'Nuk ka sinjal për heqjen e vizave'

Aktuale November 12, 2018 - 13:24
Detajet

Taulant Kryeziu, nga instituti “Epik” për "Zërin", ka thënë tashmë është e qartë që këtë vit qytetarët e Kosovës nuk do të mundë të lëvizin lirshëm, ashtu siç është premtuar vazhdimisht nga liderët shtetërorë.
“Është mbyllur tema që qytetarët e Kosovës të mundë të lëvizin sivjet pa viza. Diskursi ka mbetur aty se a kanë për të lëvizur qytetarët sivjet ose jo, ashtu siç kanë thënë liderët shtetërorë? Mbeten edhe 6 hapa që duhet të ndodhin me qëllim që të kalojmë deri te heqja e plotë e vizave për Kosovën, mirëpo asgjë nuk ka lëvizur në këtë drejtim dhe po shihet që vullneti politik nuk është i duhuri momentalisht”, ka thënë Kryeziu për “Zërin”.
Ai ka ritheksuar se skenari më pozitiv do të ishte që të ketë vendimmarrje pa përfunduar ky vit, mirëpo sipas tij, edhe kjo gjë tashmë është vështirësuar pasi nuk ka elemente që e paralajmërojnë një gjë të tillë.

LEXO EDHE: Javët finale për liberalizimin e vizave
Duke folur për trialogun mes Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit ka thënë që pikërisht këto tri institucione janë përcaktuese të heqjes ose jo të vizave për Kosovën.
“Disponimi matet te vendet anëtare se sa po ecën përpara ky dialog ndërinstitucional. E për ta ditur këtë gjë duhet të ketë një marrëveshje të përkohshme joformale, nëse janë dakorduar ose jo shtetet anëtare të BE-së që ta votojnë ose jo heqjen e vizave për Kosovën. Mirëpo nuk po shihet që ka sinjale për një vendim pozitiv dhe jam skeptik nëse edhe vendimmarrja do të ndodhë sivjet”, ka theksuar ai.