Pacolli, i bindur për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Aktuale October 23, 2018 - 07:58
Ja çfarë ka thënë ai
Image

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se shpreson që më 20 nëntor Kosova do të anëtarësohet në INTERPOL, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kosova po synon që këtë vit të bëhet përfundimisht pjesë e organizatës më të madhe të policisë ndërkombëtare. Më 20 nëntor në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, që do të mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet të votohet mbi kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL.

LEXO EDHE: Zëvendësministri Cena kërkonte 30 mijë euro ryshfet

Pavarësisht se vitin e kaluar Kosova e kishte tërhequr kërkesën për t’u bërë pjesë e kësaj organizate (nën pretekstin se nuk ishin votat e mjaftueshme), këtë vit përfaqësuesit institucionalë po shprehen të vendosur se nëntori do të sjellë lajm të mirë për Republikën e Kosovës. Sipas tyre, situata këtë vit është shumë më e favorshme për ta përmbyllur këtë çështje.

Pavarësisht kësaj, ish-drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) nga Qeveria e kaluar konsiderojnë se Kosova ka humbur rastin e artë mbi këtë çështje gjatë vitit që shkoi. Ndërkohë, për t’u bërë pjesë e INTERPOL-it Kosovës i duhen votat e 2/3-ve të anëtarëve të pranishëm në Asamblenë e Përgjithshme kur ndodh procesi i votimit.

Bindja për anëtarësim në nëntor dhe tërheqja e vitit të kaluar

Ministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Behgjet Pacolli, është shprehur i bindur se në nëntor Kosova do ta marrë lajmin pozitiv, atë për anëtarësim në organizatën e INTERPOL-it. “Shumë shpresoj dhe do të doja shumë që të ndodhë kjo. Jemi duke u angazhuar pa limite. Jemi përgatitur sinqerisht dhe kemi punuar shumë”, ka deklaruar ai për “Zërin” teksa ka folur rreth kësaj çështjeje.

Pacolli më tej ka thënë se tërheqja e kërkesës për anëtarësim në këtë organizatë nuk ishte bërë me fajin e Qeverisë aktuale, por të Qeverisë së shkuar, të drejtuar nga ish-kryeministri Isa Mustafa.

“Jo për fajin tonë, por sinqerisht ajo Qeveri ka dështuar që t’i kryejë të gjitha përgatitjet për anëtarësim. Ne s’kemi marrë asnjë rezultat, asnjë shkresë, asnjë shënim nuk është lënë nga Qeveria e kaluar sa i përket INTERPOL-it. Dhe kështu me sy të mbyllur ne nuk kemi mundur të shkojmë përpara dhe kemi preferuar të tërhiqemi”, ka potencuar ai.  

Skender Hyseni, ish-ministër i Punëve të Jashtme e gjatë mandatit të kaluar ministër i Punëve të Brendshme, ka konsideruar se tërheqja e kërkesës gjatë vitit të shkuar ka qenë një gabim trashanik i bërë nga ana e Kosovës.

“Ka qenë gabim strategjik tërheqja e aplikacionit vitin e kaluar, sepse Kosova sot do të ishte anëtare e INTERPOL-it. Po të mos e tërhiqte Qeveria e Kosovës aplikacionin Kosova do të votohej patjetër, sepse kanë qenë edhe dy vende të tjera për votim, Palestina dhe Ishujt Solomon dhe ky ka qenë edhe shansi për Kosovën. Sepse një numër i vendeve që e kanë votuar Palestinën dhe Ishujt Solomon nuk do të mundë të votonin për ato vende dhe të mos votonin edhe për Kosovën”, ka theksuar ai.

E meqë këtë herë në Emiratet e Bashkuara do të dalë vetëm një aplikacion në votim, ai i Kosovës, Hyseni është shprehur skeptik nëse një gjë e tillë do të përmbyllet suksesshëm.

“Duke pasur parasysh lobimin e ashpër të Federatës Ruse, kam frikë që nuk do të shkojë puna si duhet pavarësisht dëshirës sime të madhe, sepse do të më gëzonte shumë fakti po që se Kosova do të votohej për anëtarësim në INTERPOL. Është lëshuar një shans i artë në vitin e kaluar, për fat të keq ka qenë një vlerësim krejtësisht shkurtpamës, jovizionar i Qeverisë që e ka tërhequr aplikacionin. Prandaj, mbetet të shohim”, ka theksuar ai.

Rrjedhimisht, siç ai është shprehur, çështja është shumë më e komplikuar sesa që po interpretohet nga institucionet, veçmas nga MPJ-ja dhe MPB-ja. 

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj, ka thënë se gjasat janë reale që Kosova të anëtarësohet këtë vit në INTERPOL.

“Mendoj që jemi në një situatë shumë më të favorshme tani sesa që kemi qenë herën e kaluar për shkak se është bërë punë shumë më shumë me vendet anëtare që janë pjesë e INTERPOL-it dhe besoj që në fund të nëntorit do të jemi anëtarë të INTERPOL-it”, ka deklaruar ai.

Por dështimi i mundshëm i anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, sipas Xhemajlajt, do të paraqiste një lajm tejet negativ për Kosovën.

“Do të ishte një lajm i keq për Kosovën, por edhe për shtetet që po kërkojnë shumë më shumë ngritjen e nivelit të sigurisë, sepse pa qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare nuk mund të importojmë siguri jashtë. Nuk mund ta ngrehim më tutje nivelin e sigurisë në raport me vendet e tjera edhe evropiane, edhe ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, edhe zëvendëskryetari i parë i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, Rexhep Selimi, është shprehur optimist se anëtarësimi në INTERPOL do të ndodhë këtë vit.

“Rruga e Kosovës drejt INTERPOL-it duket që është në drejtimin e duhur. Presim që Kosova të jetë pjesë e INTERPOL-it. Opozita po jep kontributin maksimal që Kosova të angazhohet në INTERPOL. Unë personalisht jam pjesë e grupit punues për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Normalisht nuk e kemi proklamuar shumë, por e kemi dhënë kontributin tonë”, ka deklaruar ai.

Sipas Selimit, pos që Kosova përfiton nga INTERPOL-i, edhe kjo organizatë ndërkombëtare përfiton dukshëm nga anëtarësimi i Kosovës. /ZERI

 

Në rast të dështimit në INTERPOL përgjegjësia bie mbi institucionet

 

 

Plator Avdiu, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka konsideruar se në krahasim me vitet e kaluara këtë herë procesi në fjalë është udhëhequr më mirë dhe më me seriozitet nga institucionet e Kosovës. “Kjo për shkak se është kuptuar rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL për bashkëpunim ndërkombëtar policor ndërmjet Kosovës me INTERPOL-in dhe me shtetet anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare”, ka pohuar ai.

Andaj, sipas Avdiut, gjasat për anëtarësim në INTERPOL janë shumë më pozitive dhe më të mira këtë herë sesa në vitet e kaluara. Kjo pasi, siç ai është shprehur, institucionet shtetërore kanë mësuar nga gabimet e mëparshme dhe është vënë si prioritet anëtarësimi në INTERPOL. “Për më tepër që sukseset e Kosovës në luftën kundër krimeve trans-nacionale, duke përfshirë luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, migrimit etj., të shërbejnë si argumente të fuqishme profesionale për anëtarësim dhe për nevojën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor të Policisë së Kosovës me INTERPOL-in”, ka nënvizuar ai.

E në rast se çështja e INTERPOL-it nuk finalizohet në nëntor, sipas profesorit të së drejtës ndërkombëtare Afrim Hotit, përgjegjësia bie kryekëput mbi institucionet e vendit. “Mendoj që është një shans i mirë për ta marrë statusin e anëtarit të INTERPOL-it. Kemi pasur kohë të mjaftueshme; unë dua të besoj që kemi bërë punë, kemi kryer obligime. Nëse eventualisht nuk mund ta marrim statusin, atëherë sigurisht dihet që përgjegjësia bie mbi institucionet tona që e kanë neglizhuar, kanë qenë të pakujdesshme”, është shprehur ai.

Sipas tij, Kosova ka kohë që të lobojë dhe t’i bindë shtetet anëtare deri në momentin kur bëhet votimi.