'Thaçi duhet të ndalet, protestat të vazhdojnë'

Aktuale October 01, 2018 - 12:58
Lexo detajet

Haki Abazi, analist politik, ka thënë për “Zërin” që mobilizimi i qytetarëve ditën e shtunë (më 29 shtator) është tregues i qartë që ideja e Thaçit për korrigjim të kufijve nuk duhet vazhduar tutje, pasi është në dëm të vendit. “Mendoj se numri jashtëzakonisht i madh, ndoshta më i madhi që nga paslufta i protestës së qytetarëve, tregon qartazi mesazhin që Thaçi duhet të ndalet dhe pazaret me Kosovën duhen ndaluar. Ne nuk kemi për ta lejuar si qytetarë të na tërheqë ‘zvarrë për hunde’ një njeri, i cili po duket që e ka hallin e vet dhe asgjë tjetër”, ka thënë Abazi. 
Ai ka potencuar që trekëndëshi mes opozitës së vendit, LDK-së, LVV-së, dhe shoqërisë civile është zgjidhja e duhur për vendin.

“Trekëndëshi opozitë, Vetëvendosje e LDK, dhe shoqëri civile ka treguar jo vetëm se është i suksesshëm, por ka dëshmuar edhe se është forma më e mirë që të organizohen qytetarët dhe të dërgohet mesazhi edhe të bashkësia ndërkombëtare, por edhe në Kosovë te secili se demokracia nuk ka vdekur në Kosovë”, ka thënë ai.

LEXO EDHE: Vetëvendosja, ultimatum Thaçit


Sipas Abazit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë e pranishme në protestë nëpërmjet deputetëve, por edhe nëpërmjet përfaqësuesve të degëve të kësaj partie, si dhe simpatizantë të tyre, të cilët i janë bashkangjitur protestës, jo për ta kundërshtuar LDK-në si partinë e vet, por për t’iu përgjigjur mobilizimit të qytetarëve kundër Thaçit.
Tutje ai ka thënë se mobilizimi i qytetarëve do të vazhdojë në secilin qytet të Kosovës, mirëpo protestat do të vazhdojnë me fokus të veçantë në Prishtinë.

“Ky mobilizim do të vazhdojë, qytetarët dhe gjithë njerëzit e përfshirë në këtë proces janë syhapur dhe janë duke përcjellë hap pas hapi zhvillimet të cilat në mënyrë të befasishme Thaçi di të dalë në publik. Pas kthimit nga SHBA-ja, pas mesazheve të Angela Merkelit dhe Theresa Mayt, Thaçi e ka kuptuar përfundimisht se ai nuk ka as përkrahës në Kosovë e as në bashkësinë ndërkombëtare për idetë e çmendura të tij”, ka thënë Abazi. /ZERI