Kundërshtimet e BE-së për ushtrinë

Aktuale October 23, 2018 - 08:08
Lajmet e fundit nga vendi
Image

Zyrtarë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë i kanë thënë gazetës “Zëri” se transformimi i FSK-së duhet të bëhet vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe po ashtu duke i marrë parasysh shqetësimet e të gjitha komuniteteve në vend. Parlamenti javën e kaluar i ka miratuar në parim tri projektligjet për transformimin e FSK-së, të cilat i kanë kundërshtuar vetëm deputetët e Listës Serbe, shkruan sot gazeta "Zëri".
Bashkimi Evropian po kërkon që transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe duke marrë parasysh interesat e shqetësimet e të gjitha komuniteteve në vend dhe jo siç ka kaluar në leximin e parë në Kuvend pa pëlqimin e Listës Serbe.

Zyrtarë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë i kanë deklaruar gazetës “Zëri” se mbështesin një proces gjithëpërfshirës, i cili çon në miratimin e legjislacionit për transformimin e FSK-së.

LEXO EDHE: Pacolli, i bindur për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

"BE-ja mbetet plotësisht e angazhuar për zhvillimin dhe për prosperitetin e Kosovës si pjesë integrale e agjendës së saj për Ballkanin Perëndimor. BE-ja ka kërkuar gjithmonë një proces gjithëpërfshirës që çon në miratimin e legjislacionit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe duke marrë parasysh interesat e shqetësimet e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe të gjithë partnerët, entitetet dhe organizatat relevante”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e Zyrës së BE-së për gazetën “Zëri".

Edhe zyrtarë nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë i kanë deklaruar gazetës “Zëri” të premten e kaluar se procesi për transformimin e FSK-së të vazhdojë në një mënyrë gjithëpërfshirëse.

"Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin tranzicionin e disiplinuar dhe transparent të FSK-së në një ushtri profesionale, shumetnike e që është e ndërveprueshme me ushtrinë e NATO-s dhe me mandat të kufizuar të vetëmbrojtjes territoriale. Nxisim udhëheqësit politikë të Kosovës të sigurojnë që procesi të vazhdojë në një mënyrë përfshirëse dhe shumë të kujdesshme, i cili përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës dhe që është e koordinuar ngushtë me aleatët nga NATO-ja”, thuhet në përgjigjen e tyre dhënë "Zërit".

Kuvendi i Kosovës javën e kaluar i ka miratuar në parim tri projektligjet e propozuara nga Qeveria për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Përmes këtyre tri projektligjeve po synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, duke përfshirë edhe përgjegjësi të mbrojtjes, por pa prekur në emrin e saj. Këto projektligje janë mbështetur nga të gjitha grupet parlamentare, përveç deputetëve të Listës Serbe.

Haradinaj: Ushtria do të vazhdojë bashkëpunimin me NATO-n

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dje ka thënë se transformimi i FSK-së në ushtri tregon për një përkushtim të Kosovës ndaj sigurisë ndërkombëtare.

Gjersa mbajti një ligjëratë në Universitetin Amerikan të Kosovës (AUK), Haradinaj tha se transformimi i FSK-së do të ndodhë në bashkëpunim të plotë me NATO-n. “Transformimi i FSK-së tregon një rrugë të përkushtimit ndaj sigurisë ndërkombëtare dhe ndaj stabilitetit të sigurisë. Ishte një proces e një vendim që do të na ofrojë drejt rrugës së anëtarësimit në NATO”, deklaroi ai.

Transformimi i FSK-së në ushtri sipas tij ndihmon edhe ekonomikisht Kosovën.

“Prezenca e NATO-s është e mirëseardhur. Alternativa më e mirë për sigurinë kombëtare është transformimi në ushtri. E heq vakuumin e sigurisë në Ballkan, e bën Kosovën nga marrës në dhënës të sigurisë, përmirëson ekonominë tonë. FSK-ja shihet si institucioni më i fortë dhe i trajtuar i Kosovës në gjashtë vjetët e fundit. Profesionalizmi i FSK-së dëshmon se kjo ushtri do të vazhdojë bashkëpunimin me NATO-n”, potencoi kreu i ekzekutivit.
Ai më tej ka thënë se Kosova nuk mund ta mbrojë integritetin e saj territorial pa ushtri. “Ne jemi shtet sovran dhe kemi Kushtetutë. Kosova po e finalizon arkitekturën e sigurisë së Kosovës, po e ndihmojmë regjionin. Pa ushtrinë e Kosovës s’mund ta mbrojmë integritetin territorial e as komunitetet dhe kjo është detyrë jona. Ushtria është shenjë e pjekurisë, e përgjegjësisë”.

Selimi: S’ka mundësi tjetër për ushtrinë
Në anën tjetër deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë për “Zërin” se forma e cila është zgjedhur për transformimin e FSK-së në ushtri ndonëse nuk është më e mira mbetet e vetmja formë e mundshme.

“Ne duhet ta kuptojmë se në cilin proces jemi dhe për ta kuptuar këtë duhet ta dimë që ne momentalisht nuk jemi në procesin e shndërrimit të FSK-së as në ushtri e as në forca të armatosura. Ne jemi në një proces të një ligji të ri për FSK-në, mirëpo kjo momentalisht është forma e vetme me të cilën mund të hidhet një hap përpara”, ka thënë Selimi.
Sipas tij, edhe nëse ky ligj procedohet tutje përsëri duhet të tentohet që ushtria të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.

 “Gjithsesi kjo nuk duhet të jetë fjala e fundit për ushtrinë. Na mbetet që ta shfrytëzojmë mundësinë e vetme e cila na ka ngelur tani për tani, sepse një nga partnerët e koalicionit, pra Lista Serbe mban të drejtën e vetos për ndryshime kushtetuese e në mungesë të ndryshimeve kushtetuese ne si grup parlamentar i kemi mbështetur gjithmonë ndryshimet që vijnë, i kemi mbështetur edhe ndryshimet ligjore që avancojnë rolin e FSK-së në një rol ushtarak ose mbrojtës”, ka thënë Selimi.
Baraliu: FSK-ja, e kufizuar në mandatin e saj
Njohësi i çështjeve kushtetuese Mazllum Baraliu për “Zërin” ka thënë që duhet të bëhet e qartë se forma e cila është zgjedhur për transformimin e FSK-së në ushtri nuk është forma e duhur, pasi kjo nuk do ta ndryshojë emrin e saj.

“Këto tri ligje janë alternativa ‘B’ e planifikimit nga ana e Qeverisë dhe e institucioneve të vendit për ta transformuar FSK-në, e cila nuk do të ndërrojë emër, gjë që nuk mund të quhet transformim. Ky është një lloj fuqizimi i kompetencave dhe i mandatit të FSK-së, është një hap i mirë, por jo i duhur dhe i vonuar sepse ne që nga viti 2013 kemi pasur të gatshme funksionalisht FSK-në të tillë për t’u shndërruar në ushtri, sepse pikërisht NATO-ja atëherë e ka shpallur FSK-në si të gatshme në pikëpamjen operative dhe funksionale që të bëhet ushtri”, ka thënë ai.
Sipas tij, përmes këtyre projektligjeve për ushtrinë FSK-ja mbetet e kufizuar në mandatin e saj.

“Lëshimet dhe mangësitë tona, si dhe mosefikasiteti i subjekteve politike përgjatë viteve ka shkaktuar vonesa, të cilat janë të dëmshme për këtë proces. Tani ne kemi një hap para për ushtrinë, por jo hapin e duhur sepse FSK-ja ende është e limituar në veprim dhe për nga definicioni e mandati nuk është një ushtri ende”, ka thënë ai.
Tutje, Baraliu ka thënë që FSK-ja ka përgatitjen e nevojshme që edhe përmes Kushtetutës së Kosovës të transformohet në ushtri. 

“FSK-ja, e cila është trajnuar vazhdimisht nga ekspertët e NATO-s, prandaj sikur të kishte një transformim kushtetues që do t’ia mundësonte FSK-së t’i ushtronte funksionet e saj operative, ajo do të ishte sikurse edhe të gjitha ushtritë e tjera të NATO-s”, ka thënë ai duke shtuar se “edhe NATO-ja, edhe bashkësia ndërkombëtare janë këmbëngulëse që transformimi i FSK-së të ndodhë vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese dhe vetëm me një dialog e pëlqim të të gjithëve, pra edhe të komuniteteve pakicë”. /ZERI