Maqedonci në ministerialin e CEDC-së kërkon përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO
Foto: Facebook

Maqedonci në ministerialin e CEDC-së kërkon përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO

Aktuale April 26, 2024 - 13:02

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka rikonfirmuar edhe një herë orientimin strategjik të Kosovës për anëtarësimin në BE dhe NATO, gjatë pjesëmarrjes së tij në ministerialin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore (Central European Defense Cooperation, CEDC) dhe vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor (WB), që u zhvillua në Budapest të Hungarisë.

Maqedonci, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, u shpreh se ka kërkuar përkrahjen e vendeve tjera pjesëmarrëse në këtë format për të mundësuar kontribut më të madh për paqen dhe sigurinë në rajon dhe botë.

“Në adresimin tim ritheksova gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës në luftën e saj të drejtë për ruajtjen e sovranitetit dhe mbrojtjen e integritetit territorial, ndërsa njëkohësisht i informova të pranishmit për kontributin e vendit në mbështetje të Ukrainës, konform kapaciteteve dhe resurseve të vendit tonë”, shkroi Maqedonci.

Derisa Maqedonci në këtë takim ka përmendur edhe sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, i cili tha se përgjegjësit e sulmit vazhdojnë të jenë të lirë dhe të pandëshkuar për aktin e kryer. /Zëri