Osmani: Thaçi po tenton ta rihapë statusin e Kosovës

Aktuale July 24, 2018 - 07:57
Detajet

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se presidenti Hashim Thaçi po jep shenja se është duke e rihapur çështjen e statusit të Kosovës në fazën finale të dialogut me Serbinë. Në një intervistë për gazetën “Zëri” Osmani ka thënë se ndryshimi i kufijve është i papranueshëm pasi do ta destabilizonte rajonin, ndërsa autonomia për veriun do të përfundonte me ndarje të vendit. 

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme Vjosa Osmani ka thënë se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në mënyrë të njëanshme dhe pa mbështetjen e Kuvendit e ka marrë përsipër udhëheqjen e dialogut me Serbinë, gjë e cila është e papranueshme për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Në një intervistë për gazetën “Zëri” Osmani ka thënë se përmes deklaratave për heqjen e vijave të kuqe presidenti Thaçi po jep shenja se është duke e rihapur çështjen e statusit të Kosovës.

“LDK-ja tashmë e ka bërë të qartë që nuk përkrah Thaçin si kryenegociator dhe deklaratat e tij se nuk pranon as vija të kuqe e as parime udhëzuese gjatë negociatave janë tepër të rrezikshme. Në fakt, Thaçi, pa e mandatuar askush, po jep shenja se është duke e rihapur çështjen e statusit të Kosovës”, është shprehur Osmani për “Zërin”.

LEXO EDHE: Shkëmbimi i territoreve të mos jetë pjesë e dialogut

Për dallim nga nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, i cili e përkrah ndryshimin e kufijve në mënyrë që Kosova ta marrë Luginën, ndërsa Serbia veriun, Osmani ka thënë se për partinë e saj mbetet e papranueshme çdo ide që ndryshon kufijtë, pasi kjo do ta destabilizojë tërë rajonin. Ajo po ashtu ka thënë se edhe dhënia e autonomisë për pjesën veriore të Kosovës do të përfundonte me ndarje. 

Osmani gjatë intervistës për “Zërin” ka folur edhe për çështjen e zgjedhjeve në LDK, ndërsa ka thënë se para se të mbahen ato (në vitin e ardhshëm) do të tregojë nëse do të kandidojë për kryetar të kësaj partie.

Sa i përket mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, deputetja më e votuar në vend thotë se ato mund të mbahen këtë vjeshtë, sepse secili institucion e ka humbur legjitimitetin.

LEXO EDHE: Këshilli i Ministrave i BE-së, sfida kryesore për vizat

Zëri: Zonja Osmani, qeveria “Haradinaj” tashmë po funksionon pa shumicën e nevojshme parlamentare. Pse opozita nuk po arrin të mobilizohet që ta rrëzojë atë?

Osmani: Siç e dini, të tria partitë e opozitës kanë së bashku diku rreth 57 vota, që do të thotë se na duhet përkrahje edhe nga disa deputetë të koalicionit qeverisës, meqë nuk mund të llogarisim në votat e Listës Serbe. Megjithatë, jemi duke punuar në atë drejtim dhe besoj që shpejt do të bëhen 61 votat e nevojshme. Mobilizimi i opozitës është esencial për të arritur largimin e keqqeverisjes edhe pse në çdo demokraci normale kur qeveria humb minimumin e votave të nevojshme në Kuvend nuk pret mocion nga opozita, por vetë kërkon votëbesim. Fatkeqësisht, modeli i tanishëm qeverisës mund të jetë çdo gjë tjetër pos model i demokracisë e i qeverisjes normale. 

Qeveria “Haradinaj”, raste të paprecedente të abuzimit të pushtetit

Zëri: Si e vlerësoni punën e deritanishme të qeverisë “Haradinaj”?

Osmani: Fatkeqësisht, përgjatë këtyre muajve të qeverisjes “Haradinaj” kemi parë raste të paprecedente të abuzimit të pushtetit dhe mungesë totale të përgjegjësisë. Prandaj e them vazhdimisht që edhe pse zgjedhjet e hershme kanë një kosto, kostoja e kësaj qeverisjeje është dhjetëra herë më e madhe në kurriz të qytetarëve të Kosovës.

T’i bindim shtetet e BE-së për ta votuar heqjen e vizave

Zëri: Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën. A prisni që Kosova këtë vit ta fitojë liberalizimin? Cilat janë pengesat?

Osmani: Është vështirë të thuhet data e saktë dhe tanimë e vetmja gjë që dihet është që procedurat brenda Parlamentit Evropian do të kryhen diku rreth shtatorit. Pastaj ta shohim nëse Këshilli, ku përfaqësohen ministrat e Brendshëm të cilët vendosin për viza, do të vendosë përfundimisht në dhjetor. Ky vendim i Këshillit po ashtu përcakton edhe datën se kur hyn në fuqi liberalizimi i vizave. Pra me skenarin më të mirë mund të kemi një vendim në dhjetor të këtij viti, mirëpo mundësitë që të vonohet edhe më tej ekzistojnë, sidomos meqë akoma nuk dihet saktësisht sa nga shtetet që votojnë do ta përkrahin këtë vendim për Kosovën. Përgjatë muajve në vijim institucionet e Kosovës do të duhej të ndërmarrin veprime të qarta sa i përket luftimit të krimit dhe të korrupsionit në mënyrë që shtetet anëtare në fund të jenë të bindura para se të votojnë.

Zëri: A mendoni se krerët institucionalë po mundohen t’i marrin meritat për këtë rekomandim?

Osmani: Po mundohen t’i marrin meritat, por në fakt merita e tyre e vetme është dëmtimi që ia kanë bërë këtij procesi duke e prolonguar për disa vjet.

Zëri: A është duke u luftuar seriozisht krimi i organizuar dhe korrupsioni derisa nuk ka as bazë ligjore për konfiskimin e pasurisë së paligjshme?

Osmani: Baza ligjore ekziston, por është e mangët. Prandaj edhe ka lindur nevoja për një ligj të ri për konfiskim të pasurisë, i cili tashmë është në procedurë të miratimit. Por, përtej ligjeve problemi themelor në Kosovë është mungesa e vullnetit të njëmendtë për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Mos harroni që në raportin për zgjerim të BE-së thuhet që në shtetin tonë krimi e korrupsioni janë të ndërlidhura me nivelin më të lartë të qeverisjes.

Thaçi, figura më jokonsensuale dhe më përçarëse në Kosovë

Zëri: Tashmë ka filluar faza finale e dialogut me Serbinë. Sipas jush, cili do të jetë rezultati i kësaj faze të cilën presidenti Thaçi e ka nisur pa mbështetjen e Kuvendit?

Osmani: Ky proces ka nisur mbrapsht dhe tashmë është tërësisht jolegjitim. Presidenti Thaçi në mënyrë unilaterale ka marrë përsipër udhëheqjen e procesit, mirëpo ai në Bruksel mund të flasë në emrin tij personal e jo në emër të Kosovës, meqë i mungon mandatimi nga Kuvendi. LDK-ja tashmë e ka bërë të qartë që nuk përkrah Thaçin si kryenegociator dhe deklaratat e tij se nuk pranon as vija të kuqe e as parime udhëzuese gjatë negociatave janë tepër të rrezikshme. Në fakt Thaçi, pa e mandatuar askush, po jep shenja se është duke e rihapur çështjen e statusit të Kosovës, duke shkelur kështu vullnetin e popullit të Kosovës për shtet sovran, me karakter unitar dhe në kufijtë aktualë. Prandaj duhet ta ketë të qartë që aventura të tilla të rrezikshme nuk do ta kenë përkrahjen e LDK-së. Natyrisht që për këtë proces kaq jetik duhet konsensus, por konsensusi është i pamundur të ndërtohet rreth figurës më jokonsensuale dhe më përçarëse që ka Kosova. Duhet të gjenden alternativa të tjera që i bëjnë partitë bashkë rreth këtij procesi me qëllim që shtetësia e Kosovës dhe karakteri i shtetit i paraparë me Kushtetutë të mbrohen, duke punuar njëkohësisht për konsolidim ndërkombëtar të kësaj shtetësie. Qëndrimi i LDK-së tashmë është i qartë. Ne besojmë se vetëm zgjedhjet e reja prodhojnë qeveri legjitime për udhëheqje të dialogut. Prandaj, ne jemi të gatshëm të udhëheqim këtë proces pas legjitimimit nga qytetarët nëpërmjet procesit zgjedhor.

Zëri: A mund të jetë zgjidhje kompromisi një autonomi për serbët e Kosovës në këmbim të njohjes së vendit nga Serbia?

Osmani: Për ne mbetet e papranueshme çdo ide që ndryshon kufijtë, sepse kjo do ta destabilizojë tërë rajonin, por mos harroni edhe një gjë: edhe autonomia për veriun në fund do të përfundonte me ndarje. Pra nuk është që është ide e qëndrueshme, sepse Serbia do të keqpërdorte diçka të tillë duke krijuar situata të ngjashme me ndërhyrjet që i bëri në Republika Srbska në Bosnje. Pra, po aq sa është e rëndësishme mbrojtja e kufijve të jashtëm, njëjtë e rëndësishme është edhe mbrojtja e funksionalitetit dhe e rregullimit të brendshëm të shtetit. Idetë për autonomi, ose zgjidhje të ngjashme, thjesht do të krijojnë edhe një konflikt të ngrirë në rajonin tonë, duke minuar kështu paqen e stabilitetin në kontekst afatgjatë. Dhe për fund, këto idetë për autonomi janë në esencë strategji e ngjashme afatgjate që ka përdorur Rusia për disa nga ish-republikat sovjetike. Pra, ua njeh pavarësinë mirëpo sigurohet që të ndërhyjë vazhdimisht në rajone të caktuara të banuara me pakicë ruse, derisa një ditë i anekson në tërësi. Pra, në esencë rezervon situatat e konflikteve të ngrira. Po këtë strategji do ta përdorë Serbia, siç e ka bërë të qartë me shembullin katastrofal të Republikës Serbe. Pra, komuniteti ndërkombëtar duhet ta dijë që zgjidhjet e tilla do të kenë vetëm një rezultat të sigurt – destabilitetin. Serbia edhe ndoshta e njeh Kosovën në shkëmbim për autonomi për veriun, por nuk do të heqë dorë nga veriu dhe pas një kohe do t’i përdorë mjetet e njëjta të agresionit siç i ka përdorur Rusia në raport me Ukrainën e me Gjeorgjinë.

Ka rrezik që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive

Zëri: A ka rrezik që Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe t’i jepen kompetenca ekzekutive?

Osmani: Po, rreziku ekziston dhe siç e dini unë kam reaguar pas deklaratës së fundit të Këshillit të BE-së ku kërkohet që Asociacioni të themelohet në përputhje me Marrëveshjen e vitit 2015 e jo në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo në esencë është kërkesë për t’i dhënë Asociacionit kompetenca ekzekutive dhe për ta ndryshuar Kushtetutën tonë.

Zëri: Ju po thoni se ideja e shkëmbimit të territoreve është e papranueshme?

Osmani: Siç e thashë më herët, ndryshimet territoriale e destabilizojnë rajonin dhe nuk përfundojnë vetëm me Kosovën.

Zëri: Qeveria ende nuk po arrin ta transformojë FSK-në në Forca të Armatosura të Kosovës për shkak të kundërshtimeve të Listës Serbe. A duhet bërë një transformim i tillë me ndryshime kushtetuese apo mund të bëhet edhe vetëm nëpërmjet ndryshimeve ligjore?

Osmani: Institucionet e Kosovës duhet të punojnë ta bindin komunitetin ndërkombëtar se mundësia e transformimit nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese është praktikisht e pamundur përderisa Lista Serbe është peng i Beogradit. Prandaj duhet intensivisht të kërkohet përkrahje edhe për opsionin “B”, pra që të ecet përpara me ndryshime ligjore, por assesi të ndërmerret një hap i tillë pa përkrahjen e SHBA-së dhe të shteteve tjera përkrahëse në NATO.

Zgjedhje të parakohshme mund të ketë në vjeshtë

Zëri: Kur mendoni se në Kosovë do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Osmani: Mund të ketë qysh këtë vjeshtë, sepse secili institucion e ka humbur legjitimitetin.

Zëri: Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka pasur probleme shëndetësore, a jeni takuar së fundmi me të, si është gjendja e tij shëndetësore?

Osmani: Është shumë më mirë dhe tashmë mjaft aktiv në shumë takime e angazhime që kanë të bëjnë me qëndrimet e LDK-së për proceset, të cilat i kemi përpara. Ne i bashkërendojmë me të veprimet tona në Kuvend në baza ditore.

Mustafa është duke e drejtuar LDK-në

Zëri: A do të kthehet për ta drejtuar partinë?

Osmani: Ai tashmë është duke e drejtuar partinë, por besoj që shumë shpejt do t’i tejkalojë në tërësi sfidat shëndetësore dhe do të përfundojë rehabilitimin fizik në mënyrë që të jetë prezent edhe në zyrat e partisë. Por siç e përmenda, ne çdo ditë bashkërendojmë veprimet dhe i diskutojmë me të temat e vendimet që duhet t’i marrim.

Vitin tjetër deklarohem nëse do të garoj për kryetare të LDK-së

Zëri: LDK-ja po u afrohet zgjedhjeve të brendshme. A do të garoni për kryetare të partisë?

Osmani: Këtë përgjigje do ta jap kur të vijë koha. Pra, në vitin tjetër.

Zëri: Deri më tani në opinion janë përmendur disa emra si kandidatë të mundshëm për kryetar të LDK-së. A rrezikon kjo parti që sërish të ketë ndarje?

Osmani: Në fakt është pikërisht e kundërta. Mungesa e më shumë kandidaturave do të nënkuptonte mungesë të demokracisë së brendshme dhe si rrjedhojë do ta rrezikonte partinë. Mundësia që të ketë më shumë kandidatura në fakt është pasuri për LDK-në. Është me rëndësi, megjithatë, që kur të vijë koha e gjithë gara të zhvillohet në frymë demokratike dhe me respekt të ndërsjellë, të bëhet në përputhje me normat statutare dhe të shihet si mundësi e mirë për ta rritur, për ta zhvilluar dhe për ta hapur edhe më tej LDK-në.