Ushtria përmes ligjit, kundërshton SHBA-ja

Aktuale September 14, 2018 - 07:52
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota
Image

Qeveria e Kosovës dje ka votuar tri projektligjet bazë për formimin e ushtrisë, duke anashkaluar kështu kërkesën e miqve ndërkombëtarë që ushtria të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese duke transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka thënë se ky vendim nuk është marrë në koordinim me Ambasadën Amerikane, shkruans ot Gazeta "Zëri. 

Ushtria e Kosovës nuk do të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese. Përkundrazi, Qeveria ka miratuar gjatë ditës së djeshme projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, duke anashkaluar amendamentimin e Kushtetutës për ndryshim të emrit nga FSK-ja në Forca të Armatosura.

LEXO EDHE: Në stacionin e fundit të Evropës

Gjatë mbledhjes së djeshme kabineti qeveritar miratoi tri ligjet bazë për transformim të FSK-së me mision dhe me detyra shtesë: Ligjin për Forcën, Ligjin për Shërbim në Forcë dhe Ligjin për Ministrinë e  Mbrojtjes.

Me këtë rast kryeministri Ramush Haradinaj tha se ky vendim i ndërmarrë është krejtësisht ligjor. Megjithëkëtë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka kundërshtuar fillimisht një gjë të tillë, duke thënë se ushtria nuk mund të bëhet “kokë më vete” pa pasur dakordim me faktorin ndërkombëtar.

Megjithatë, pas pak orësh Thaçi përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka thënë se e mbështet këtë iniciativë.

Për një vendim të tillë të Qeverisë ka reaguar edhe Ambasada e SHBA-së në Kosovës, e cila ka thënë se autoritetet kosovare nuk janë konsultuar fare për këtë çështje.

Pavarësisht kësaj,  të gjitha subjektet politike janë shprehur pro themelimit të ushtrisë. Megjithëkëtë, partitë opozitare kanë kërkuar që transformimi i FSK-së të bëhet me një konsensus të brendshëm politik dhe në dakordim të plotë me faktorin ndërkombëtar.

Haradinaj: Vendimi mbi Projektligjin për Ushtrinë, kompetencë jona

Pas mbledhjes së Qeverisë, ku u votua Projektligji për Shndërrimin e FSK-së në Ushtri, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se një vendim i tillë është krejtësisht ligjor.

I pyetur nëse Kosova e ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për ta bërë ushtrinë aktualisht, kreu i ekzekutivit ka thënë se disa vendime janë të Kosovës.

“Ky është një veprim ligjor në bazë të kompetencave që ka Qeveria në bazë të Kushtetutës së vendit. Çdoherë do të konsultohemi me të gjithë, disa vendime janë tonat, janë të Kosovës, i kemi në kuadër të kompetencave tona. Ne kemi vazhduar konsultat, edhe tash jemi çdoherë në konsultë, vendimi është kompetencë jona, e një vendi sovran, me të drejtat që kemi”, ka thënë Haradinaj.

Ai me këtë rast ka deklaruar se tashmë ka ardhur momenti i duhur për ta ndërmarrë vendimin për votimin e Projektligjin për Ushtrinë. “Ajo që mund t’ju siguroj sot është se Qeveria ka votuar forcën e saj mbrojtëse. Parlamenti e ka pjesën e vet, presidenti nënshkrimin, por Kosova ka ecur në këtë temë. Kosova udhëton me NATO-n qe 20 vjet, por i ka ardhur koha të ndodhë”, ka nënvizuar ai.

Thaçi: Ushtria bëhet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë

Por, me një vendim të tillë nuk është pajtuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Teksa është shprehur kundër vendimit të Haradinajt për të lëvizur drejt bërjes së ushtrisë, kreu i shtetit ka thënë se aktualisht nuk është momenti i duhur për ta bërë një gjë të tillë.

“Tani rrethanat janë ndryshe. Ne kemi filluar tash e një kohë, pas iniciativës sime, bashkë me bashkësinë ndërkombëtare një proces të vetëdijesimit dhe kemi arritur në një fazë shumë të rëndësishme të koordinimit, sepse kur themelohen Forcat e Armatosura të Kosovës duhet të jenë të mirëpritura, një proces i hapur, i sigurt për partneritetin për paqe dhe NATO-n dhe jo ndonjë veprim kokë në vete, i cili lëndon rëndë misionin shumetnik të Forcave të Armatosura të Kosovës”, ka deklaruar Thaçi gjatë një konference të mbajtur dje.

Veprimet e njëanshme sipas Thaçit e çojnë Kosovën drejt izolimit, kurse veprimet e koordinuara, siç ai është shprehur, i hapin rrugë të sigurt lëvizjes kah partneriteti për paqe dhe në NATO.

Megjithatë, pak orë më vonë presidenti përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka thënë se e mbështet këtë iniciativë dhe se derisa të merret vendimi në Kuvend duhet të punohet që të binden skeptikët për formimin të ushtrisë së Kosovës.

SHBA: Autoritetet kosovare nuk janë konsultuar me ne për vendimin

Ndërkohë, pas vendimit të Qeverisë ka reaguar Ambasada e Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Prishtinë, e cila përmes një njoftimi ka thënë se autoritetet e Kosovës nuk i kanë konsultuar lidhur me vendimin për miratimin e pakos së projektligjeve për transformimin e FSK-së.

“Neve nuk na kanë konsultuar për kohën kur është marrë vendimi dhe ne duhet t’i analizojmë projektligjet për të kuptuar qëllimin dhe efektin e tyre. Gjatë javëve të kaluara ne kemi qenë të përqendruar në ndërtimin e një konsensusi të brendshëm për dialogun me Serbinë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Sipas komunikatës së Ambasadës, thuhet se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është hapi më i rëndësishëm për përparim në të ardhmen e afërt.

Koalicioni PAN siguron mbështetjen mbi Projektligjin për Ushtrinë

Pavarësisht këtyre, partitë në koalicion e kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë dhe kanë kërkuar që Projektligji për Ushtrinë të votohet në Kuvendin e Kosovës. “Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë gjithmonë i qartë dhe vazhdon të jetë i tillë. Kosova është vend sovran dhe do ta ketë ushtrinë e saj”, ka deklaruar Enver Hoxhaj, nënkryetar i PDK-së.

Sipas Hoxhajt, Lista Serbe dhe Beogradi nuk mund ta bllokojnë këtë proces në pafundësi.  “Të gjitha partitë politike në Kosovë duhet ta mbështesin këtë ligj, i cili sjell një kapitull të ri, që e bën Kosovën me Forca të Armatosura”, ka nënvizuar ai.

Porse nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se Lista Serbe nuk do ta mbështesë formimin e ushtrisë së Kosovës.

“Formacioni i vetëm ushtarak legal në Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është KFOR-i, i cili në këto hapësira ka ardhur me pajtimin e Republikës së Serbisë, ka pohuar Simiq.

Në anën tjetër, nënkryetari i AAK-së Muharrem Nitaj ka siguruar se Projektligji për Ushtrinë do ta ketë mbështetjen e plotë të këtij subjekti në momentin që shkon në Kuvend. “Pa ushtri jemi hiç. Prandaj vota jonë për ushtrinë është e fortë dhe unike”, ka theksuar Nitaj.

Edhe lideri i Nismës Socialdemokrate, Famir Limaj, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë mbi çështjen e ushtrisë.

“Si Qeveri e Kosovës ne presim që edhe Kuvendi i Kosovës t’i japë dritën jeshile. Miratimi i këtij Projektligji tregon se FSK-ja është e gatshme për t’u shndërruar në ushtri dhe për të kontribuuar për sigurinë në vend, në rajon dhe më gjerë në partneritet të plotë me vendet mike”, ka potencuar ai.

Veliu: Për ushtrinë duhet konsensus dhe dakordim me ndërkombëtarët

E teksa ka folur mbi vendimin e Qeverisë nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se ky subjekt i mbështet të gjitha çështjet që janë në interes të Kosovës.

“Sigurisht që çështjet që janë me rëndësi për Kosovën ne i mbështesim. Por paraprakisht ne diskutojmë në strukturat tona dhe marrim qëndrim. Ne nuk jemi kundër shndërrimit të FSK-së në ushtri në asnjë variant, mirëpo iniciativat e tilla duhet të jenë të koordinuara”, ka theksuar ai për “Zërin”.

Veliu më tej ka thënë se për ushtrinë duhet të arrihet një konsensus i brendshëm dhe një koordinim me ndërkombëtarët.

“Kjo është çështje e ndjeshme që duhet ta ketë një konsensus, por të koordinohet edhe me faktorin ndërkombëtar, sepse roli i tyre ka qenë vendimtar edhe në themelimin e FSK-së, edhe për Kosovën në përgjithësi dhe ne vetëm kemi insistuar që kjo çështje të bëhet si është më së miri në koordinim me të gjithë faktorët e nevojshëm”, ka potencuar ai.

Nagavci: Vendimi i Haradinajt për ushtrinë, tekanjoz

Ndërkaq deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e ka cilësuar si “tekanjoz” vendimin e Qeverisë mbi Projektligjin për Ushtrinë.

“Vendimi i Haradinajt duket se është një vendim tekanjoz, sepse ashtu si ndodhi më 22 dhjetor të vitit të kaluar, kur u tentua të merrej një vendim në raport me Gjykatën Speciale, edhe tani është një vendim i cili ka mundësi të paraqesë sfida pikërisht për shkak të mënyrës sesi është i rregulluar me legjislacion”, ka deklaruar ajo.

Megjithëkëtë, Nagavci ka thënë se LVV-ja është për themelimin e ushtrisë dhe për një gjë të tillë ka qenë edhe në të kaluarën.

“Qëndrimi i LVV-së është për themelimin e ushtrisë, jemi gjithmonë dhe gjithmonë kemi qenë për krijimin e ushtrisë. Mendojmë që Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj, por jemi të interesuar të zgjidhet sa më parë dhe në mënyrë përfundimtare, që të mos kemi situata të cilat mund ta vënë në dilema ose ta shtyjnë edhe për një kohë, ose të sjellin tensione”, ka vënë në pah Nagavci.

Sejdiu: Në parim jemi për themelimin e ushtrisë

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, ka deklaruar se kjo parti është për themelimin e ushtrisë së Kosovës, porse ka thënë nuk mund të flasë më shumë rreth këtij vendimi pa e parë Projektligjin e votuar.

“Nuk e kemi parë Projektligjin. Çdo nismë e cila ka të bëjë me themelimin e ushtrisë së Kosovës është e mirëseardhur dhe është nismë e cila duhet të kalojë në Kuvend, ne këtë ligj nuk e kemi parë. Për të komentuar diçka që nuk e kemi parë është problematike. Por në parim jemi që ky shndërrim dhe ky transformim të ndodhë dhe e njëjta duhet të ndodhë në Kuvend”, ka deklaruar Sejdiu për “Zërin”.

Më tej ai ka thënë se është tejet me rëndësi që Kosova ta ketë ushtrinë e saj. “Duke e pasur parasysh sa e domosdoshme është që Republika e Kosovës të ketë ushtrinë dhe që kapacitetet e ushtrisë t’i plotësojmë edhe në forca të armatosura, është tepër me rëndësi që nismat e tilla të bëhen edhe mirë, edhe mbarë”, ka theksuar Sejdiu.