Faktori ndërkombëtar nuk është i gatshëm të investojë në shkëmbim të territoreve

Aktuale July 21, 2018 - 13:56
Detajet

Analisti Naim Rashiti ka vlerësuar se është vështirë të mendohet se konflikti mes Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhet nëpërmjet shkëmbimit të territoreve. Ai beson se në fund të këtij viti kosovarët do të lëvizin pa viza në BE, shkruan "Zeri.info". 

LEXO EDHE: Spanja ka ndryshuar qëndrimin në raport me Kosovën, nuk është kundër liberalizimit

Zëri: Mbrëmë në një deklaratë ambasadori i SHBA-së në Kosovë Greg Delawie, duke folur për dialogun me Serbinë, nuk e përjashtoi mundësinë se në tryezë të bisedimeve mund të jetë edhe tema për shkëmbim të territoreve. Si e shihini ju këtë? Sa do të ishte i pranueshëm për Kosovën një opsion i tillë?

Rashiti:
Nuk e kam përcjellë deklaratën e ambasadorit, por e di që disa akterë janë duke e bindur një pjesë të perëndimit që edhe zgjidhje të tilla si shkëmbimi i territoreve duhet të pranohen dhe faktori ndërkombëtar, saktësisht disa shtete kyçe janë duke insistuar që të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë deri në mars të vitit të ardhshëm, marrëveshje që përfshin edhe njohje. Këto zgjidhje, që në kontekstin e Ballkanit janë shumë jokonvencionale dhe radikale, diskutohen në nivele të ndryshme, por nuk janë zyrtarisht pjesë e formatit. Ka shtete anëtare të BE-së që mbeten tërësisht kundër zgjidhjeve të tilla, por për disa çmimi kryesor është arritja e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
Në anën tjetër, skena politike në Kosovë nuk është aspak e përgatitur jo vetëm për zgjidhje të tilla, por as për procesin në të cilin gjendet. Është befasuese se si skena politike e Kosovës gjen kohë për të pushuar dhe për pritje, pasi që dialogu është një proces shumë i ndërlikuar, ku po kërkohet marrëveshje finale për t’i dhënë fund një konflikti, për të cilin nuk po shoh përgatitje as nga ana e Serbisë për ta përmbyllur atë e aq më pak nga ana e Kosovës. /ZERI