Ideja e Thaçit për kufij s`ka as përkrahje vendore, as ndërkombëtare

Aktuale October 19, 2018 - 09:14
Lajmet e fundit nga vendi

Pos që ka mbetur pa mbështetje vendore, presidenti Thaçi tashmë nuk e ka as mbështetjen ndërkombëtare mbi idenë e tij lidhur me çështjen e kufijve, shkruan sot gazeta "Zëri".

Gjersa ka folur rreth kësaj Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), në kuadër të projektit për dialog, ka konsideruar se ideja e presidentit për korrigjim të kufirit me Serbinë tashmë ka vdekur dhe është joekzistuese. “Gjasat për realizimin e kësaj ideje nuk janë thjesht të vogla, janë inekzistente, duke qenë se nuk ka përkrahje as vendore e as ndërkombëtare dhe edhe po të kishte përkrahje vendore faktori kryesor është faktori ndërkombëtar, i cili shihet se ka një kundërshtim të madh për këtë çështje”, ka deklaruar ai.

LEXO EDHE: Ideja e Thaçit për korrigjim të kufirit, drejt dështimit

E ndonëse presidenti në vazhdimësi ka përmendur korrigjimin e kufijve, sipas Cakollit, ai asnjëherë nuk e ka saktësuar se çka nënkupton konkretisht ky korrigjim i kufijve. “Që nga fillimi i të ashtuquajturës faza finale e dialogut mes Kosovës e Serbisë kemi pasur një deklarim të hapur të presidentit që mënyra më e mirë për përfundimin e konfliktit shumëvjeçar mes Kosovës e Serbisë është mundësia e korrigjimit të kufijve, por pa qenë i qartë se çka do të thotë me të vërtetë korrigjimi”, ka potencuar ai.