Haxhiu për opozitën: Kur të doni shkojmë në zgjedhje
Foto: Laura Hasani

Haxhiu për opozitën: Kur të doni shkojmë në zgjedhje

Aktuale May 02, 2024 - 15:13

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, raportin e DASH-it e konsideroi krejtësisht të rregullt, ndërsa tha se është hera e parë që për të diskutohet në një seancë plenare. E në këtë seancë, përveç çështjeve që derivojnë nga raporti i DASH-it, u fol edhe për zgjedhjet e reja.

Sa u përket zgjedhjeve, Haxhiu tha se kur të doni shkojmë në zgjedhje, veç shpërndajeni Kuvendin.

“Kur të doni shkojmë në zgjedhje. Shpërndajeni Kuvendin. Kanë disa mënyra se si shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Shpërndarja e Kuvendit, dorëheqja e kryeministrit dhe rrëzimi i Qeverisë. Rrëzimi nuk mund të bëhet. Qeveria e ka shumicën, dorëheqje s’ka arsye për të bërë, se Qeveria po u shërben interesave të qytetarëve, po vepron në përputhje me zotimet që i kemi dhënë para qytetarëve të Republikës së Kosovës”, deklaroi Haxhiu.

Ndërkaq për raportin e DASH-it, ajo ka thënë se Kosova ende ka probleme me korrupsionin dhe krimin, për faktin se nuk mjafton vetëm puna e Qeverisë. Duhet edhe institucionet e drejtësisë ta kryejnë punën e tyre.

“Përtej raporteve, unë besoj që askush nuk mund të theksojë që nuk ka një përkushtim maksimal të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Po ashtu, besoj pajtohemi që Kosova ende ka probleme me korrupsionin dhe krimin e organizuar për faktin se nuk mjafton vetëm puna e Qeverisë së Republikës së Kosovës, por duhet edhe puna e institucioneve të drejtësisë”, tha ajo.

“Ju kemi njoftuar edhe më herët, se janë mbi 200 lëndë të cilat qeveria ‘Kurti’ i ka dërguar qoftë në Polici ose në Prokurori. Në momentin që e kemi pranuar detyrën si ministra, e kemi pasur për obligim që gjetjet që janë nëpër institucione, t’i adresojmë në Polici ose në Prokurori. Për asnjërën prej këtyre rasteve, të paktën sa unë jam në dijeni, e unë flas me përgjegjësi të plotë për raste që i ka dërguar Ministria e Drejtësisë, nuk ka aktakuzë për personat që ne i kemi kallëzuar”, shtoi Haxhiu.

Ndër të tjera, ajo deklaroi se në qeverinë “Kurti” s’ka ministra të korruptuar. “Siç e dini, kryeministrin Kurti e kemi të pakorruptuar”, tha Haxhiu.