Spanja ka ndryshuar qëndrimin në raport me Kosovën, nuk është kundër liberalizimit

Aktuale July 21, 2018 - 10:02
Detajet

Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë Naim Rashiti gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, ka deklaruar se Spanja ka ndryshuar qëndrim në raport me Kosovën dhe se kësisoj ajo nuk paraqet shumë rrezik për heqjen e vizave për Kosovën. Sipas tij problem mund të paraqesin disa vende të tjera, shkruan “Zëri.info”.

LEXO EDHE: Rashiti: Shkëmbimi i territoreve s’e zgjidh konfliktin

Zëri: Po e quani vendim politik vendimin për liberalizimin e vizave të Kosovës, mirëpo a mund të hasen vështirësi në këtë proces pikërisht nga shtetet skeptike për Kosovën?

Rashiti: Kam përshtypjen që opinioni i KE-së nuk do të kishte dalë pa përkrahjen e Gjermanisë dhe të Francës. Në këtë rast liberalizimi i vizave për Kosovën nuk ndodh pa përkrahjen e fuqishme të Gjermanisë e të Francës dhe nëse kemi këto dy vende në përkrahjen tonë dhe një pjesë tjetër të madhe të shteteve si Austria, Italia, e Greqia, pasi që nuk janë të vërteta lajmet që kanë dalë për Greqinë, madje edhe Spanja ka ndryshuar qëndrimin me qeverinë e re e që të gjitha këto mendoj se do të bëjnë këtë vendimin edhe më të lehtë për Kosovën. Vendet që mbeten skeptike për Kosovën janë Danimarka, Holanda, Suedia dhe Belgjika dhe janë dy shtete të cilat mund të shkaktojnë telashe për tema të tjera që nuk ndërlidhen me liberalizimin e vizave për Kosovën, por me marrëdhëniet e këtyre dy vendeve me BE-në, ato janë Polonia, Çekia dhe më pak Hungaria. Por, me dhënien e rekomandimit tanimë ne jemi në një proces që është i pandalshëm. /zeri