Konsensusi, zgjidhja e vetme

Aktuale October 27, 2018 - 07:51
Detajet
Image

Spektri politik në Kosovë po vazhdon të mos bjerë në ujdi rreth procesit të dialogut Kosovë - Serbi, ndonëse tash e katër muaj ka nisur zyrtarisht etapa përmbyllëse e këtij procesi. Përpos opozitës, e cila në vazhdimësi po e kundërshton mënyrën se si është duke vajtur dialogu, as kryeministri Ramush Haradinaj e as kryeparlamentari Kadri Veseli nuk po ia dalin ta gjejnë një gjuhë të përbashkët me presidentin Hashim Thaçi, i cili është duke e përfaqësuar Kosovën në negociatat me Serbinë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Përkundrazi, ndonëse kreu i shtetit po pretendon të arrijë korrigjim të kufirit Kosovë - Serbi, shefi i Qeverisë sërish ka deklaruar dje se askush nuk guxon të flasë mbi çështjen e kufijve.

Prandaj e vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo situatë sipas njohësve të rrethanave politike mbetet arritja e një konsensusi mes partive e institucioneve të Kosovës. Pavarësisht kësaj, zyrtarë nga opozita mbeten skeptikë nëse mund të arrihet një dakordim i gjerë rreth bisedimeve me Serbinë. Ndaj sipas tyre, zgjidhja e vetme për të dalë nga ky “qorrsokak” mbeten zgjedhjet e parakohshme.

Haradinaj: Askush s’guxon të flasë për kufijtë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, edhe një herë gjatë së premtes ka ritheksuar se nuk duhet të diskutohet për çështjen e kufijve. “E kemi bërë të qartë që askush nuk guxon të flasë për diçka që nuk bën, siç janë kufijtë”, ka deklaruar Haradinaj.

Me këtë rast shefi i Qeverisë së Kosovës ka thënë se duhet të miratohet një rezolutë mbi këtë proces dhe më tej të kompletohet edhe një ekip negociator.

Ndërkaq, ende nuk dihet se kur saktësisht do të mbahet takimi i radhës në Bruksel. Porse të dy presidentët që janë kryenegociatorë të dialogut, ai i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq, janë ftuar tashmë nga presidenti i Francës, Emanuel Macron, në një ceremoni që pritet të mbahet më 11 nëntor, me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Armëpushimit, që i dha fund Luftës së Parë Botërore. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë burrështetas nga vende të ndryshme të botës. Por ndonëse është përfolur në medie se në Paris do të ketë takim mes Thaçit e Vuçiqit ku do të diskutohet për korrigjim të kufirit, kreu i shtetit të Kosovës e ka mohuar gjatë ditës së djeshme një gjë të tillë.

“Mund t’ju them që atje nuk do të ketë dialog Kosovë - Serbi, por do të ketë afirmim të vendit, Kosovës”, ka potencuar ai.

Opozita paralajmëron ndaljen e Thaçit

Në anën tjetër deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka thënë se asnjë personi nuk duhet t’i lejohet që të negociojë me kufijtë e Kosovës. Siç ajo është shprehur, LDK-ja do të kërkojë sërish seancë për rezolutën e dialogut Kosovë - Serbi gjatë muajit që vjen, në mënyrë që kreu i shtetit Hashim Thaçi t’i ndalë “aventurat” e tij rreth dialogut dhe kufijve. “Ne i kemi marrë disa aksione, duke pasur parasysh seancën që kemi kërkuar për rezolutë dhe të njëjtën do ta riaktualizojmë tash. Shpresojmë që në nëntor do të kërkojmë prapë ta mbajmë një seancë dhe ta nxjerrim një rezolutë, sepse presidenti duhet të jetë i vetëdijshëm që Kushtetuta nuk e lejon një gjë të tillë”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Pavarësisht kësaj, deputetja e LDK-së nuk shpreson se spektri politik në Kosovë do ta gjejë një gjuhë të përbashkët rreth çështjes së negociatave me Serbinë. “Nuk kam shpresa që do të arrihet konsensus, edhe pse të gjitha partitë politike, duke përfshirë edhe ato në mazhorancë, edhe ato në opozitë, janë kundër këtyre veprimeve të presidentit”, ka potencuar ajo.

Andaj sipas Gaxherrit, zgjidhja e vetme për të dalë nga ky “qorrsokak” është shkuarja e vendit drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Ndërkohë, situatën në të cilën ndodhet vendi aktualisht deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Ismajl Kurteshi, e ka cilësuar si tejet të dëmshme për shtetin e Kosovës. Konsensusi rreth dialogut, siç Kurteshi është shprehur, nuk po arrihet për arsye “të tekeve” të presidentit dhe të qasjes të pasinqertë të disa subjekteve politike.  Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se duhet tentuar që të tejkalohet një situatë e tillë.  “Megjithatë subjektet politike shqiptare janë deklaruar që nuk e lejojnë dialogun për ndryshim të territoreve, por presidenti po insiston që ta realizojë një projekt i cili është projekt i Serbisë, nuk është projekt yni. Konsideroj që duhet bërë përpjekje maksimale të tejkalohet kjo sfidë”, ka theksuar ai.

Në këtë drejtim, Kurteshi ka bërë të ditur se LVV-ja ka kërkuar që rezoluta, e cila parasheh që presidentit t’i ndalohet që të bisedojë për territore, të vijë edhe një herë në Kuvend.

Pozita, e shqetësuar për mosarritjen e konsensusit

Ndërkaq teksa ka folur rreth mosdakordimit të spektrit politik rreth dialogut deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, ka vlerësuar se vendi ndodhet në një gjendje jashtëzakonisht të keqe. “Sinqerisht, si deputete jam tepër e shqetësuar me këto qëndrime të subjekteve politike. Nëse ato nuk janë në gjendje që të koordinohen për të dialoguar me një kundërshtar që kemi pasur edhe luftë me të, nuk di se çka mendojnë”, ka deklaruar ajo.

Megjithëkëtë, Hadërgjonaj i ka faturuar poenë pozitivë PDK-së në këtë drejtim. Sipas saj, drejtues të këtij subjekti janë duke u munduar që ta bashkojnë spektrin politik rreth dialogut. “Vlerësoj shumë politikën që po e bën kryetari i partisë Veseli për ta unifikuar faktorin shqiptar në drejtim të unifikimit të qëndrimeve dhe krijimit të një platforme dialoguese që mbron territorin e shtetit të Kosovës dhe të zgjidhen njëherë e përgjithmonë konfliktet me shtetin serb”, është shprehur ajo.

Pamundësia për ta përjashtuar presidentin nga procesi

Kurse njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, ka konsideruar se mesazhi për partitë politike tashmë është bërë i qartë, veçmas pas vizitës së bërë në Kosovë para pak ditësh nga zëvendësndihmëssekretari i Shtetit Amerikan, Matthew Palmer. “Mesazhi është që megjithatë duhet të arrihet një konsensus dhe çështja e dialogut me Serbinë të përmbyllet deri më së largu në gjysmën e vitit të ardhshëm. Kështu që pavarësisht përplasjeve partiake, inateve, unë besoj që do të detyrohen, edhe një pjesë e opozitës, ta mbështesë dialogun në një formë ose në një formë tjetër”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, opozita nuk mund ta ndalë presidentin Thaçi, për shkak se Thaçi e ka përgjegjësinë e tij si president. “As zgjedhjet e reja nuk mund ta ndalin Hashim Thaçin, për shkak se kjo mund të shkojë madje edhe në favor të tij, duke pasur parasysh edhe kohëzgjatjen derisa të formohen institucionet e reja. Kështu, e vetmja zgjidhje mbetet që pushteti e opozita ta arrijnë njëfarë konsensusi rreth një ekipi negociator, që të negociojnë me Serbinë, ndërkohë që presidenti Thaçi ta vërë nënshkrimin në atë marrëveshje që arrihet. Pra, nuk është e mundur që Thaçi të përjashtohet plotësisht nga procesi”, ka theksuar ai.