Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Vuçiq: Në këto momente do t’i shohim miqtë e vërtetë

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Vuçiq: Në këto momente do t’i shohim miqtë e vërtetë

Aktuale May 02, 2024 - 23:55

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pret që të jenë në mes të 29 dhe 33 votave pro anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

“31 vota u mjaftojnë për shumicën. Por, dua që njerëzve t’u them, pavarësisht sa e vështirë është, ne në këto momente do të shohim se cilët i kemi miq të vërtetë, pavarësisht se çfarë na thonë të tjerët”, ka thënë Vuçiq për “RTS”.

Vuçiq ka thënë se Serbia “nuk ka nevojë për mësues” dhe se sipas tij, populli serb e di se çfarë është e mirë për ta dhe çfarë jo.

“Sa qesharake është kur dikush nga fqinjët të thotë se këtë po e bëjmë për Serbinë, jo për ne. Se kjo është e mirë për Serbinë…Ju nuk e doni Serbinë më shumë se ne. Dhe ky vend nuk ka nevojë për mësues. Populli i këtij vendi e di shumë mirë se çfarë është e mirë për ta dhe çfarë jo”, ka thënë tutje ai, duke shtuar se do të vazhdojë “të luftojë”.

Më tej, ai është shprehur se “një ditë pas kësaj, ne nuk do të jemi të trishtuar. Ne nuk do të shkatërrojmë dhe njollosim imazhin tonë”.

“Por, edhe një ditë pas kësaj, ne nuk do të jemi të trishtuar. Ne nuk do të shkatërrojmë dhe njollosim imazhin tonë. Të nesërmen do t’i veshim trengjyrëshat tona serbe, do t’i varim në shtëpitë tona, do të ecim me krenari nëpër rrugë…”, ka shtuar Vuçiq.