuar ai./ZERI