Ideja e Thaçit për korrigjim të kufirit, drejt dështimit

Aktuale October 19, 2018 - 07:56
Lajmet e fundit nga vendi
Image

Ndonëse ideja e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit me Serbinë po vazhdon të mos mbështetet nga asnjë subjekt politik në Kosovë, nga asnjë institucion tjetër vendor dhe as nga bashkësia ndërkombëtare, kreu i shtetit nuk po heq dorë nga një ide e tillë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Përkundrazi, edhe gjatë ditës së djeshme ka ripërsëritur se në kuadër të fazës finale të negociatave Kosovë - Serbi do të ketë korrigjim të kufirit mes dy vendeve dhe bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën. Pavarësisht kësaj, monitoruesit e procesit të dialogut vlerësojnë se një ide e tillë e të parit të shtetit tashmë është duke shkuar drejt dështimit.

LEXO EDHE: Niset ushtria

Në anën tjetër, edhe përfaqësuesit e opozitës, por edhe ata që janë pjesë e partive në pushtet e konsiderojnë të papranueshëm këtë opsion mbi lëvizjen e  kufijve. Sipas tyre, idetë për ndryshim kufijsh janë ide të Serbisë, prandaj Kosova duhet ta ruajë medoemos sovranitetin dhe tërësinë e vet territoriale.

Mostërheqja e Thaçit

Pavarësisht kritikave në drejtim të tij, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk po zmbrapset nga ideja e tij për korrigjim të kufirit me Serbinë. Përkundrazi, nga një ide e tillë kreu i shtetit do të hiqte dorë vetëm nëse, siç ai është shprehur, skeptikët do të kishin ide më të mençura për t’ia siguruar Kosovës njohjen nga pesë vendet e BE-së, të cilat ende nuk e pranojnë shtetësinë e Kosovës. 

Korrigjimi i kufirit Kosovë - Serbi sipas presidentit Thaçi do të bëhet për të ardhmen e sigurt të kufijve. Gjatë ditës së djeshme ai ka potencuar edhe një herë se në kuadër të fazës përmbyllëse të dialogut do të hyjë edhe bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën.

“Kosova nuk guxon ta bojkotojë dialogun me Serbinë, sepse nuk guxon të marrë përgjegjësi para partnerëve për bllokadë. Ky korrigjim historik do të bëhet për të ardhmen e sigurt të kufijve. E di se ka pasur debate dhe sugjerime, ju falënderoj edhe për kritika, kanë qenë shumë të mirëseardhura. Bashkimi do të bëhet gjithmonë duke ruajtur arritjen e një marrëveshjeje që do ta bashkonte Luginën me Kosovën, gjithmonë duke ruajtur Ujmanin, Mitrovicën e ‘Trepçën’”, ka thënë Thaçi.

Pozitë e opozitë, kundër Thaçit

Në anën tjetër kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, ka vlerësuar se ideja për lëvizjen e kufijve nuk është e presidentit, porse e Republikës së Serbisë.

“Shkëmbimi i kufijve është një temë e kamotshme e Serbisë dhe e Rusisë. Nuk është e presidentit Thaçi. Kemi të bëjmë me një lojë, të cilën tenton ta luajë Serbia përmes kufijve, por Kosova nuk duhet të pranojë të krijojë ndonjë precedent nga rasti i vet për asnjë konflikt tjetër. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran”, ka deklaruar ai gjatë një interviste për “Deutsche Welle” (DW).

Sipas tij, Kosova do ta ruajë tërësinë e vet territoriale, sovranitetin e vet dhe të mos lejojë as Asociacion të Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive.

Pos tij, idenë e presidentit tashmë e kanë kundërshtuar edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj. Po ashtu me veprimet e kreut të shtetit në kuadër të fazës përmbyllëse tash e disa muaj po vazhdojnë të mos pajtohen as subjektet opozitare.

Deputetja e LDK-së, Lirije Kajtazi, ka thënë se Kosova nuk duhet ta trazojë rajonin me ide të tilla siç është korrigjimi i kufirit me Serbinë.

“Sa më shpejt që varroset kjo ide është më mirë. Duhet ta dijë edhe presidenti Thaçi që kemi përgjegjësi edhe për rajonin. Sikurse na është përgjigjur rajoni dhe aleanca e NATO-s në rrethanat e rënda të luftës, presidenti duhet ta kuptojë që edhe ne duhet t’u përgjigjemi kërkesave të tyre, që të mos e trazojmë rajonin dhe botën”, ka deklaruar ajo. 

Sipas Kajtazit, me veprimet e fundit dhe me idenë e tij për korrigjim të kufirit presidenti Thaçi ka shkelur mbi kompetencat e veta që ia përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës. 

Ndërkaq deputetja e PSD-së, Besa Baftiu, ka konsideruar se ideja e presidentit tashmë është duke shkuar drejt dështimit. “Nuk po përkrahet nga asnjë subjekt politik, madje as nga ish-subjekti i tij, ku ka qenë udhëheqës edhe vetë ai”, ka deklaruar ajo.

Sipas Baftiut, për fazën finale të negociatave me Serbinë duhet të krijohet një platformë dhe pastaj të caktohet ekipi negociator.

“Ne kemi dhënë një propozim, kemi pasur një debat parlamentar, është rezoluta që ka mbetur pa u votuar. Shumë qartë e thotë që dialogu duhet t’i kthehet Kuvendit, që Kuvendi duhet ta miratojë një platformë të dialogut me 2/3, Kuvendi duhet ta përcaktojë ekipin negociator me 2/3, të formohet një komision i cili e vlerëson punën e delegacionit dhe në këtë mënyrë çdo marrëveshje që arrihet me Serbinë të vijë në Kuvend dhe të votohet me 2/3-at”, ka theksuar ajo.

As përkrahje vendore, as ndërkombëtare

Pos që ka mbetur pa mbështetje vendore, presidenti Thaçi tashmë nuk e ka as mbështetjen ndërkombëtare mbi idenë e tij lidhur me çështjen e kufijve.

Gjersa ka folur rreth kësaj Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), në kuadër të projektit për dialog, ka konsideruar se ideja e presidentit për korrigjim të kufirit me Serbinë tashmë ka vdekur dhe është joekzistuese.

“Gjasat për realizimin e kësaj ideje nuk janë thjesht të vogla, janë inekzistente, duke qenë se nuk ka përkrahje as vendore e as ndërkombëtare dhe edhe po të kishte përkrahje vendore faktori kryesor është faktori ndërkombëtar, i cili shihet se ka një kundërshtim të madh për këtë çështje”, ka deklaruar ai.

E ndonëse presidenti në vazhdimësi ka përmendur korrigjimin e kufijve, sipas Cakollit, ai asnjëherë nuk e ka saktësuar se çka nënkupton konkretisht ky korrigjim i kufijve.

“Që nga fillimi i të ashtuquajturës faza finale e dialogut mes Kosovës e Serbisë kemi pasur një deklarim të hapur të presidentit që mënyra më e mirë për përfundimin e konfliktit shumëvjeçar mes Kosovës e Serbisë është mundësia e korrigjimit të kufijve, por pa qenë i qartë se çka do të thotë me të vërtetë korrigjimi”, ka potencuar ai. /ZERI