Në fundgusht nisin hapat vendimmarrës për vizat

Aktuale August 22, 2018 - 07:48
Lexo detajet
Image

Trajtimi i çështjes së vizave në mbledhjen e Komisionit për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE), që do të mbahet më 29 gusht, paraqet hapin e parë të vendimmarrjes për vizat, pas rekomandimit pozitiv të dhënë nga Komisioni Evropian (KE). Ministrja e Integrimit Dhurata Hoxha është shprehur e bindur se vendimi në LIBE do të jetë pozitiv sa i përket liberalizimit, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Në fund të këtij muaji pritet të vazhdojë rrugëtimi i procesit të liberalizimit të vizave. Trajtimi i çështjes së vizave në mbledhjen e Komisionit për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE), që do të mbahet më 29 gusht, paraqet hapin e parë të vendimmarrjes për vizat, pas rekomandimit pozitiv të dhënë nga Komisioni Evropian (KE). Ministrja e Integrimit Dhurata Hoxha është shprehur e bindur se vendimi në LIBE do të jetë pozitiv sa i përket liberalizimit.

LEXO EDHE: Edhe dikush sapo dha mbështetje për shkëmbimin e territoreve Kosovë- Serbi

Edhe njohësit e procesit të integrimit vlerësojnë se çështja e vizave në komisionin LIBE, i cili është në kuadër të Parlamentit Evropian (PE), do të kalojë pa ndonjë problem. Ndërkaq votimi në këtë komision i hap rrugë kalimit të liberalizimit në Parlament dhe në Këshill të Ministrave.

Përderisa votimi në PE bëhet me shumicë të thjeshtë, votimi në Këshill vlerësohet të jetë më i vështirë, pasi që ka disa vende anëtare të BE-së të cilat janë skeptike ende sa i përket liberalizimit. Megjithëkëtë, drejtues të institcioneve në Kosovë janë shprehur të bindur se qytetarët do të mundë të lëvizin lirshëm përgjatë këtij viti, porse përfaqësuesit e opozitës vazhdojnë të potencojnë se këtë vit nuk do të ketë mundësi që qytetarët të lëvizin në zonën Shengen. 

Hoxha: Presim vlerësim pozitiv nga LIBE-ja

Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha është shprehur e bindur se komiteti LIBE do të japë vlerësim pozitiv sa i përket çështjes së vizave për Kosovën. “Çështja e liberalizimit të vizave do të shtrohet në mbledhjen e 29 gushtit dhe presim vlerësim pozitiv nga ky komitet, për shumë arsye jemi optimistë”, ka deklaruar ajo për “Zërin”. Hoxha më tej ka thënë se Komisioni për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) në mbledhjen e 29 gushtit prezanton, debaton dhe voton për opinionin sa u përket vizave.

“Mbledhjet e komisioneve parlamentare mbahen një herë në muaj, ashtu siç mbahen edhe seancat plenare të Parlamentit Evropian. Është raportuesi i Parlamentit Evropian ai i cili e qarkullon opinionin në LIBE dhe nëse është e nevojshme edhe nëpër komisionet e tjera parlamentare, si dhe e prezanton opinionin për seancë plenare”, ka shtuar ajo. Pas votimit në komisionin LIBE Hoxha ka thënë se mbahet seanca plenare e ku, siç ajo është shprehur, qysh në seancën e parë me shumicë të thjeshtë pritet që të miratohet opinioni mbi vizat. Ndërkaq pas votimit në seancë parlamentare atëherë vazhdohet me procedura të tjera në Këshillin e Ministrave. E para e MIE-së është shprehur e vendosur se liberalizimi do të përmbyllet këtë vit.

Ujkani: Gjasat janë të mira që vendimi për vizat të merret sivjet

Edhe profesori i së drejtës evropiane, Emrush Ujkani, është shprehur optimist se vlerësimi i LIBE-së dhe i PE-së do të jetë pozitiv sa i përket liberalizimit. “E dimë qëndrimin e tyre për Kosovën, unë besoj që vlerësimi do të jetë pozitiv dhe Parlamenti Evropian do të jetë ai që do ta japë dritën jeshile pa kurrfarë problemi në këtë proces që ka të bëjë me vendimmarrje për liberalizimin e vizave”, ka theksuar ai.

Pavarësisht se ka pasur dilema të vazhdueshme për votimin në Këshillin e Ministrave, Ujkani ka thënë se edhe në Këshill do të kalojë çështja e vizave. Sipas tij, edhe vendet që kanë pasur skepticizëm do të vendosin të votojnë për liberalizimin. “Nëse gjithçka shkon si duhet vendimmarrja do të jetë pozitive edhe në komisionion LIBE, por edhe në kuadër të Parlamentit dhe në kuadër të Këshillit”, është shprehur ai. Sipas tij, gjasat janë të mira që vendimi për heqjen e vizave të merret sivjet.

Kollçaku: Liberalizimi nuk finalizohet këtë vit, ndoshta vitin tjetër

Pavarësisht tij, anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane (nga LVV-ja) Fatmire Kollçaku ka konsideruar se nuk do të ketë liberalizim gjatë këtij viti. “Ne nuk jemi optimistë që liberalizimi do të ndodhë brenda këtij viti, ndoshta vitin e ardhshëm. Nuk po shohim asnjë hap drejt një shteti ligjor, por vazhdimisht degradim të shtetit e që është shumë për keqardhje. Megjithatë unë mendoj që nuk duhet dënuar populli për shkak të pushtetarëve”, është shprehur nënkryetarja e LVV-së. Sipas saj, institucionet e Kosovës nuk i kanë përmbushur kriteret e vëna për liberalizim të vizave. “Sigurisht që edhe ne si të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës kishim dashur që të ndodhë liberalizimi i vizave. Por unë mendoj që shumë detyra ne ende nuk i kemi kryer”, ka shtuar Kollçaku.

Ahmetaj: Më 30 gusht do të votohet raporti për vizat

Mimoza Ahmetaj, ish-udhëheqëse e Ministrisë së Integrimit Evropian, është shprehur optimiste se LIBE-ja do ta votojë raportin për vizat. “Më datën 30 gusht në sesionin e paradites, që fillon nga ora 9:30, komisioni LIBE në pikën 7 të rendit të ditës e ka vendosur diskutimin për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Siç e dimë të gjithë se reportere brenda këtij Komisioni për Kosovën është Tanja Fajon, eurodeputetja sllovene e cila është mjaft e familjarizuar me çështjen e Kosovës dhe me gjithë procesin e liberalizimit të vizave”, ka deklaruar ajo. Ahmetaj më tej ka bërë të ditur se debati do të jetë i hapur për të gjithë anëtarët e komisioneve dhe menjëherë pas debatit do të bëhet votimi. “Votimi në LIBE është rekomandim obligativ për Këshillin e Ministrave të BE-së, që konfirmon se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe rekomandon që të bëhen ndryshime brenda rregullores së Schengenit e Kosova të përfshihet në Listën e Bardhë Schengen”, ka shtuar ajo.

Me këtë rast ajo është shprehur optimiste se raporti do të jetë pozitiv dhe procesi do të përmbyllet së shpejti.  

Kryeziu: E pamundshme që qytetarët të lëvizin këtë vit

Kurse Taulant Kryeziu, njohës i procesit të integrimit, ka vlerësuar se qytetarët nuk do të mundë të lëvizin lirshëm gjatë këtij viti edhe nëse vendimi merret gjatë 2018-ës. “Është e pamundshme që qytetarët të lëvizin këtë vit. Por vendimmarrja të ndodhë këtë vit do të ishte skenari më pozitiv. Afatet kur mund të ndodhin për vendimmarrjen, domethënë seancat plenare, janë prej shtatorit e takimi i Këshillit është në tetor dhe në dhjetor. Këto janë terminet e dy institucioneve që përfundimisht vendosin”, është shprehur ai. Pavarësisht kësaj, Kryeziu ka thënë se data e 29 gushtit, ku liberalizimi do të jetë në agjendën e komitetit LIBE, është mjaft me rëndësi për Kosovën dhe për procesin në tërësi. “Ka rëndësi shumë të madhe për ne për të ecur përpara, sepse pa kaluar në LIBE nuk mund të merret mandati për të negociuar me Këshill. Ky është hapi i parë prejse e kemi marrë rekomandimin prej Komisionit”, ka deklaruar Kryeziu.