Opozita paralajmëron ndaljen e Thaçit

Aktuale October 27, 2018 - 16:12
Lexoni lajmet e fundit nga vendi, rajoni dhe bota

Spektri politik në Kosovë po vazhdon të mos bjerë në ujdi rreth procesit të dialogut Kosovë - Serbi, ndonëse tash e katër muaj ka nisur zyrtarisht etapa përmbyllëse e këtij procesi. Përpos opozitës, e cila në vazhdimësi po e kundërshton mënyrën se si është duke vajtur dialogu, as kryeministri Ramush Haradinaj e as kryeparlamentari Kadri Veseli nuk po ia dalin ta gjejnë një gjuhë të përbashkët me presidentin Hashim Thaçi, i cili është duke e përfaqësuar Kosovën në negociatat me Serbinë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në anën tjetër deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka thënë se asnjë personi nuk duhet t’i lejohet që të negociojë me kufijtë e Kosovës. Siç ajo është shprehur, LDK-ja do të kërkojë sërish seancë për rezolutën e dialogut Kosovë - Serbi gjatë muajit që vjen, në mënyrë që kreu i shtetit Hashim Thaçi t’i ndalë “aventurat” e tij rreth dialogut dhe kufijve.

“Ne i kemi marrë disa aksione, duke pasur parasysh seancën që kemi kërkuar për rezolutë dhe të njëjtën do ta riaktualizojmë tash. Shpresojmë që në nëntor do të kërkojmë prapë ta mbajmë një seancë dhe ta nxjerrim një rezolutë, sepse presidenti duhet të jetë i vetëdijshëm që Kushtetuta nuk e lejon një gjë të tillë”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

LEXO EDHE: Konsensusi, zgjidhja e vetme

Pavarësisht kësaj, deputetja e LDK-së nuk shpreson se spektri politik në Kosovë do ta gjejë një gjuhë të përbashkët rreth çështjes së negociatave me Serbinë.

“Nuk kam shpresa që do të arrihet konsensus, edhe pse të gjitha partitë politike, duke përfshirë edhe ato në mazhorancë, edhe ato në opozitë, janë kundër këtyre veprimeve të presidentit”, ka potencuar ajo.

Andaj sipas Gaxherrit, zgjidhja e vetme për të dalë nga ky “qorrsokak” është shkuarja e vendit drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Ndërkohë, situatën në të cilën ndodhet vendi aktualisht deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Ismajl Kurteshi, e ka cilësuar si tejet të dëmshme për shtetin e Kosovës. Konsensusi rreth dialogut, siç Kurteshi është shprehur, nuk po arrihet për arsye “të tekeve” të presidentit dhe të qasjes të pasinqertë të disa subjekteve politike.  Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se duhet tentuar që të tejkalohet një situatë e tillë.

  “Megjithatë subjektet politike shqiptare janë deklaruar që nuk e lejojnë dialogun për ndryshim të territoreve, por presidenti po insiston që ta realizojë një projekt i cili është projekt i Serbisë, nuk është projekt yni. Konsideroj që duhet bërë përpjekje maksimale të tejkalohet kjo sfidë”, ka theksuar ai.

Në këtë drejtim, Kurteshi ka bërë të ditur se LVV-ja ka kërkuar që rezoluta, e cila parasheh që presidentit t’i ndalohet që të bisedojë për territore, të vijë edhe një herë në Kuvend. /ZERI