Në stacionin e fundit të Evropës

Aktuale September 14, 2018 - 07:45
Lexoni lajmet me te fundit nga vendi
Image

Parlamenti Evropian dje votoi pro liberalizimit të vizave të Kosovës me Bashkimin Evropian. Për të ndodhur lëvizja e lirë e kosovarëve në zonën Schengen duhet kaluar edhe votimi i ministrave të brendshëm të shteteve anëtare. Ky njëherësh është stacioni i fundit vendimmarrës për lëvizje pa viza, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Parlamenti Evropian (PE) ka votuar dje për heqjen e vizave për Kosovën, duke i ofruar kështu qytetarët e vendit edhe një hap më afër lëvizjes së lirë në zonën Schengen.

Për liberalizimin e vizave të Kosovës me Bashkimin Evropian (BE) dje kanë votuar pro 420 eurodeputetë, 186 kanë qenë kundër, përderisa 20 kanë abstenuar. Pas këtij votimi në PE është konfirmuar mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat.

Këto bisedime në emër të Parlamentit Evropian do t’i udhëheqë eurodeputetja Tanja Fajon, raportuese për liberalizimin e vizave të vendit me BE-në.

Ndërsa pasi që të përafrohen bisedimet në kuadër të grupit punues çështja e vizave të Kosovës kalon në nivel të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, të cilët do të vendosin përfundimisht për këtë proces përmes votimit me një shumicë të kualifikuar të nevojshme prej 55% të vendeve anëtare, ose 16 vende që përfaqësojnë 65 % të popullsisë së BE-së.
 

Sfida e radhës, Këshilli i Ministrave i BE-së

Ekspertët e integrimit evropian vlerësojnë se sfida e radhës mbetet Këshilli i Ministrave të BE-së. Ata konsiderojnë që “lufta” e vërtetë diplomatike do të zhvillohet te vendet kryesore të Bashkimit Evropian, si Franca, Gjermania, Holanda e Belgjika, të cilat mbeten skeptike për liberalizimin e vizave me Kosovën. Mirëpo, sipas tyre, në rast se Kosova merr vendimin final për vizat gjatë këtij viti hyrja në fuqi e vendimit mund të zgjatet deri në vitin e ardhshëm si rezultat i zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, që do të mbahen në maj të vitit të ardhshëm.

Hahn mirëpret vendimin e Parlamentit Evropian për vizat

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka mirëpritur vendimin e djeshëm të Parlamentit Evropian për aprovimin e rekomandimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Hahn në një postim në rrjetin social “Twitter” ka theksuar se tashmë Parlamenti Evropian ka dhënë dritën e gjelbër për të nisur negociatat me Këshillin e Evropës për liberalizimin e vizave. “Drita e gjelbër e Parlamentit Evropian për të nisur negociatat me Këshillin e Evropës për liberalizimin e vizave për Kosovën, e mirëpritur”, ka shkruar ai.

Ndërsa raportuesja për vizat në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka thënë se qytetarët e Kosovës pas vendimit të PE-së janë edhe një hap më afër udhëtimit pa viza në Evropë.

“Qytetarët e Kosovës, një hap më afër udhëtimit pa viza në Evropë. E lumtur që morëm dritën e gjelbër nga Parlamenti Evropian për hapjen e negociatave me Këshillin për vizat. Tash lufta do të vazhdojë te qeveritë e BE-së. Nuk do të ndalemi derisa të liberalizohen vizat”, ka shkruar Fajon.

Fajon gjatë prezantimit të rekomandimit për Kosovën ka thënë gjithashtu se qytetarët e Kosovës e meritojnë votën pro, pasi institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.                                                                                           

Pas këtij votimi të Parlamentit Evropian bisedimet në emër të Parlamentit Evropian do t’i udhëheqë përsëri Tanja Fajon.

Hoxha: Vizat, sukses i përbashkët

Në anën tjetër, ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka uruar qytetarët e Republikës së Kosovës pas votimit në Parlamentin Evropian për liberalizimin e vizave.

“Ky është një lajm i mirë për qytetarët tanë, për lëvizjen e lirë, për të ardhmen e rinisë tonë. Institucionet tona, të nivelit qendror dhe lokal, me përkushtim kanë realizuar të gjitha kushtet për liberalizim. Pas kësaj pune të jashtëzakonshme në të gjitha fushat dhe nivelet ky votim i sotëm është mirënjohje dhe dëshmi se qytetarët tanë e meritojnë lëvizjen e lirë”, ka thënë Hoxha.

Ky vendim, sipas Hoxhës, është pranim i punës së institucioneve të Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian.

“Sot Kosova dhe qytetarët e saj morën edhe mirënjohjen për punën e bërë me plotësimin e të gjitha kritereve që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm. Kemi theksuar se mirëqenia e qytetarëve është dhe mbetet prioritet yni. Qytetarët tanë e meritojnë lëvizjen e lirë, që tashmë jemi vetëm një hap larg. Urime për këtë sukses të përbashkët”, ka theksuar mes të tjerash Hoxha.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pas këtij votimi ka falënderuar Parlamentin Evropian për mbështetjen për të drejtën e lëvizjes së lirë për kosovarët “Urime qytetarë të Kosovës. Së shpejti do të lëvizni lirshëm në Evropë. Falënderues ndaj të gjithë deputetëve dhe grupeve parlamentare të të gjitha partive e shteteve anëtare, që në Parlamentin Evropian e mbështetën të drejtën tonë për lëvizje të lirë”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social “Facebook”.

Thaçi: Brenda një kohe të shkurtër do të përmbyllet procesi i vizave

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, duke uruar qytetarët e Kosovës pas vendimit të Parlamentit Evropian pro liberalizimit të vizave për Kosovën, ka thënë se ky proces do të përmbyllet shumë shpejt.

“Qytetarët e Kosovës sot janë edhe një hap më afër drejt realizimit të një të drejte bazike në familjen evropiane, lëvizjen e lirë në zonën Shengen. Me më shumë se 2/3-at e votave të eurodeputetëve, Parlamenti Evropian votoi pro liberalizimit të vizave për qytetarët tanë. Ky është një mesazh i qartë edhe për institucionet e tjera vendimmarrëse në Bashkimin Evropian”, ka thënë Thaçi.

Duke e komentuar këtë proces Thaçi është shprehur optimist se kosovarët brenda një kohe të shkurtër do të marrin edhe lajmin final për vizat.

“Jam i bindur se brenda një periudhe të shkurtër kohore do të përmbyllet tërësisht ky proces dhe qytetarët tanë, pas një rrugëtimi të gjatë dhe tejet të mundimshëm, së shpejti do të jenë të barabartë me të gjithë qytetarët e Bashkimit Evropian. Si president i Republikës së Kosovës, në emrin tim personal dhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës, i falënderoj eurodeputetët për këtë vendim të drejtë”, ka thënë më tutje i pari i Presidencës.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli ka uruar qytetarët e Kosovës për votimin pro liberalizimit të vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian.

“Urime Kosovë, urime e dashura rini e Kosovës. Kaluam edhe sfidën e radhës. Parlamenti Evropian sapo votoi pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Pacolli.

Ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Parlamenti Evropian votoi që qytetarët e Kosovës t’i barazojë me qytetarët e tjerë evropianë, që edhe ata të lëvizin lirë në vendet e Shengenit.

Sipas tij, është kjo fitore jona e përbashkët, e institucioneve të BE-së, e përmbushjes së kritereve nga shteti i Kosovës dhe e vetëdijesimit të atyre që kundërshtuan më shumë se dy vjet ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin me Malin e Zi.

“Të shpresojmë, por edhe të punojmë që edhe Këshilli i Ministrave të BE-së në të ardhmen e afërt të vendosë pozitivisht për liberalizimin e vizave. Këtë vendim e meritojnë qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.

Taulant Kryeziu: Në Këshill lufta e vërtetë për vizat

Njohësi i çështjeve të integrimeve, Taulant Kryeziu, e ka mirëpritur lajmin nga Parlamenti Evropian, mirëpo ka theksuar se tani lufta e vërtetë do të zhvillohet në Këshill të Ministrave, ku shtetet kryesore mbeten skeptike për Kosovën.

“Është lajm i mirë marrja e dritës se gjelbër nga Parlamenti Evropian për të negociuar me vendet anëtare.  Tanimë lufta e vërtetë diplomatike duhet të zhvillohet te vendet kryesore të Bashkimit Evropian, te Franca, Gjermania, Holanda e Belgjika, me qëllim që të krijohet momentum që të merret edhe vota e tyre në Këshill, aty ku përfundimisht vendoset sa i përket fatit të lëvizjes së lirë për qytetarët tanë. Pra, nuk është përfunduar puna, puna kryesore është në Këshill”, ka thënë Kryeziu për “Zërin”.

Ai po ashtu ka theksuar se hapi i fundit për liberalizim të plotë të vizave mbetet Këshilli i Ministrave, i cili edhe e ka fjalën finale për këtë çështje.

“Nëse Këshilli në fund nuk ka ndonjë kundërshtim mbi propozimin e Parlamentit akti miratohet e në shumicën e rasteve sa u përket vizave kjo gjë përfundon në lexim të parë. Nuk ka afat të përcaktuar në lexim të parë se kur duhet të bashkëvendosin këto dy institucione, por tani fillon diskutimi me vendet anëtare të BE-së, bisedat në grupe punuese, pastaj në nivel ambasadorësh, aprovimi dhe në fund dorëzohet te Këshilli i Ministrave i BE-së, i cili duhet të votojë amendamentimin”, ka thënë më tutje ai.

Ndërsa duke folur për atë që duhet të bëjnë institucionet e Kosovës, Kryeziu ka thënë se këto të fundit duhet të punojnë ende me qëllim që t’i bindin shtetet e BE-së që janë skeptike për këtë çështje.

“Duhet të jemi të kujdesshëm t’i menaxhojmë pritshmëritë. Puna e madhe është në Këshill, ku ne duhet të bindim vendet anëtare qe të mbështesin këtë proces e kjo bëhet nëse ne japim shembuj pozitivë të respektimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit, të ndërtimit të një sistemi me njerëz kredibilë, transparentë dhe me integritet, në mënyrë që të marrim atë shumicë të kualifikuar të nevojshme prej 55% të vendeve anëtare, ose 16 vende që përfaqësojnë 65% të popullsisë”, ka theksuar ai.

Prenkaj: Shumica e shteteve anëtare janë pro liberalizimit

Kurse Adrian Prenkaj, ish-diplomat i Kosovës në Washington, për “Zërin” ka thënë se beson se shtetet anëtare të BE-së nuk e do ta bllokojnë këtë proces, pasi që Kosova i ka kryer tashmë të gjitha kushtet e dhëna nga Bashkimi Evropian.

“Parlamenti Evropian me një shumicë të konsiderueshme i ka dhënë dritën e gjelbër fillimit të trilogut ose negociatave ndërmjet tri institucioneve. Kjo është një praktikë standarde në BE ndërmjet Parlamentit, Këshillit dhe Komisionit për arritjen e marrëveshjeve për një tekst të pranueshëm për miratimin e legjislacionit. Kanë mbetur edhe disa hapa të tjerë që ndërlidhen me procesin politik përbrenda BE-së”, ka thënë Prenkaj.

Sipas Prenkaj, Parlamenti Evropian nuk do të kishte votuar pro vizave të Kosovës nëse nuk do ta kishte pëlqimin e shumicës së shteteve anëtare të BE-së.

“Procesi nuk do të kishte mundur të lëvizte përpara sikur nuk do të kishte pasur përkrahje nga shtetet anëtare. Në fakt, shumica e vendeve anëtare e mbështesin liberalizimin e vizave, sepse Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret”, ka theksuar më tutje ai.

Ai konsideron që vendimi final për vizat mund të merret këtë vit, por që sipas tij do të hyjë në fuqi tek në vitin e ardhshëm.

“Është e pamundur të parashikohet data e saktë, sepse kjo varet nga zhvillimet e brendshme në BE. Në rastin e shteteve të tjera si Moldavia dhe Ukraina procesi ka zgjatur prej 5 deri në 13 muaj. Në rastin e Kosovës vendimi mund të merret sivjet, por hyrja në fuqi mund të zgjatet deri vitin e ardhshëm si rezultat i zgjedhjeve në Parlamentin Evropian”, ka thënë ai.