'SHBA-ja, përfundimisht kundër idesë së Thaçit'

Aktuale October 01, 2018 - 15:10
Lexo detajet

Violeta Haxholli, hulumtuese nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një prononcim dhënë për gazetën “Zëri” ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kundër ndryshimit të kufijve, prandaj ditëve të fundit është “zbutur” në qëndrimet për kufijtë.

“Nga vizita e presidentit Thaçi në SHBA është vërejtur se ky shtetet përfundimisht i ka thënë jo idesë së presidentit Thaçi për ta bashkuar Kosovën me Luginën ose siç po e quan ai ‘korrigjim të kufirit’. Edhe në deklaratën e tij presidenti ka thënë se SHBA-ja është për një korrigjim të lehtë të kufirit, por nuk është për ndryshim të madh të kufirit Kosovë - Serbi e ideja e presidentit të Kosovës është ndryshim drastik. Dhe kjo lë të kuptojë se SHBA-ja i kanë thënë jo përfundimisht idesë së presidentit për ndryshim të kufirit”, ka thënë Haxholli, duke shtuar se ajo çka do të bëhet në kuadër të dialogut është demarkacioni i kufirit me Serbinë dhe aty do të mundë të bëhet një korrigjim i lehtë i kufirit.

LEXO EDHE: 'Thaçi duhet të ndalet, protestat të vazhdojnë'

Mirëpo Haxholli ka thënë se është e nevojshme që skena politike në Kosovë të ketë qëndrim nacional për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

“Pasi dialogu është në nivel të presidentëve, presidenti Thaçi do të vazhdojë të jetë në krye të tij, por ende ka dallime në mes të qëndrimeve të vet presidentit, të Qeverisë së Kosovës dhe të qëndrimeve të partive opozitare. Pra, Kosova nuk ka një qëndrim nacional karshi procesit të bisedimeve dhe do të ishte mirë që të kishte dakordacë në vija të trasha të palës kosovare”, ka theksuar ajo.