Protestat, arma e fundit e opozitës kundër prekjes së kufijve

Aktuale November 05, 2018 - 08:02
Paralajmërohen protesta kundër korrigjimit kufitar Kosovë-Serbi
Image

Tri subjektet opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, nuk e përjashtojnë mundësinë e organizimit të protestave kundër korrigjimit të kufijve me Serbinë. Megjithëse javën e kaluar dështoi miratimi i një rezolute, e cila do t’ia ndalonte presidentit Hashim Thaçi të dialogonte në Bruksel për kufijtë me Serbinë, opozitarët thonë se ende nuk kanë hequr dorë nga miratimi i një rezolute të tillë. Ndërsa forma tjetër e kundërshtimit të prekjes së kufijve sipas opozitës mbetet protesta. Megjithatë, njohësit e çështjeve politike thonë se efekti i protestave do të varej nga masa e protestuesve, si dhe nga konsistenca në organizmin e protestave, shkruan sot gazeta "Zëri".

LEXO EDHE: Ashpërsohen me BE-në

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka thënë për gazetën “Zëri” se dështimi i rezolutës kundër korrigjimit të kufijve ka qenë i pritur, pasi përfaqësuesit e koalicionit qeverisës e kanë bërë të qartë paraprakisht se nuk do ta votojnë.

Ajo ka thënë se fillimisht duhet të analizohen rezultatet e deritanishme dhe më pas të hartohet lista e kërkesave ndaj Serbisë para se të vazhdohet me fazën finale të dialogut të Brukselit.

 “Ne kemi dalë me qëndrim, kemi menduar që duhet të debatohet rreth një raporti të Qeverisë 38 faqesh rreth sfidave dhe arritjeve të dialogut 2011-2017. Pasi t’i nxjerrim përfundimet se a ka sjellë diçka ky dialog të hartohet një listë e kërkesave karshi Serbisë, e cila na ka shumë borxh, të hartohet platforma me parime dhe me qëllime, si dhe të votohet ekipi negociator”, është shprehur Kollçaku. 

Por pas dështimit të kësaj rezolute ajo ka thënë se nëse presidenti Hashim Thaçi nuk ndalet me idenë e tij për ndryshim të kufijve, atëherë opsion mbetet organizimi i protestave si formë e kundërshtimit. Deputetja e Vetëvendosjes ka thënë se kjo parti është duke e thelluar bashkëpunimin me Lidhjen Demokratike të Kosovës në të bërit opozitarizëm.

“Lëvizja Vetëvendosje asnjëherë nuk i përjashton. Në momentin kur ne e vlerësojmë që është e nevojshme të bëhet një protestë do të dalim me qëndrime. E kemi thënë se ajo protestë nuk ka qenë as e para e as e fundit. Ka qenë një protestë, e cila ka treguar disponimin qytetar në shtetin tonë dhe ajo nuk është protesta e fundit. Megjithatë, ne jemi harmonizuar edhe me LDK-në deri më tani dhe fillimisht do të bashkëpunojmë në kuptimin opozitar dhe do të shohim për hapat e mëtutjeshëm”, ka shtuar Kollçaku.

Megjithatë ajo nuk ka qenë në gjendje të flasë për kohën se kur do të organizohet protesta ose nëse do të protestohet para takimit të radhës ndërmjet presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq.

“Ne jemi deklaruar që presidenti nuk ka kompetenca dhe autorizim nga Kuvendi që ta vazhdojë një dialog në këtë format, aq më pak të bisedojë rreth çështjes së kufijve. Pra, ne jemi kundër shkëmbimit të territoreve, prandaj për hapat që do t’i ndërmarrim si opozitë në ditët në vijim me siguri do të informoheni të gjithë, meqë momentalisht nuk kemi vendime të prera”, ka përfunduar nënkryetarja e Vetëvendosjes.  

Hoti: Do të përdoren të gjitha format demokratike kundër ndarjes së Kosovës

Edhe shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, nuk e ka përjashtuar mundësinë e organizmit të protestave kundër korrigjimit të kufijve, pasi kjo nënkupton shkëmbim territoresh.

 “Ideja e shkëmbimit të territoreve është e rrezikshme për Kosovën dhe për rajonin. Kjo ide vetëm Serbisë i shkon përshtati. Si e tillë, kjo ide nuk ka asnjë mbështetje nga asnjë forcë politike. Askush nuk ka mandat të bisedojë me Serbinë për këtë temë. Kushdo që përfshihet në këtë temë duhet të japë përgjegjësi”, ka deklaruar Hoti.

I pyetur se a i sheh LDK-ja protestat si opsion për ta kundërshtuar idenë e presidentit, deputeti i kësaj partie nuk e ka përjashtuar një formë të tillë të kundërshtimit.

  “Të gjitha format demokratike të kundërshtimit do të përdoren për të pamundësuar ndarjen e Kosovës”, është shprehur Hoti.

Ai më tej ka thënë se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për miratimin e kësaj rezolute.  

“Do të kërkojmë që prapë të jetë në rend dite për votim. Është për keqardhje që AAK-ja dhe Nisma duke mos e votuar rezolutën e opozitës nuk kanë guxim të rreshtohen hapur në kundërshtim të kësaj ideje. Në këtë mënyrë, këto dy parti po bëhen pjesëmarrëse në këtë ide të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës”, ka theksuar Hoti.

PSD-ja fajëson LDK-në e Vetëvendosjen për dështimin e rezolutës

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Salih Salihu, për mosmiratimin e rezolutës kundër korrigjimit të kufijve me Serbinë ka fajësuar dy subjektet tjera opozitare, LDK-në dhe Vetëvendosjen. Sipas tij, këto dy parti kanë një lloj josinqeriteti në kundërshtimin ndaj kësaj teme.

“Ato po këmbëngulin vetëm në atë që e kanë propozuar vetë... Duket se janë të interesuara që dialogu me Serbinë të kryhet gjatë këtij mandati”, ka thekuar Salihu.

Deputeti i PSD-së ka thënë se kjo parti ende nuk ka qëndrim të prerë rreth organizmit të protestave.

 “Nuk kemi një qëndrim të prerë si parti nëse duhet të organizojmë protesta ose jo, por personalisht nuk e përjashtoj mundësinë e një proteste të qetë për t’ua bërë me dije se qytetarët janë kundër vazhdimit të bisedimeve në krye me presidentin Thaçi”, është shprehur ai.

Salihu më tej ka thënë se protesta e fundit e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje kundër idesë së korrigjimit të kufijve nuk ka pasur ndonjë efekt. “Protesta e kaluar që kishte të njëjtin qëllim nuk pati ndonjë efekt, fare pak u diskutua për të. Pra nuk di sa ka efekt, mirëpo duhet të provohen të gjitha format nëse nuk gjejmë gjuhën e përbashkët. Megjithatë vlerësoj se në Kuvend mund të kryhet kjo punë pa dal në protesta. Derisa ekziston mundësia që të arrihet pajtimi në Kuvend, atëherë nuk ka nevojë për protesta, por nëse nuk arrihet patjetër se duhet të ketë edhe protesta”, ka deklaruar Salihu.

Ndikimi i protestës kundër prekjes së kufijve varet nga masa e protestuesve

Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se është për të ardhur keq për faktin që partitë politike në Kuvend nuk po arrijnë të artikulojnë një qëndrim të përbashkët lidhur me kërkesat dhe me vijat e kuqe të Kosovës në fazën e re të dialogut me Serbinë. Megjithatë ajo thotë se ekziston mundësia që një rezolutë e tillë të miratohet në të ardhmen.

“Por, edhe pse një rezolutë lidhur me këtë çështje nuk u miratua javën e kaluar nuk do të thotë se nuk ka gjasa që një e tillë të miratohet në të ardhmen. Si partive në pushtet, ashtu edhe në opozitë u duhet vetëm edhe një numër i vogël i votave nga kampi reciprok për miratim. Megjithatë do të ishte mirë që tekstet e prezantuara deri më tani, të cilat duket se kanë elemente të ngjashme, të bashkërendohen në një projektrezolutë të përbashkët, në mënyrë që spektri politik të jetë më unik në këtë fazë shumë të rëndësishme të dialogut”, ka vlerësuar Haxholli.

Sipas saj, protestat mund të jenë opsion nëse partitë vlerësojnë se kundërshtimi në Kuvend është i pamjaftueshëm.

 “Po protestat mund të jenë një nga opsionet nëse partitë politike konsiderojnë se veprimet e tyre në Kuvend nuk janë të mjaftueshme për të ushtruar ndikimin e tyre në këtë proces. Se sa ato mund të ndikojnë në ndaljen e presidentit për të mos vazhduar më tutje me idenë e korrigjimit të kufijve ajo varet pastaj nga masa e protestuesve, nga konsistenca e organizimit e nga faktorë të tjerë ndikimi i të cilëve është vështirë për t’u vlerësuar paraprakisht”, ka shtuar Haxholli. /ZERI