S’ka barna, anulohen operacionet në Klinikën e Urologjisë

Aktuale June 18, 2018 - 08:50
Lexoni më shumë detaje

Rexhep Kasumaj, drejtor klinik në Klinikën e Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka thënë për Zërin se që nga një qershori pesë pacientëve u janë anuluar operimet për shkak të mungesës së furnizimit me barna.

Sipas tij, edhe gjatë muajve të tjerë të këtij viti ka pasur anulime të operimeve.

“Po, ka pasur raste kur janë anuluar operimet për shkak të mungesës së barnave. Këtë 10-ditëshin e fundit pacientët kanë rënë prej programit për këtë arsye. Pesë pacientë kanë rënë nga programi. Ata i kemi operuar pastaj, megjithatë një herë ata kanë rënë nga programi”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se shkak për anulimin e operimeve të tjera gjatë këtij viti ka qenë edhe mungesa e disa anestetikëve.

LEXO EDHE: Akuzojnë njëri-tjetrin për aktakuzat e dështuara

“Ka ndodhur që edhe më herë kanë rënë prej programit për shkak të anestetikëve, por ne nuk kemi mbajtur evidencë se sa persona kanë rënë nga programi, por ka ndodhur që brenda këtij viti diku kanë qenë edhe dy-tri raste të tjera. Më herët ka qenë për shkak të tjetër lloji të anestetikëve”, ka theksuar ai.

Sipas tij, pacientët të cilëve u anulohen operimet thirren atëherë kur bëhet furnizimi me barna.

“Operimet shtyhen varësisht kur të vijë furnizimi. Nuk është mungesë e vazhdueshme dhe nuk zgjat, ndodh që një ditë ose dy ditë të zgjasë mungesa. Kur vijnë anestetikët pacientëve që kanë qenë në program ua bëjmë të mundshme që shpejt t’i kryejnë operimet”, ka theksuar ai.

Urologu Haxhiu: As në kohë të luftës nuk janë anuluar operimet

Shefi i repartit “B” të Klinikës së Urologjisë në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Isa Haxhiu, ditë më parë përmes një letre të hapur drejtuar ministrit të Shëndetësisë Uran Ismaili ka thënë se as gjatë luftës nuk ka ndodhur që pacienti të mos operohet për shkak të mungesës së barnave.

“Kurrë s’ka ndodhur, edhe pse në kushte lufte, që pacienti të mos operohet, pra të bjerë nga programi operator për shkak të mungesës së një ampule Fentanyl (që nuk kushton as 2 euro), ashtu siç ngjan sot, më shumë se katër herë vetëm që nga fillimviti e gjer më sot”, ka theksuar ai.

Sipas tij, pacientë i blejnë vetë edhe gjërat më elementare për trajtim mjekësor.

“Sot si asnjëherë tjetër pacientët tanë janë të detyruar t’i blejnë edhe gjërat më elementare, që nga dorëzat e gazat, infuzionet e antibiotikët, analgjetikët e antiemetikët. Ata janë të detyruar të blejnë edhe mantele dhe kompresa për veshje të personelit e mbulim të tyre në sallat e operacionit, gjë që nuk ka ndodhur as në luftë, sepse në Spitalin e Mollopolcit, atje ku isha gjatë saj, të gjitha këto kishim arritur t‘i siguronim dhe pacientët nuk blinin asgjë për trajtimin e tyre”, ka thënë ai.

SHSKUK: Po përmirësohet furnizimi me barna

Zyrtarë për Informim në Zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) kanë thënë për “Zërin” se furnizimi me barna nga lista esenciale po vjen duke u përmirësuar.

“Ju njoftojmë se ditëve të fundit ka pasur përmirësim të furnizimit me barna dhe furnizimi vazhdon edhe ditëve në vijim. Po ashtu ju njoftomë se të gjitha sallat operative të QKUK-së janë në funksion të plotë dhe të gjitha rastet emergjente dhe ato të planifikuara janë kryer dhe vazhdojnë të kryhen”, kanë thënë ata.

Sipas tyre, është duke u përmirësuar edhe furnizimi me material shpenzues.

“Gjithashtu jemi furnizuar me barna dhe material medicional që do t’i mbulojë të gjitha nevojat e Klinikës së Neonatologjisë në periudhën kohore prej një muaji. Tani është duke u përmirësuar furnizimi edhe me material shpenzues”, është thënë në një përgjigje për gazetën.

Në anën tjetër, deputetja e AAK-së Time Kadrijaj ka thënë se ministri duhet të bëjë një zgjidhje për barnat.

“Jemi në luftim të çfarëdo parregullsie që është, qoftë me tenderët, qoftë çështja e furnizimit të institucioneve me barna nga lista esenciale dhe material shpenzues. Duhet të gjendet një model që të furnizohen. Është e pakuptimtë duke u bazuar në atë se në disa klinika është lista e gjatë e pritjeve dhe ato po zgjaten ende. Të mos mundë të kryhen operacione, kjo nuk ka kuptim”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ministri i Shëndetësisë Uran Ismali duhet të bëjë një zgjidhje që të mos ketë mungesë të barnave për operacione.

“Ministri Haradinaj ka ndarë mjete shtesë për furnizim me barna dhe me material shpenzues. E di që këto procedurat e tenderimit marrin një kohë të gjatë, megjithatë ministri është dashur të gjejë një zgjidhje dhe duhet  të bëjë zgjidhje sa më shpejt, në mënyrë që të mos bllokohet puna as në spitalet rajonale për shkak të mungesës së materialit për operacione”, ka thënë ajo.