Ahmetaj: Më 30 gusht do të votohet raporti për vizat

Aktuale August 22, 2018 - 11:52
Lexo detajet

Mimoza Ahmetaj, ish-udhëheqëse e Ministrisë së Integrimit Evropian, është shprehur optimiste se LIBE do ta votojë raportin për vizat.

“Më datën 30 gusht në sesionin e paradites që fillon nga ora 9.30 Komisioni LIBE në pikën 7 të rendit të ditës e ka vendosur diskutimin për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Siç e dimë të gjithë reportere brenda këtij Komisioni për Kosovën është Tanja Fajon, eurodeputetja sllovene e cila është mjaft e familjarizuar me çështjen e Kosovës dhe me gjithë procesin e liberalizimit të vizave”, ka deklaruar ajo.

Ahmetaj më tej, ka bërë të ditur se debati do të jetë i hapur për të gjithë anëtarët e komisioneve.

“Vlen të përmendet se në po të njëjtin sesion edhe nga Komisioni për Punë të Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian Ulrike Lunaçek është reportere për Kosovën sa i përket liberalizimit. Debati do të jetë i hapur për të gjithë anëtarët e komisioneve dhe menjëherë pas debatit do të bëhet votimi. Votimi në LIBE është rekomandim obligativ për Këshillin e Ministrave te BE-së, që konfirmon se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe rekomandon që të bëhen ndryshime brenda rregullores së Schengenit dhe Kosova të përfshihet në Listën e Bardhë Schengen”, ka shtuar ajo.

Ahmetaj më tej, është shprehur optimiste se raporti do të jetë pozitiv dhe procesi do të përmbyllet sa më shpejt. 

LEXO EDHE: ‘Liberalizimi nuk finalizohet këtë vit, ndoshta vitin tjetër’

“Unë pres që i gjithë procesi i liberalizimit të vizave të përfundojë gjatë këtij viti, në mënyrë që qytetaret tanë të kenë mundësi të lëvizin lirshëm gjatë vitit të ardhshëm”, ka theksuar ajo.

Ndërkohë, ka konsideruar se tash e tutje duhet të lobohet tek shtetet anëtare të BE-së, derisa procesi të përmbyllet tërësisht.

“Institucionet tona po ashtu duhet të vazhdojnë ta njoftojnë opinionin publik se çka në të vërtet nënkupton liberalizimi i vizave, cilat janë të drejtat tona gjatë qëndrimit në zonën Schengen, si dhe të pajisen qytetarët tanë të gjithë me pasaporta biometrike, duke qenë se ata nuk mund të hyjnë në zonën Schengen pa këto pasaporta”, ka nënvizuar ajo./Zeri