Akuzojnë njëri-tjetrin për aktakuzat e dështuara

Kronika June 18, 2018 - 08:35
Mësoni më shumë shumë detaje

Hedhja e aktakuzave dhe aktgjykimet liruese të rasteve që kanë të bëjnë me korrupsionin e nivelit të lartë kanë bërë që prokurorët dhe gjyqtarët t’ia hedhin fajin njëri-tjetrit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Akuza e kundërakuza mes prokurorëve dhe gjyqtarëve nisën pas dështimit të disa rasteve, ku të akuzuar ishin ish-zyrtarë të lartë, duke përfshirë ish-rektorin Enver Hasani, ish-kreun e Apelit Sali Mekajn dhe ish-sekretarin e përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Tolajn.

Prokurorët pretendojnë se aktakuzat e tyre janë në rregull, por gjykatat janë ato që nuk po i vlerësojnë si duhet aktakuzat.

Kryeprokurori i Prokurorisë në Prishtinë, Imer Beka, pretendon se Prokuroria me të drejtë ka reaguar kundër hedhjes së këtyre aktakuzave.

LEXO EDHE: 1 milion euro humbje nga keqmenaxhimi i kredive shtetërore

Sipas tij, aktakuzat që kanë të bëjnë me lëndët e krimeve ekonomike dhe të korrupsionit janë të mira, ashtu siç janë edhe lëndët e natyrave të tjera, të cilat vërtetohen nga gjykatat, shkruan më tutje "Zëri".

“Duhet të ndërpriten këto akuza e kundërakuza mes prokurorëve dhe gjyqtarëve. Mirëpo unë mendoj se Prokuroria ka pasur të drejtë që ka reaguar, jo që unë e mbaj anën e Prokurorisë, por më duket se lëndët ekonomike dhe të korrupsionit është një fakt që e ka vërtetuar edhe Prokuroria e Shtetit se bien akuzat tona që kanë të bëjnë me korrupsion”, ka thënë kryeprokurori Beka.

Sipas tij, gjyqtarët po mundohen që duke e arsyetuar problemin e vet të shfryhen në Prokurori.

Megjithatë, sipas Bekës, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) kanë nevojë për koordinim për t’i identifikuar arsyet e këtyre problemeve.

“Problemin nuk e di, por unë mendoj se niveli i akuzave është njëjtë i mirë sikurse i natyrës së lëndëve të tjera të cilat vërtetohen nga gjykatat, prandaj pse bien ato lëndë duhet ta shikojmë këtë problem. Prokuroria e Shtetit ka pasur arsye pse e ka hapur këtë temë”, është shprehur Beka. Në anën tjetër, më të butë në këtë çështje janë treguar krerët e sistemit gjyqësor.

Kreu i KGJK-së: Askush s’ka të drejtë t’i komentojë vendimet e gjykatave

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) Nehat Idrizi thotë se kanë qenë vetëm disa deklarata personale që kanë dalë, sidomos nga prokurori Shqipdon Fazliu e që sipas tij ka pasur një debat në mjetet e informimit publik.

Sipas kreut të KGJK-së, prokurorët dhe gjyqtarët duhet ta kryejnë punën e vet dhe nuk kanë të drejtë t’i komentojnë vendimet e askujt, sepse janë instancat e tjera që korrigjojnë, bëjnë përmirësime nëse ka gabime ose dyshime në vendimet e gjykatave.

“As unë si kryesues dhe asnjë nuk ka të drejtë t’i komentojë vendimet e gjykatave dhe as ne nuk kemi të drejtë t’i komentojmë aktakuzat a janë të mira a jo. Janë instancat më të larta, Gjykata e Apelit dhe Supremja, ato vendosin edhe për vendimet e gjykatave dhe për gjitha çështjet e tjera. Ne vetëm e kemi bërë një reagim për të treguar se nuk është mirë të komentohen, sepse kjo është në kundërshtim me kodin e etikës. As gjyqtarëve dhe as prokurorëve nuk u lejohet t’i komentojnë vendimet e gjykatave”, shprehet Idrizi.

Ai thotë se ka raporte të mira me kryesuesin e KPK-së dhe janë dakorduar që të mos përsëriten këto akuza dhe kundërakuza mes prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Mirëpo kreu i KGJK-së nuk përjashton mundësinë që në mesin e gjyqtarëve mund të ketë edhe të atillë që janë të ndikuar politikisht.

“Nuk përjashtohet mundësia që në çdo shoqëri, në çdo institucion mund të ketë edhe shkelje qoftë të kodit, qoftë të rregullit të mirësjelljes, por ato tash varet gjyqtari sa lejon të jetë i ndikuar qoftë nga politika, nga rrethi, shoqëria ose edhe nga ambienti i cili e rrethon. Ato janë të ndaluar, nuk janë të mira, por nëse eventualisht ka raste të tilla, për atë janë procedurat ligjore të parapara”, thotë Idrizi.

Peci: KGJK-ja dhe KPK-ja po luajnë pingpong me njëra-tjetrën

Gjithë këtë çështje po e sheh si një lojë pingpongu mes KGJK-së dhe KPK-së ish-kreu i KGJK-së, tashmë kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci.

Ai për “Zërin” thotë se secili i ka kompetencat e veta dhe nuk është e nevojshme që faji t’i hedhet njëri-tjetrit.

“Nuk është mirë si institucione të luajnë pingpong me njëri-tjetrin. Nuk komentohen vendimet individuale të askujt derisa të vërtetohet e kundërta. Secili i ka kompetencat e veta në kuptimin e asaj që gjyqtari i  vlerëson provat, prokurori është për t’i vlerësuar provat dhe për të ngritur aktakuza, por është vlerësim i gjyqtarit se duhet një bazë më e fortë për të vërtetuar një dyshim të arsyeshëm në fazën e gjykimit”, tha kreu i Supremes, Enver Peci.

As ai si kryetar thotë se nuk ka të drejtë të ndërhyjë se kush ka të drejtë e kush jo dhe në parim, sipas Kodit të Etikës, komentimi i vendimeve gjyqësore është i ndaluar.

Edhe Genc Nimoni, nga organizata “Çohu”, thotë se përplasja në mes të KGJK-së dhe KPK-së lidhur me hedhjen e aktakuzave dhe nivelin e pakënaqshëm të argumentimit të aktakuzave është një mënyrë joprofesionale dhe joetike e komunikimit nga të dy taborët dhe gjithashtu tërësisht e panevojshme.

Ai pohon se “Çohu” monitoron sistemin prokurorial dhe atë gjyqësor dhe gjatë këtij monitorimi ka identifikuar se është një performancë e dobët profesionale në Prokurori dhe në gjykata në trajtimin e rasteve.

Sipas tij, si shkak i mungesës së rezultateve vazhdon të mos ketë llogaridhënie të prokurorëve dhe të gjykatësve.

“Mendoj se sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor përballen me defekte serioze profesionale, që kanë të bëjnë me kualitetin e aktakuzave dhe përfaqësimin e tyre nga prokurorët, si dhe dënimet e buta dhe absurde nga ana e gjykatave. Mungesat profesionale dhe mungesa e rezultateve qoftë të njërit tabor, qoftë të tjetrit, siç duket shtyn këto dy institucione të akuzojnë njëra-tjetrën, duke u tentuar përmes kësaj të arsyetohet mospuna e tyre”, ka thënë Nimoni.

Komunikimi i Prokurorisë dhe i gjykatave, sipas tij, do të duhej të ishte përmes rrugës profesionale procedurale, me ç’rast vendimet e Gjykatës do të mundë të atakoheshin edhe në dy nivele më të larta në hierarkinë gjyqësore.

Nimoni thotë se definitivisht mungon llogaridhënia e gjykatësve dhe e prokurorëve dhe gjithashtu mungojnë rezultatet e komisioneve për vlerësimin e performancës në kuadër të KPK-së dhe KGJK-së.