Vetëvendosja, ultimatum Thaçit

Aktuale October 01, 2018 - 08:01
Kjo parti i jep ultimatum Thaçit për këtë gjë
Image

Lëvizja Vetëvendosje planifikon të organizojë protesta edhe më masive sesa e shtunës së kaluar gjatë javëve në vijim nëse presidenti Hashim Thaçi nuk tërhiqet nga ideja e tij për ndarjen e Kosovës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Mijëra qytetarë protestuan më 29 shtator 2018 në protestën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, duke i kundërshtuar politikat e presidentit Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë dhe angazhimet e proklamuara për ndryshimin e kufijve.

Ismajl Kurteshi, deputet i LVV-së, ka thënë dje për “Zërin” se partia e tij do të organizojë përsëri protesta nëse Hashim Thaçi nuk zmbrapset nga iniciativa e tij e fundit. “Shpresojmë që presidenti Thaçi dhe institucionet tjera, duke përfshirë edhe Qeverinë, e kanë kuptuar drejt mesazhin dhe nuk do të ketë nevojë që edhe një herë të organizojmë protesta, por do të ulemi dhe do ta bëjmë një platformë të përbashkët. Nëse ata vazhdojnë me avazin e vjetër ne do të vazhdojmë me protesta”, ka thënë Kurteshi, duke shtuar se “protestat e ardhshme do të jenë edhe më masive”.

LEXO EDHE: Dështon referendumi në Maqedoni


Kurteshi mes tjerash ka thënë që nëse kërkesa e shumicës së qytetarëve të Kosovës nuk plotësohet, atëherë partia e tij do të insistojë edhe në zgjedhje të reja dhe do ta kërkojë edhe dorëheqjen e presidentit.
Ai duke folur për efektin që ka prodhuar protesta e fundit.

 “Me protestën e organizuar nga ne, e cila ka qenë protestë gjithëpopullore, mendoj se janë të kënaqur të gjithë qytetarët, por edhe ne si organizatorë, sepse nga ajo ka dalë një mesazh shumë i qartë që ka dëshmuar se qytetarët e Kosovës nuk do të jenë indiferentë ndaj atyre që kanë guximin të bëjnë pazare me tokat e Kosovës. Kosova nuk i përket një njeriu e as një grupi politik, por është e qytetarëve të Kosovës dhe besoj që këtë mesazh do ta kenë parasysh edhe presidenti, i cili kishte hyrë në një aventurë, e cila për vendin është shumë e dëmshme”, ka thënë ai. 

Ismajli: Të vazhdojnë protestat

Në anën tjetër deputeti i PSD-së, Fisnik Ismajli, i cili ka marrë pjesë në protestën e së shtunës për dallim nga bashkëpartiakët e tij që refuzuan t’i bashkëngjiten Vetëvendosjes në protestë, ka thënë për “Zërin” se protestat e tilla duhet të vazhdojnë derisa të arrihet qëllimi kryesor, përkatësisht stopimi i iniciativës së presidentit Thaçi.

“Kjo protestë duhet të vazhdojë derisa të arrihet qëllimi. Nëse një protestë nuk vazhdon, atëherë nuk ka kuptim ajo. Secila protestë në botë e ka atë synim që protesta duhet ta arrijë një qëllim të caktuar”, ka thënë Ismajli.

Ndërsa i pyetur për efektin e protestës, ai ka thënë ose protestuesit, ose presidenti duhet të lëshojnë pe në fund.

“Nuk varet nga unë, por protesta e vazhdueshme dhe kërkesa e protestës është që të ndalet ajo kërkesë e Thaçit dhe dikush me këtë rast duhet të lëshojë pe, ose lëshojnë pe protestuesit, ose presidenti”, ka thënë tutje ai.

 Osmani: Do ta kundërshtoj zhbërjen e shtetit të Kosovës

Në anën tjetër deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, gjithashtu pjesëmarrëse në protestën e së shtunës, ka thënë se do të vazhdojë me kundërshtimin e zhbërjes së shtetit të Kosovës.

“Sot, nesër dhe çdo ditë tjetër protestoj kundër ndarjes dhe zhbërjes së shtetit të Kosovës,  sepse tendenca për ndarje dhe për ndryshim kufijsh e rrezikon vetëqenësinë e shtetit të Kosovës dhe kur rrezikohet të zhbëhet shteti e kemi detyrim qytetar t’i themi jo. Protestoj sepse shpërblimi i Serbisë me tokë të Kosovës, kur asnjë lider serb nuk ka kërkuar falje për mijëra të vrarë, duke përfshirë shumë fëmijë, shumë të zhdukur, qindra mija shtëpi të shkatërruara e mbi një dekadë të regjimit represiv serb nuk duhet të pranohet”, ka thënë ajo në një status në rrjetin social “Facebook”.
Ndër të tjera ajo ka bërë të ditur edhe që është e gatshme të protestojë çdo ditë nëse është nevoja, sepse “kur shteti është në rrezik nuk duhet të kenë më rëndësi ideologjitë, partitë ose dallimet e tjera. Të gjithë e kemi vetëm një atdhe”.

Abazi: Thaçi duhet të ndalet, protestat të vazhdojnë

Haki Abazi, analist politik, ka thënë për “Zërin” që mobilizimi i qytetarëve ditën e shtunë (më 29 shtator) është tregues i qartë që ideja e Thaçit për korrigjim të kufijve nuk duhet vazhduar tutje, pasi është në dëm të vendit.

“Mendoj se numri jashtëzakonisht i madh, ndoshta më i madhi që nga paslufta i protestës së qytetarëve, tregon qartazi mesazhin që Thaçi duhet të ndalet dhe pazaret me Kosovën duhen ndaluar. Ne nuk kemi për ta lejuar si qytetarë të na tërheqë ‘zvarrë për hunde’ një njeri, i cili po duket që e ka hallin e vet dhe asgjë tjetër”, ka thënë Abazi.
Ai ka potencuar që trekëndëshi mes opozitës së vendit, LDK-së, LVV-së, dhe shoqërisë civile është zgjidhja e duhur për vendin.

“Trekëndëshi opozitë, Vetëvendosje e LDK, dhe shoqëri civile ka treguar jo vetëm se është i suksesshëm, por ka dëshmuar edhe se është forma më e mirë që të organizohen qytetarët dhe të dërgohet mesazhi edhe të bashkësia ndërkombëtare, por edhe në Kosovë te secili se demokracia nuk ka vdekur në Kosovë”, ka thënë ai.
Sipas Abazit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë e pranishme në protestë nëpërmjet deputetëve, por edhe nëpërmjet përfaqësuesve të degëve të kësaj partie, si dhe simpatizantë të tyre, të cilët i janë bashkangjitur protestës, jo për ta kundërshtuar LDK-në si partinë e vet, por për t’iu përgjigjur mobilizimit të qytetarëve kundër Thaçit.
Tutje ai ka thënë se mobilizimi i qytetarëve do të vazhdojë në secilin qytet të Kosovës, mirëpo protestat do të vazhdojnë me fokus të veçantë në Prishtinë.

“Ky mobilizim do të vazhdojë, qytetarët dhe gjithë njerëzit e përfshirë në këtë proces janë syhapur dhe janë duke përcjellë hap pas hapi zhvillimet të cilat në mënyrë të befasishme Thaçi di të dalë në publik. Pas kthimit nga SHBA-ja, pas mesazheve të Angela Merkelit dhe Theresa Mayt, Thaçi e ka kuptuar përfundimisht se ai nuk ka as përkrahës në Kosovë e as në bashkësinë ndërkombëtare për idetë e çmendura të tij”, ka thënë Abazi. /ZERI