MPJ dënon dhunën ndaj dy kosovarëve në Serbi

Aktuale October 08, 2018 - 23:49
DETAJET

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka reaguar në lidhje me rastin e sulmit fizik ndaj dy shqiptarëve në Novi Sad të Serbisë.

Pacolli thotë ta ketë marrë me shqetësim të thellë lajmin për sulmin ndaj dy të rinjve shqiptarë në Novi Sad “ku njëri nga të sulmuarit, i cili është Çlirim Kamber Maloku (1999), bashkë me shokun e tij po ashtu 19 vjeçar, është rrahur brutalisht dhe ndodhet në njërin nga spitalet e Novi Sadit dhe po lufton me jetën”.

“Ne si ministri jemi duke bërë përpjekje qoftë direkt, përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, qoftë edhe përmes kanaleve ndërkombëtare, të ndihmojmë në ofrimin e ndihmës për viktimat e këtij rasti, si dhe të ndërhyjmë në zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë”, shkruan Pacolli në Facebook.

Ai thotë se Serbia duhet të heq dorë nga gjuha e urrejtjes e cila ushqen dhunë.

“Ne e dënojmë ashpër këtë akt dhune dhe kërkojmë që autorët të sillen para drejtësisë. Urojmë shërim sa më të shpejtë”, shkroi Pacolli.