Kurti: Haradinaj i dha luftës për çlirimin e Kosovës, katër gjeneralë e dy dëshmorë

Aktuale June 17, 2018 - 13:32
Detajet

Kryetari i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti iu ka shprehur ngushëllime familjes Haradinaj, për ndarjen nga jeta të Hilmi Haradinajt. Kurti përmes një postimi në “Facebook”, ka shkruar se këtë lajm e ka marrë me pikëllim të thellë, pasi që sipas tij Hilmi Haradinaj luftës për çlirimin e Kosovës i`a dha katër gjeneralë e dy dëshmorë, shkruan “Zëri.info”.

LEXO EDHE: Selimi: Për mua do të jesh gjithmonë heroi im

Ja postimi i plotë i tij:

“Me pikëllim mësuam për ndarjen nga jeta të bacës Hilmi Haradinaj, babait të dëshmorëve të kombit, Luan e Shkëlzen Haradinaj.

Për breza me radhë, trevat shqiptare kanë formësuar dhe kalitur prindër të urtë e të fortë, të cilët qëllim parësor kishin rritjen dhe brumosjen e fëmijëve të tyre në frymën e lirisë dhe atdhedashurisë.

Janë brezat e odave, të fjalës e besës, të parmendës e pushkës, të cilët kishin të rrënjosur thellë dashurinë ndaj tokës e kombit dhe qëndresën në luftën për liri e bashkim.

I tillë ishte Hilmi Haradinaj, i cili luftës për çlirimin e Kosovës ia dha katër gjeneralë e dy dëshmorë.

Me rastin e lajmit për vdekjen e bacës Hilmi, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve e të afërmëve, gjithë trevës së Dukagjinit e më gjerë.

Qoftë i paharruar kujtimi për Bacën Hilmi!”, ka shkruar Kurti. /ZERI