Sejdiu: Ideja e Thaçit për kufijtë nxit tension

Aktuale August 22, 2018 - 08:11
Lexo detajet

 Image

Korab Sejdiu, deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se nuk është e qartë pse presidenti Thaçi po lëshohet në këto aventura kohëve të fundit, por çka dihet është se tezat e tilla vetëm sa shqetësojnë qytetarët tanë që ende vuajnë nga traumat e luftës, nxisin tensione, dobësojnë pozitën negociuese të Kosovës karshi Serbisë dhe dëmtojnë edhe atë pak shtetësi që jemi munduar ta ndërtojmë këtë dekadën e fundit. Sipas tij, është më se e qartë se asnjë ndryshim i kufijve ekzistues nuk mund të bëhet pa ndryshime kushtetuese, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Ideja e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit për çështjen e kufijve është një aventurë e rrezikshme për vendin, që nxit edhe tension në vend. Kështu ka vlerësuar deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës Korab Sejdiu në një intervistë për gazetën “Zërin”, ku ka thënë që asnjë ndryshim i kufijve ekzistues nuk mund të bëhet pa ndryshime kushtetuese. Sejdiu me këtë rast ka thënë që zgjidhja e vetme për Kosovën janë zgjedhjet e parakohshme dhe krijimi i një qeverie legjitime. E vetmja mënyrë që mund të arrihet kjo, sipas tij, është përmes bashkimit të LDK-së dhe Vetëvendosjes në një koalicion parazgjedhor. Deputeti Sejdiu në mes të tjerash ka folur edhe për Gjykatën Speciale, me ç’rast ka konsideruar që vonesa e funksionalizimit të këtij organi po bëhet për shkaqe politike. 

LEXO EDHE: Në fundgusht nisin hapat vendimmarrës për vizat

Serbia po organizon ndarjen e Kosovës

Zëri: Javët e fundit presidenti Hashim Thaçi ka ngritur një alarm në vend, ku ka paralajmëruar se në kuadër të dialogut me Serbinë do të diskutohet edhe për korrigjim të kufijve, konkretisht për bashkimin e Luginës me Kosovën. Si e shihni ju një gjë të tillë? 
Sejdiu
: Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të një mori deklaratash skandaloze të bëra nga presidenti Thaçi e veçanërisht kohëve të fundit, duke përfshirë këtu edhe atë lidhur me nevojën për korrigjim të kufijve. Nuk është e qartë pse presidenti Thaçi po lëshohet në këto aventura kohëve të fundit, por çka dihet është se tezat e tilla vetëm sa shqetësojnë qytetarët tanë, që ende vuajnë nga traumat e luftës, nxisin tensione, dobësojnë pozitën negociuese të Kosovës karshi Serbisë dhe dëmtojnë edhe atë pak shtetësi që jemi munduar ta ndërtojmë këtë dekadën e fundit. Është më se e qartë se asnjë ndryshim i kufijve ekzistues nuk mund të bëhet pa ndryshime kushtetuese dhe çfarëdo marrëveshjeje që mund të ketë nënshkruar ose që mund ta nënshkruajë presidenti Thaçi e cila ka objekt ndryshimin e kufijve nënkupton shkelje serioze të Kushtetutës nga presidenti. Prandaj ekziston nevoja urgjente që Kuvendi ta mandatojë përfaqësuesin e Kosovës në këto bisedime, duke përfshirë edhe një platformë të qartë për bisedime, por vetëm pas organizimit të zgjedhjeve të reja në Kosovë, që do të rezultonin me përfaqësim legjitim politik të qytetarëve.

Zëri: A ka mundësi të ndodhë bashkimi i Luginës me Kosovën sipas jush?
Sejdiu:
Duhet ta dallojmë dëshirën nga mundësia. Natyrisht që ne të gjithë dëshirojmë që Lugina të jetë pjesë e Kosovës. Problemi qëndron te mundësia e realizimit të një projekti të tillë. Pra, një gjë e tillë do të kushtëzohej me hapje të çështjes së kufijve të Kosovës. Dhe vlen të potencohet që përgjatë historisë sa herë që është hapur çështja e kufijve të shqiptarëve ne gjithmonë kemi dalë humbës. Rrjedhimisht hezitimi i pothuajse të gjithë qytetarëve të Kosovës për të hapur këtë çështje është tërësisht i arsyeshëm.  


Zëri: Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka paralajmëruar se do të angazhohet personalisht për ndarjen e serbëve nga shqiptarët e Kosovës. Sa paraqet rrezik realizimi i këtij plani?
Sejdiu:
Është më se e qartë që Serbia po mundohet të realizojë ndarjen e Kosovës. Pra, ose po tenton ta bëjë tani me marrëveshje me presidentin Thaçi, ose duke krijuar një “Republikë Serbe” brenda Kosovës, e cila pas disa vitesh do të ndahej nga Kosova. Pra, ky është qëllimi i Serbisë dhe fatkeqësisht presidenti Thaçi po i forcon këto ide me qasjen e tij jokonstruktive. Mirëpo realizimi i këtij plani varet shumë nga ajo se kush na përfaqëson dhe sa jemi të përgatitur ne për të evituar një skenar të tillë duke u konsoliduar, por edhe duke punuar shumë me miqtë tanë ndërkombëtarë.

 LDK – LVV - Qeveri legjitime për zgjidhjen e situatës politike në vend 


Zëri: Së fundmi në Serbi është publikuar një raport 90 faqe, ku paraqitet shkëmbimi i territoreve me shtetin serb. Aty propozohet që Kosova ta marrë vetëm Preshevën pa Bujanocin dhe Medvegjën, ndërsa Serbia ta marrë Mitrovicën Veriore. Si e shihni ju këtë?
Sejdiu
: Unë thashë më parë që sa herë janë diskutuar kufijtë e shqiptarëve gjithmonë kemi rënë pre e ndarjeve dhe humbjeve të territorit.  Dhe natyrisht nëse hapet çështja e kufijve Serbia do të insistojë që të marrë një pjesë të territorit tonë të stërmbushur me burime natyrore dhe si këmbim të japë sa më pak që është e mundur.  Pra, ky raport i një OJQ-je paraqet të menduarit serb lidhur me qasjen që kanë ndaj “problemit të Kosovës”.


Zëri: Pas gjithë këtyre deklaratave dialogu me Serbinë pritet të vazhdojë në shtator të këtij viti, mirëpo kryenegociatori Thaçi vazhdon të jetë figurë e papranueshme për opozitën e vendit. A mendoni që mund të arrihet konsensus për këtë çështje në nivel nacional?
Sejdiu:
Nuk besoj. Presidenti Thaçi është figurë përçarëse dhe natyrisht që pjesa dërmuese e skenës politike shqiptare nuk e përkrah atë për të përfaqësuar Kosovën në çfarëdo niveli, aq më pak në këto bisedime jetike për Kosovën. Mundësia e vetme për konsensus është që të mbahen zgjedhjet sa më parë që është e mundur, të krijohet një Qeveri e fuqishme me shumicë legjitime shqiptare dhe tek pastaj të mandatohet ekipi për bisedime, të cilit ekip do t’i jepej edhe platformë e qartë.


Zëri: Si mund të krijohet kjo Qeveri sipas jush?

Sejdiu: E sa jemi te formimi i një qeverie të ardhshme legjitime dhe përmbajtjesore, e vetmja mënyrë që mund të arrihet kjo është me bashkimin e LDK-së dhe të LVV-së në një koalicion parazgjedhor, i cili koalicion do të ngërthente në vete edhe një grup serioz të qytetarëve me shkathtësi dhe me kapacitete të larta intelektuale. Dhe, kjo formulë do të garantonte një fitues të bindshëm të zgjedhjeve e më vonë një qeveri të fuqishme të formuar pa vonesat e zakonshme që i kemi parë në dy palë zgjedhjet e fundit.  
Zëri: Ekipi menaxhues që po merret me draftstatutin e Asociacionit ka paralajmëruar se AKS-ja do të bëhet sipas marrëveshjes së Brukselit, pra jo në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. A ka rrezik për Kosovën që AKS-ja të bëhet me kompetenca ekzekutive?
Sejdiu:
Unë nuk kam qasje në këtë dokument. Mirëpo dua të përgjigjem shkurt që ky dokument nuk do të duhej të ishte i pranueshëm për Kosovën, përveç nëse është 100% në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pra sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi në Kosovë. Thënë thjesht, nuk guxon të ketë kompetenca ekzekutive. Dhe natyrisht një dokument i tillë nuk mund të jetë i vlefshëm pa marrë dritën e gjelbër nga Gjykata Kushtetuese.  


 Opozita duhet të jetë e bashkuar për ta zhbllokuar vendin
Zëri: Kuvendi i Kosovës është në pushim teksa po ndodhin zhvillime të rëndësishme në vend. A e përkrahni ju personalisht iniciativën e PSD-së për ta ndërprerë pushimin dhe të thirret seancë e jashtëzakonshme për dialogun?
Sejdiu:
Unë besoj që ne jemi deputetë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe 365 ditë në vit. Pra, pavarësisht pushimeve eventuale të Kuvendit ne kemi për obligim që të kryejmë detyrën me përgjegjësi. Ne veç kemi diskutuar për dialog, mirëpo fakti qëndron që diskutimet tona nuk po e kanë efektin e duhur pasi që presidenti Thaçi po shpërfill kundërshtimin tonë ndaj dialogimit nga ana e tij. Prandaj përveç diskutimeve në Kuvend ne duhet të mendojmë edhe për ndërmarrjen e veprimeve konkrete për të parandaluar cenimin e rendit kushtetues nga ana e presidentit. Për më tepër, është më se jetike që opozita të jetë tërësisht e unifikuar dhe të veprojë paralelisht për të mbrojtur shtetin.
Zëri: Opozita e vendit ka qenë e zhurmshme sa i përket rrëzimit të qeverisë “Haradinaj”, mirëpo nuk e kemi parë ende një iniciativë për të rrëzuar këtë Qeveri. A do ta përkrahnit ju personalisht mocionin për rrëzimin e Qeverisë dhe sa janë gjasat reale që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme?
Sejdiu:
Nëse ju kujtohet, unë që nga fillimi kam kundërshtuar ekzistimin e kësaj Qeverie jolegjitime të varur nga veglat e Beogradit në Kuvend.  Kështu që natyrisht se do ta përkrahja një iniciativë për të rrëzuar këtë Qeveri, pasi që çdo ditë me këtë Qeveri është ditë e kobshme për Kosovën. Ndërsa sa u përket gjasave për zgjedhje kjo krejt varet sa do të jetë opozita e unifikuar dhe stoike në bllokimin e keqbërjes nga ana e kësaj shumice pakicë.  
Mst: Gjykata Speciale po vonohet për shkaqe politike 

Zëri: Z. Sejdiu, Komisioni Evropian një muaj më parë ia dha Kosovës rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave, mirëpo dialogu me Serbinë duket se e ka lënë “nën hije” këtë proces. A mendoni që kosovarët janë afër t’i marrin vizat apo ky proces do të zvarritet më tutje?
Sejdiu:
Po si edhe është cekur, ekzistojnë edhe disa procedura të cilat duhet të kalohen për të realizuar liberalizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë. Vonesat nga ana e autoriteteve evropiane kanë qenë tejet të padrejta dhe po shpresoj tani pasi është marrë rekomandimi të mos tejburokratizohet kjo çështje nga ana e evropianëve, por ta marrin seriozisht këtë nevojë jetike për qytetarët tanë. Pasi që topi është tek evropianët është e vështirë të parashikohet me saktësi afati kur edhe do të liberalizohen vizat. Mirëpo shpresa është që procedura të kryhet ngjashëm si ka ndodhur edhe për vendet e tjera të rajonit, veçanërisht sikur ato që e kanë kaluar këtë proces më shpejt.
Zëri: Paralajmërimet për fillimin e punës së Gjykatës Speciale kanë filluar kohë më parë, mirëpo kjo e fundit ka ngecur në punën e saj. A mendoni që këto vonesa lidhen me situatën politike në vend?
Sejdiu
: Në aspektin procedural të gjitha përgatitjet për fillimin e punës së Dhomave të Specializuara kanë përfunduar. Prandaj edhe nuk ka ndonjë arsye legjitime që të ketë vonesa sikur këto që i kemi parë deri më tani. Dhe pasi që nuk ka arsye legjitime mund të supozohet se shkaktarët e vonesave janë drejtpërdrejt të ndërlidhura me rrethanat politike, që është një fatkeqësi e madhe sepse drejtësia, veçanërisht ajo me element ndërkombëtar, nuk do të duhej të varej nga politika. Por ky është realiteti i ndërtuar në Kosovë nga ne, por edhe nga ndërkombëtarët.  
Zëri: Ditë më parë presidenti Thaçi ka dekretuar Radomir Laban gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, mirëpo ky i fundit po akuzohet për të kaluar kriminale. A mendoni ju që i njëjti do të duhej të dekretohej?
Sejdiu:
Unë nuk kam informata lidhur me të kaluarën e gjyqtarëve të porsaemëruar në Gjykatën Kushtetuese, përveç atyre informatave që kanë qenë pjesë e dosjes zyrtare që na është dorëzuar neve si deputetë. Nëse ndonjë kandidat ka pasur një të kaluar që nuk është në përputhje me kriteret për emërim, atëherë kjo nënkupton se Komisioni Parlamentar dhe institucionet e tjera relevante kanë dështuar në kryerjen e detyrës së tyre që t’i rekomandojnë Kuvendit kandidatë të cilët përmbushin kriteret për përzgjedhje. Natyrisht edhe presidenti Thaçi si institucion emërues dhe një lloj filtri përfundimtar do të duhej të kishte refuzuar emërimin e cilitdo gjyqtar për të cilin ka pasur informata zyrtare se mund të ketë të kaluar që e bën të papërshtatshëm për detyrën e gjyqtarit ose gjyqtares.