PSD-ja fajëson LDK-në e Vetëvendosjen për dështimin e rezolutës

Aktuale November 05, 2018 - 13:18
Lajmet e fundit nga vendi

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Salih Salihu në një prononcim për “Zërin”, për mosmiratimin e rezolutës kundër korrigjimit të kufijve me Serbinë ka fajësuar dy subjektet tjera opozitare, LDK-në dhe Vetëvendosjen. Sipas tij, këto dy parti kanë një lloj josinqeriteti në kundërshtimin ndaj kësaj teme.

“Ato po këmbëngulin vetëm në atë që e kanë propozuar vetë... Duket se janë të interesuara që dialogu me Serbinë të kryhet gjatë këtij mandati”, ka thekuar Salihu.

Deputeti i PSD-së ka thënë se kjo parti ende nuk ka qëndrim të prerë rreth organizmit të protestave.  

“Nuk kemi një qëndrim të prerë si parti nëse duhet të organizojmë protesta ose jo, por personalisht nuk e përjashtoj mundësinë e një proteste të qetë për t’ua bërë me dije se qytetarët janë kundër vazhdimit të bisedimeve në krye me presidentin Thaçi”, është shprehur ai.

LEXO EDHE: Protestat, arma e fundit e opozitës kundër prekjes së kufijve

Salihu më tej ka thënë se protesta e fundit e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje kundër idesë së korrigjimit të kufijve nuk ka pasur ndonjë efekt. “Protesta e kaluar që kishte të njëjtin qëllim nuk pati ndonjë efekt, fare pak u diskutua për të. Pra nuk di sa ka efekt, mirëpo duhet të provohen të gjitha format nëse nuk gjejmë gjuhën e përbashkët. Megjithatë vlerësoj se në Kuvend mund të kryhet kjo punë pa dal në protesta.

Derisa ekziston mundësia që të arrihet pajtimi në Kuvend, atëherë nuk ka nevojë për protesta, por nëse nuk arrihet patjetër se duhet të ketë edhe protesta”, ka deklaruar Salihu. /ZËRI