Qeveria 'Haradinaj', e shpartalluar

Aktuale May 23, 2018 - 07:55
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka theksuar se partitë politike sa më shpejt duhet të dakordohen për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi qeveria “Haradinaj” është shpartalluar në çdo drejtim, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Dialogu me Serbinë nuk duhet të udhëhiqet nga presidenti Hashim Thaçi, por nga kryeministri Ramush Haradinaj, sepse e përfaqëson shumicën parlamentare, por këtë të fundit askush nuk e merr si partner kredibil, pasi e drejton partinë e pestë parlamentare në Kosovë.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, duke shtuar se Haradinaj nuk ka fuqi politike për të garantuar se marrëveshja politike e arritur me shtetin fqinj do të mundë të zbatohet.

LEXO EDHE: Kushtetuta, pa 'gardian'

Shefi i deputetëve të partisë më të madhe opozitare në vend thotë se partitë politike duhet të dakordohen për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi kjo Qeveri është e shpartalluar.

“Kjo Qeveri është e shpartalluar në çdo drejtim dhe sa më shpejt të përfundojë ky model i qeverisjes, i cili vazhdimisht prodhon skandale, është më mirë për vendin”, ka pohuar Hoti.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” Hoti bën të ditur se është çështje javësh kur Isa Mustafa do të kthehet dhe do ta drejtojë LDK-në, duke sqaruar se gjendja shëndetësore e shefit të partisë është duke u përmirësuar në vazhdimësi.   

Zëri: Si e vlerësoni punën e deritanishme të qeverisë “Haradinaj”?

Hoti: Ashtu si është themeluar, si qeveri “në kuti”, duke ndarë poste brenda koalicionit pa pasur një orientim të qartë programor, ashtu edhe është duke shkuar puna e kësaj Qeverie. Kemi kaluar prej një krize në tjetrën, prej një skandali në tjetrin. Çdo ditë kemi nga një skandal të ri të kryeministrit dhe të Qeverisë.

Zëri: Cilat janë vërejtjet kryesore për këtë Qeveri?

Hoti: Këtu problemi është se nuk ka një program të qartë të qeverisjes. Ne kemi një qeveri skandaloze nga fillimi deri në fund. Janë tre-katër ministra me aktakuza, me ministër që s’e pyet askush për asgjë, që nuk ka agjendë të qartë programore as agjendë legjislative dhe as reforma për integrim evropian e lëre më për reformat në ekonomi, në arsim e në shëndetësi. Kemi një Qeveri komplet të shpartalluar në çdo drejtim. Pra, kjo opozitë tani nuk mund ta luajë rolin e zakonshëm për të kritikuar segmente të caktuara të Qeverisë. Prandaj, sa më shpejt që të përfundojë ky model i qeverisjes është më mirë për vendin.

Diplomacia kosovare në defensivë

Zëri: A vlerësoni se është punuar diçka mirë deri më tani nga ky koalicion qeverisës?

Hoti: Ma thoni. Ju jeni gazetar dhe përcillni punën e Qeverisë, më thuaj se cilat janë të mirat, sepse puna e një qeverie matet kur diçka mbetet edhe për të ardhmen si një gur që vendoset në qeverisje në ndërtimin e shtetit dhe aty mbetet trashëgimia e një qeverisjeje. Nëse pyesni për qeverisjen “Mustafa”, i keni reformat në ekonomi, disa lëvizje në politikën ndërkombëtare, programin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndryshimin e Ligjit për Borxhin Publik që mbesin për disa mandate në të ardhmen. Gjatë këtij mandati nuk sheh asgjë. Merreni politikën e jashtme, nga pozicioni ofensivë për të krijuar njohje të reja, diplomacia jonë tani po punon që të mos kemi tërheqje të njohjeve. Kemi qeverinë më të keqe, nuk po them më të dobët, por më të keqe të mundshme që ka mundur ta imagjinojë dikush gjatë këtyre viteve. Kemi pasur vendime si: shkarkimi i bordeve, prej Bordit të Agjencisë së Akreditimit, i cili rezultoi me përjashtim të Kosovës nga Regjistri Evropian i Cilësisë, vendimi për t’ia rritur pagat vetes dhe të kabinetit, për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale, vendimi për të dëbuar gjashtë shtetasit turq në kundërshtim me të gjitha ligjet vendore dhe ndërkombëtare, vendimi për faljen e gati 60 milionë euro borxheve të prodhuesve të ujit. Vendime që kur pyetet nga ju si gazetarë përgjigjja e tij ka qenë “Për qejf” ose “Nuk e di se çka po ndodh”. Tash është drejtuar kah ne, i kemi parë kritikat e fundit që i kthehet LDK-së për procese të mëdha në vend. Si mundet që një parti opozitare të ndikojë në proceset ditore të një vendi. Kur mbërrin në atë pikë, atëherë Qeveria duhet të dorëzohet.

Të dakordohemi për datën e zgjedhjeve

Zëri: LDK-ja tash e disa muaj është duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, a mendoni se ka vullnet të partive tjera për zgjedhje?

Hoti: Janë mbajtur dy tryeza, të cilat i kemi iniciuar. Të premten kërkesa jonë dhe insistimi ynë do të jetë i qartë se vendi është në krizë institucionale, duhet të dakordohemi për datën e zgjedhjeve dhe për veprimet që duhet të ndodhin e që të mos paralizohen institucionet e vendit. Partitë e opozitës mund ta arrijnë një marrëveshje, sepse ndryshe opozita nuk mund të funksionojë nëse nuk ka për qëllim dhe nuk ka ndonjë alternativë më të mirë sesa koalicioni ekzistues, por të shohim mënyrën se si po sillen këta në koalicionin qeverisës. Duke insistuar që të vazhdohet më tutje me këtë formë të qeverisjes është vështirë të arrihet një marrëveshje, por ne do t’i ndjekim rrugët tona kushtetuese dhe ligjore.

Zëri: Të premten në tryezën e organizuar nga Vetëvendosja pritet të diskutohet për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, a prisni marrëveshje aty?

Hoti: Ne i kemi dhënë mundësi dialogut që të mos e çojmë vendin në zgjedhje brenda muajit, pra në mënyrë të papërgatitur dhe të bllokohet funksionimi normal i shtetit. Ne qëndrimin tonë e kemi të qartë, besoj që në këtë rrugë na bashkohen edhe partitë tjera opozitare.

Zëri: A është e gatshme LDK-ja për zgjedhje duke e ditur se kryetari Mustafa ende nuk është kthyer aktivisht në parti?

Hoti: Unë po ua heq këtë dilemë juve dhe të gjithë gazetarëve, sepse ne i kemi hyrë kësaj pune para gati dy muajve dhe është vendim i Kryesisë që ne t’i japim mundësi dialogut përmes këtyre tryezave politikë për ta çuar vendin në zgjedhje në mënyrë të dakorduar. Nëse jo, ne do të ndjekim rrugën tonë.

Nëse s’ka dakordim për zgjedhje procedohet mocioni

Zëri: Nëse nuk arrihet marrëveshje në mes të partive, si do të veproni për rrëzimin e Qeverisë?

Hoti: Hapat tjerë janë kushtetues, është mocioni që dërgohet në Kuvendin e Kosovës. Organet e partisë do të mblidhen shpejt për të diskutuar dhe për të vendosur për hapat tutje. 

Zëri: A prisni që Kosova të marrë shpejt liberalizimin e vizave?

Hoti: Gjatë mandatit të Qeverisë paraprake kanë qenë 95 kritere, 94 i kemi plotësuar dhe i vetmi që pati mbetur ka qenë ratifikimi i Marrëveshjes së Kufirit me Malin e Zi. Edhe ky është plotësuar. Liberalizimi i vizave sot do të ishte një çështje e kryer, e harruar deri më tani sikur Haradinaj të mos përdorte dhunë të shfrenuar në institucione. Tash është kthyer edhe kushti i luftimit të korrupsionit. Tash i takon Qeverisë që t’i bindë partnerët tanë në Bruksel që Qeveria është e vendosur dhe të japë evidencë të besueshme se po luftohet korrupsioni në vend, ndonëse janë 3-4 ministra që janë me aktakuzë. Në qeverinë “Mustafa” ka qenë një ministër me aktakuzë, të cilit i është kërkuar menjëherë ta lirojë detyrën, ndërsa tash janë katër ministra.

Zëri: Çka prisni prej fazës së fundit të dialogut. A mendoni që do të përfundojë me njohje, apo ka hapësirë të bëhen kompromise?

Hoti: Ne si LDK besojmë dhe gjithmonë kemi dhënë dëshmi që dialogu është e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur problemet me Serbinë. Ne jemi me fat që janë mbështetësit e dialogut Brukseli, vendet kryesore të BE-së dhe SHBA-ja, por nuk jemi duke e shfrytëzuar momentumin për ta përballur këtë proces të rëndësishëm. Pastaj është problem të zhvillohet dialog në emër të Kosovës nga një qeveri që nuk e përfaqëson shumicën e vendit. Kryeministri i Kosovës vjen nga partia e pestë parlamentare, pra atij nuk i beson askush në tavolinë që është partner kredibil, që mund të merresh vesh me të dhe të zbatohet e të realizohen marrëveshjet, sepse s’ka fuqi që t’i çojë përpara. Ju e keni dëgjuar kryetarin e PDK-së që thotë se ne jemi të gatshëm që t’ia lëmë çështjen e dialogut LDK-së. Kjo tregon që këta kanë kapitulluar dhe s’kanë fuqi për t’i çuar proceset e mëdha përpara. Dialogu me Serbinë duhet të udhëhiqet nga kryeministri, sepse ai përfaqëson shumicën parlamentare, roli i presidentit te ne është ceremonial, ai nuk ka mandat kushtetues. Dialogu duhet të udhëhiqet nga Qeveria, një Qeveri që e ka shumicën parlamentare në Kuvend. Nëse nuk e ka duhet të lëshojë rrugë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Ende nuk dihet se në çfarë formati do të shkojë dialogu. Kemi parë një platformë të zbrazët, që është sjellë në Kuvend, një platformë që nuk definon asgjë.

Çështje javësh kur Mustafa do të kthehet në LDK

Zëri: Të kthehemi edhe një herë te LDK-ja. Si është gjendja shëndetësore e kryetarit Mustafa?

Hoti: Shumë e mirë, po përmirësohet. Unë pres që tani është çështje javësh kur ai do të kthehet në detyrat e tij të përditshme në LDK.

Zëri: Vitin tjetër LDK-ja ka zgjedhjet e brendshme, ndërsa qysh tani kanë filluar zërat për atë se kush do ta marrë drejtimin e partisë. Si është situata brenda LDK-së, a dihen kandidatët e mundshëm për kryetar?

Hoti: Diskutimi për zgjedhje në LDK dhe për kreun e LDK-së është diskutim që po ndodh vetëm në medie dhe jo në LDK. LDK-ja është në momentumin më të mirë tash e dhjetë vjet. Zgjedhjet e rregullta partiake janë në maj të vitit të ardhshëm. Deri atëherë kjo nuk është temë brenda LDK-së.

Zëri: Megjithatë, a pritet që pas zgjedhjeve të brendshme të ketë ndryshime në strukturat udhëheqëse të LDK-së?

Hoti: Kjo nuk është temë. Kryetari i LDK-së e ka kthyer LDK-në në parti të parë. Në zgjedhjet lokale jemi partia e parë në vend. Kur të vijë koha, në maj, do të flasim për këtë.

Zëri: A do të kandidoni ju për kryetar të LDK-së?

Hoti: Kryetari i ardhshëm i LDK-së do ta marrë besimin e 350 delegatëve. Në Kuvendin e LDK-së do të zgjidhet personi që mund ta bartë mbi supe këtë trashëgimi të LDK-së, por kjo nuk është temë njëherë po ju them.

Ata që shpresojnë në përçarjen e LDK-së e kanë gabim

Zëri: A ka rrezik që LDK-ja të përçahet edhe një herë?

Hoti: Nuk ka asnjë rrezik që LDK-ja të përçahet. Ata që presin që LDK-ja të përçahet për të përfituar politikisht e kanë gabim. Nëse edhe dy vjet nuk mbahen zgjedhjet e përgjithshme, LDK-ja ka kohë të presë për t’i fituar zgjedhjet. 

Zëri: A do t’i konvenonte LDK-së që të priste edhe dy vjet?

Hoti: Ne jemi këtu. Ne jemi gardianë të shtetit, ne nuk do të lëshojmë rrugë që shteti të degradojë. Sa shpejt do ta çojmë këtë agjendë përpara nuk varet vetëm nga ne, por ju siguroj që ne do të përdorim vetëm rrugë kushtetuese dhe ligjore për ta çuar vendin në zgjedhje. Nuk jemi ne ata që gjuajmë gaz lotsjellës, as që e djegim Kuvendin për t’i realizuar qëllimet tona politike. Kryeministri aktual që akuzon LDK-në është ai që e ka bllokuar vendin për tre vjet rresht me dhunën e tij brenda dhe jashtë Kuvendit. Neve na konvenon të shkojmë në zgjedhje, por çështja është se a i konvenon shtetit të Kosovës ta mbajë një Qeveri të pakicës, e cila çdo ditë prodhon skandale.

Zëri: Edhe mbajtja e zgjedhjeve çdo vit nuk i konvenon shtetit?

Hoti: Sado që mund të jenë të kushtueshme dhe jo të përshtatshme t’i nxjerrim qytetarët në zgjedhje, nuk ka rrugë tjetër për të prodhuar një Qeveri legjitime. Unë besoj që gjatë këtyre shtatë-tetë muajve të kësaj qeverisjeje e kanë parë modelin e qeverisjes së këtyre personave.