Sholtes: Shpresoj vizat të hiqen deri në maj të 2019-s

Aktuale November 12, 2018 - 07:47
Igor Sholtes flet për
Image

Igor Sholtes, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka pranuar se te disa shtete anëtare të BE-së kanë mëdyshje sa i përket heqjes së vizave për Kosovën. Megjithatë, ai shpreson se liberalizimi i vizave do të ndodhë në fund të mandatit aktual të Parlamentit Evropian. Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të mbahen në maj të vitit 2019, shkruan sot gazeta "Zëri".

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian Igor Sholtes ka pranuar se disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian kanë mëdyshje sa i përket heqjes së vizave për Kosovën, por, sipas tij, çështja e vizave nuk ka nevojë të kalojë në Këshillin e Ministrave të BE-së me shumicë absolute të votave.
Këto komente Sholtes i ka bërë gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se i ka sugjeruar ministres kosovare për Integrime Evropiane Dhurata Hoxhës t’i takojë ministrat e shteteve që hezitojnë të votojnë në favor të regjimit pa viza, për t’i bindur ata se kosovarët e meritojnë të udhëtojnë lirshëm në BE.

“Kam këshilluar gjithashtu ministrat nga Kosova të punojnë ngushtë me ambasadat e me ministritë e atyre vendeve dhe të mundohen të ndikojnë në vendimin përfundimtar të përfaqësuesve të shteteve anëtar”, thotë mes tjerash për “Zërin”  eurodeputeti Sholtes.

 LEXO EDHE: Si e komentojnë analistët gjuhën e ashpër të Vuçiqit në raport me Thaçin

Politikani slloven thotë se zvarritja trevjeçare e miratimit të Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës e ka zgjatur procesin e liberalizimit të vizave për vendin, ndonëse shpreson që liberalizimi i vizave të ndodhë deri në fund të këtij mandati të Parlamentit Evropian.

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të mbahen në maj të vitit 2019.

“Nëse për asgjë tjetër, ky do të ishte një vendim i drejtë për t’u bërë”, ka potencuar Sholtes.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” ai ka folur edhe rreth idesë së presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim të territoreve me Serbinë, duke thënë se një gjë e tillë nuk mund të jetë objektiv i regjionit të Ballkanit Perëndimor. 

Disa shtete të BE-së kanë mëdyshje për heqjen e vizave


Zëri: Z. Sholtes, vendimi rreth liberalizimit të vizave për Kosovën me Bashkimin Evropian tashmë ka marrë “dritën e gjelbër” në Komisionin Evropian, si dhe në Parlamentin Evropian, por ende nuk është arritur një vendim i tillë të merret edhe nga Këshilli i Ministrave të BE-së. A prisni që në fillim të dhjetorit të këtij viti edhe Këshilli i Ministrave do të votojë pro liberalizimit të vizave me Kosovën apo jo?


Sholtes: Po dhe me të vërtetë Komisioni Evropian e Parlamenti Evropian theksuan qartë se ata e mbështesin Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe gjithashtu bënë të ditur se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për të pasur një regjim pa viza të dhënë nga BE-ja. Ndërsa lidhur me Këshillin, unë nuk mund të flas në emër të tyre e as në emër të shteteve anëtare. Sinqerisht shpresoj se ata janë të vetëdijshëm për rëndësinë e çështjes dhe se do të votojnë përpara fundit të këtij vitit, me qëllim që negociatat midis Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian mund të fillojnë atëherë.

Zëri: Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, znj. Dhurata Hoxha, ka deklaruar ditë më parë për mediumin tonë, gazetën “Zëri”, se vendimi për liberalizimin e vizave mund të mos merret këtë vit nëse nuk sigurohet shumica e votave të nevojshme në Këshillin e Ministrave të BE-së. Si raportues për Kosovën a keni vërejtur hezitime te Këshilli i Ministrave në lidhje me çështjen e vizave?

Sholtes: Unë kam biseduar me ministren Dhurata Hoxha rreth kësaj çështjeje kur u takuam në Strasburg, dy javë më parë. Disa shtete anëtare me të vërtetë janë në mëdyshje për këtë proces, por nuk ka nevojë që çështja e vizave të kalojë në Këshill me shumicë absolute të votave. Unë kam sugjeruar gjithashtu te ministrja që të takohet në mënyrë bilaterale me ministrat e vendeve që hezitojnë të votojnë në favor të regjimit pa viza për Kosovën për t'i bindur ata se Kosova e meriton regjimin pa viza nga BE.

Zëri: Thuhet se nuk janë vetëm pesë shtetet mosnjohëse të BE-së të cilat nuk e përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën, por ka edhe disa shtete tjera, si Franca, Holanda etj. A keni pasur kontakte me përfaqësuesit e këtyre shteteve hezituese për liberalizim të vizave dhe cilat janë arsyet e mospërkrahjes së liberalizimit të vizave për Kosovën?

Sholte
s: Unë kam biseduar edhe me kolegët e mi që janë anëtarë të Parlamentit Evropian nga ato vende rreth kësaj çështjeje dhe i kam kërkuar që ta trajtojnë këtë çështje me qeveritë e tyre e me ministrat përkatës. Kam këshilluar gjithashtu ministrat nga Kosova që të punojnë ngushtë me ambasadat e me ministritë e atyre vendeve anëtare dhe të mundohen të ndikojnë në vendimin e tyre përfundimtar.

Demarkacioni me Malin e Zi e ka zvarritur procesin e heqjes së vizave

Zëri: Z. Sholtes, keni deklaruar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave me BE-në pas miratimit të Demarkacionit me Malin e Zi dhe për plotësimin e kritereve të nevojshme për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Nëse janë plotësuar kriteret, a po i bëhet padrejtësi Kosovës për çështjen e vizave?

Sholtes: Negociatat për heqjen e vizave të Kosovës janë një proces që përfshin tri institucionet e BE-së dhe natyrisht që merr kohë për t'u përpunuar kjo çështje. Nuk ka afat kohor për këtë. Por, dua vetëm të theksoj këtu se gjithashtu Kosovës i janë dashur tri vjet që të merret dhe të zgjidh çështjen e ndarjes së kufirit me Malin e Zi, gjë që për fat të keq e zgjati procesin e liberalizimit të vizave për një kohë të gjatë. Ende shpresoj dhe jam pozitiv për heqjen e vizave për Kosovën deri në fund të mandatit të tanishëm të Parlamentit Evropian. Nëse asgjë tjetër, ky do të ishte një vendim i drejtë për t’u bërë.

Zëri: Nëse vendimi për liberalizimin e vizave nuk merret gjatë mandatit të presidencës austriake, a do të ketë edhe më shumë vështirësi kur presidencën e BE-së prej 1 janarit 2019 do ta marrë Rumania, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës?

Sholtes: Unë nuk mund t'ju jap një përgjigje në këtë pyetje, pasi kjo varet nga presidenca rumune dhe nga prioritetet e saj. Por shpresoj dhe jam i bindur se ata do të punojnë në interesin më të mirë të Kosovës, ashtu siç do të bëjë edhe Bashkimi Evropian.

Zëri: Sipas statistikave zyrtare të EUROSTAT-it, numri i azilkërkuesve nga Kosova në vendet e ndryshme të BE-së ka rënë ndjeshëm viteve të fundit, madje ka më pak azilkërkues nga Kosova se nga Shqipëria, ose nga Serbia, të cilat ka disa vite që kanë liberalizim. A është kjo arsye e mjaftueshme që Këshilli i Ministrave të BE-së të votojë pro liberalizimit të vizave me Kosovën?

Sholtes: Përveçqë Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për regjimin pa viza, kjo gjithashtu duhet të jetë një shenjë e qartë shtesë që Kosova e qytetarët e saj meritojnë lëvizjen e lirë pa viza.

Zëri: A është frika nga zgjedhjet për Parlamentin Evropian që do të mbahen në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm arsyeja e shtyrjes së vendimit për liberalizim të vizave?

Sholtes: Jo.

Shpresoj të mos ketë revolta

Zëri: Nëse vendimi për vizat nuk merret deri në dhjetor të këtij viti, a ka gjasë që Kosovës të mos i hiqen vizat deri në janar të 2020-s dhe çfarë pasojash të brendshme mund të ketë në Kosovë nëse shtyhet një vendim i tillë, përkatësisht a prisni revoltë qytetare?

Sholtes: Siç e thashë, ne të gjithë presim që shtetet anëtare të BE-së të vendosin tani dhe me të vërtetë shpresoj se ata janë të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj çështjeje. Unë shpresoj se nuk do të ketë asnjë lloj revoltash ose formash të tjera të destabilizimit në rajon, pasi ky do të ishte një hap i madh mbrapa për të gjithë ne.

Zëri: Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar po ashtu ditë më parë për “Zërin” se nëse BE-ja nuk i heq vizat këtë vit për Kosovën, atëherë qasja e vendit ndaj BE-së duhet të ndryshojë. Si i komentoni deklaratat e tilla?

Sholtes: Unë me të vërtetë shpresoj që Kosova ta ketë të qartë se BE-ja gjithmonë ka qenë aleati dhe mbrojtësi i saj, pavarësisht problemeve me çështjen e vizave. Bashkëpunimi i mirë dhe marrëdhënia mes Kosovës e BE-së nuk duhet të ndryshojë.

Shkëmbimi i territoreve nuk i kontribuon stabilitetit të rajonit

Zëri: A e përkrahni idenë e presidentëve, Thaçi e Vuçiq, për korrigjim të kufijve në mes të dyja vendeve, duke marrë parasysh edhe deklaratat e ndryshme për shkëmbim të territoreve?

Sholtes: Keni të drejtë, ideja për korrigjimin e territoreve ka nxitur reagime jo vetëm në Evropë, por edhe jashtë saj. Siç jeni në dijeni reagimet për këtë çështje kanë qenë të përziera. Dua të ndalem në Raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën, për të cilin unë vetë kam qenë i obliguar t’ua transmetoj: “Shënimet, debatet dhe deklaratat publike në lidhje me ndryshimet e mundshme të territoreve mes Kosovës e Serbisë, duke përfshirë këtu edhe shkëmbimin e territoreve, duke marrë parasysh natyrën homogjene e multietnike të të dyja vendeve, nuk mund të jenë objektiva të regjionit. Duhet të mbështetet dialogu që është bërë i mundur nga BE-ja për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës e Serbisë. Konsiderohet që çdo marrëveshje në mes të të dyja shteteve do të jetë e pranueshme vetëm nëse të dyja palët janë në pajtueshmëri, duke respektuar, mbi të gjitha, stabilitetin në regjion dhe ligjet ndërkombëtare”.

Zëri:  Z. Sholtes, a do të jetë e vështirë arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, e cila nuk do të mundë të aprovohet në Kuvendin e Kosovës dhe si duhet të unifikohet spektri politik në vend për fazën finale të dialogut Prishtinë - Beograd?

Sholtes: Nëse unë do ta kisha përgjigjen për këto pyetje, jam i sigurt se dialogu midis Kosovës e Serbisë do të zgjidhej tashmë. /ZERI