1 milion euro humbje nga keqmenaxhimi i kredive shtetërore

Ekonomia June 18, 2018 - 08:15
Lexoni më shumë detaje

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për borxhet publike ka gjetur se si pasojë e mospërputhjes së dinamikës kohore në mes të alokimit të kredive dhe realizimit të projekteve vlera e paguar e tarifave të zotimit për mjetet e kredive të patërhequra nga huamarrësit është 890 mijë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Një raport i publikuar ditë më parë nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nxjerrë në pah planifikimet jo të mira të Qeverisë me borxhin publik. Mangësia kryesore po del të jetë aftësia e dobët e organizatave zbatuese të projekteve në shfrytëzimin me kohë të fondeve.

Madje Qeveria ka hyrë edhe në detyrime financiare për projektet që nuk i ka planifikuar me kohë.

LEXO EDHE: Dialogu, i papërcaktuar

“Në mungesë të përgatitjeve të duhura për fillimin e ekzekutimit të projekteve 295.809.378 euro janë mjete të cilat nuk janë tërhequr/shpenzuar sipas marrëveshjeve të arritura me institucionet financiare ndërkombëtare edhe pse kanë qenë në dispozicion për t’u përdorur. Si pasojë e mospërputhjes së dinamikës kohore në mes të alokimit të kredive dhe realizimit të projekteve vlera e paguar e tarifave të zotimit për mjetet e kredive të patërhequra nga huamarrësit arrin kuotën prej 890.000 €”, thuhet në raportin e Auditorit, shkruan më tutje "Zëri".

Vonesat e tilla ky institucion po i konsideron si pasojë e studimit të fizibilitetit, si dhe mangësi në krijimin e parakushteve për eliminimin e pengesave infrastrukturore dhe ligjore në realizim projektesh, për të cilën Qeverisë po i kërkohet mbikëqyrje e shtuar.

“Auditori i Përgjithshëm ka rekomanduar Qeverinë  që para se të fillojë procesi i huamarrjeve të bëhen analiza dhe planifikime të hollësishme që fondet e huamarrjes të shfrytëzohen me kohë, në mënyrë efikase, efektive dhe ekonomike, derisa duhet të ketë një mbikëqyrje të shtuar në mënyrë që të rritet dinamika e përdorimit të fondeve në dispozicion”, theksohet më tutje.

Por, me këtë shumë borxhesh të arritura Qeveria nuk është duke e rrezikuar stabilitetin financiar të shtetit. Të paktën kështu thuhet në vlerësimin që Auditori ka nxjerrë për menaxhimin e borxheve publike.

“Qeveria në periudhën kohore 2009-2017 ka respektuar në tërësi limitin e lejuar për marrjen e borxheve publike dhe niveli i borxhit nuk paraqet ndonjë kërcënim për stabilitetin financiar të shtetit. Borxhi publik është përdorur për financimin e deficitit të buxhetit dhe financimin e projekteve investuese, të cilat vlerësohen të jenë me interes kombëtar”, ka thënë ai.

Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë zhytjen në borxhe

Por, ndryshe po vlerësohet situata me borxhin publik nga ekspertët e ekonomisë.

Ata po paralajmërojnë se si rezultat i planifikimit jo të mirë Kosova mund të zhytet në borxhe.

Eksperti i ekonomisë Lekë Musa në një prononcim për gazetën “Zëri” po vlerëson se shpenzimet e tilla aktualisht po bëhen për vota dhe për përfitime politike.

“Problemi i parasë publike në Kosovë është shumë më i thellë sesa kaq. Fillimisht gjithçka duhet të niset nga një plan konkret, një strategji e zhvillimit, prej nga pastaj nxirret një plan i qartë, ndërtimi i kornizës së qartë të shpenzimeve. Fatkeqësisht në Kosovë gjithçka është duke shkuar ad-hoc, pa planifikim dhe shpenzimet bëhen kryesisht për vota dhe për përfitime politike”, ka deklaruar Musa.

Më tutje ai ka drejtuar kritika edhe për planifikimin e projekteve.

“Nuk ka në prapavijë një planifikim i cili do të derivonte nga plani i zhvillimit ekonomik. Prandaj së shpejti do të mundim të ballafaqohemi me probleme të mëdha ekonomike si rezultat i politikave te popullsitë, të cilat do të zhysin edhe më thellë Kosovën në deficit dhe në borxh publik”, ka përfunduar mes të tjerash ai.

Vonesat e implementimit të projekteve i ka komentuar edhe ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri.

“Është njëfarë dukurie që po e përcjell këto vite Kosovën. Marrëveshjet për kredi kalojnë në Kuvend, fillojnë obligimet për kreditë që janë lejuar ndaj investitorëve të jashtëm. Prandaj punët vonojnë të fillojnë, vonon të implementohet projekti. Është e dëmshme sepse humbim kohë, një kohë të çmueshme kur është dashur të nisë dhe të përfundojë projekti, edhe këto obligimet startojnë me afate të caktuara kohore”, ka deklaruar Shatri për gazetën.

Hadërgjonaj: Vitet e fundit ka pasur trend të rritjes së borxhit

Stabiliteti financiar i vendit nuk rrezikohet nga gjendja momentale e borxhit publik, ndonëse vitet e fundit ka pasur rritje të borxhit. Kështu po vlerëson zëvendëskryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj.

Hadërgjonaj në një prononcim për “Zërin” e ka cilësuar të ulët borxhin publik dhe në shifrat të cilat lejohen.

“Stabiliteti nuk rrezikohet me këtë gjendje momentale që e kemi të borxhit publik. Në Kosovë borxhi publik është i ulët, edhe pse viteve të fundit ka pasur një trend të rritjes prapëseprapë borxhi publik është i ulët, është diku nën shifrat të cilat lejohen”, ka thënë ajo.

Zëvendëskryetarja e këtij komisioni thotë se deri në 40 për qind të bruto produktit vendor mund të shkohet me borxh publik.

“Ne e kemi edhe rregullën fiskale që nuk lejon rritjen e madhe të borxhit publik. Zakonisht kjo rritje ka shkuar për shkak të klauzolës së investimeve ku kemi pasur më shumë kredi të marra për investime kapitale. Mirëpo për momentin nuk është rrezikuar vendi me borxhin publik”, ka shtuar më tutje Hadërgjonaj.

Në raportin e fundit të Ministrisë së Financave (MF) thuhet se nga shuma e borxheve publike 415.98 milionë euro janë borxh ndërkombëtar, derisa shuma tjetër prej 612.49 milionë eurosh është borxh i brendshëm.

Shuma e borxhit publik deri në fund të vitit që lamë pas kishte arritur në 996 milionë euro.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ishte huamarrësi më i madh, ndaj të cilit Kosova ka detyrime financiare.