Baraliu: FSK-ja, e kufizuar në mandatin e saj

Aktuale October 23, 2018 - 11:33
Lajmet e fundit nga vendi

Njohësi i çështjeve kushtetuese Mazllum Baraliu për “Zërin” ka thënë që duhet të bëhet e qartë se forma e cila është zgjedhur për transformimin e FSK-së në ushtri nuk është forma e duhur, pasi kjo nuk do ta ndryshojë emrin e saj.

“Këto tri ligje janë alternativa ‘B’ e planifikimit nga ana e Qeverisë dhe e institucioneve të vendit për ta transformuar FSK-në, e cila nuk do të ndërrojë emër, gjë që nuk mund të quhet transformim. Ky është një lloj fuqizimi i kompetencave dhe i mandatit të FSK-së, është një hap i mirë, por jo i duhur dhe i vonuar sepse ne që nga viti 2013 kemi pasur të gatshme funksionalisht FSK-në të tillë për t’u shndërruar në ushtri, sepse pikërisht NATO-ja atëherë e ka shpallur FSK-në si të gatshme në pikëpamjen operative dhe funksionale që të bëhet ushtri”, ka thënë ai.
Sipas tij, përmes këtyre projektligjeve për ushtrinë FSK-ja mbetet e kufizuar në mandatin e saj, shkruan tutje "Zëri". 

LEXO EDHE: Kundërshtimet e BE-së për ushtrinë

“Lëshimet dhe mangësitë tona, si dhe mosefikasiteti i subjekteve politike përgjatë viteve ka shkaktuar vonesa, të cilat janë të dëmshme për këtë proces. Tani ne kemi një hap para për ushtrinë, por jo hapin e duhur sepse FSK-ja ende është e limituar në veprim dhe për nga definicioni e mandati nuk është një ushtri ende”, ka thënë ai.
Tutje, Baraliu ka thënë që FSK-ja ka përgatitjen e nevojshme që edhe përmes Kushtetutës së Kosovës të transformohet në ushtri. 

“FSK-ja, e cila është trajnuar vazhdimisht nga ekspertët e NATO-s, prandaj sikur të kishte një transformim kushtetues që do t’ia mundësonte FSK-së t’i ushtronte funksionet e saj operative, ajo do të ishte sikurse edhe të gjitha ushtritë e tjera të NATO-s”, ka thënë ai duke shtuar se “edhe NATO-ja, edhe bashkësia ndërkombëtare janë këmbëngulëse që transformimi i FSK-së të ndodhë vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese dhe vetëm me një dialog e pëlqim të të gjithëve, pra edhe të komuniteteve pakicë”./ZERI