Kushtetuta, pa 'gardian'

Aktuale May 23, 2018 - 07:52
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Kushtetuta e Kosovës rrezikon të mbetet pa “gardian”, pasi që Gjykata Kushtetuese pas më pak se një muaji nuk do të ketë kuorum për vendimmarrje. Deri te kjo gjendje ka ardhur pas dështimit të Kuvendit për t’i zgjedhur tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, pasi që tre prej gjyqtarëve aktualë pritet t'iu përfundojë mandati më 15 qershor, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Gjykata Kushtetuese pritet të mbetet pa kuorum në vendimmarrje pas 15 qershorit të këtij viti. Kjo pasi Kuvendi i Kosovës dështoi t’i zgjedhë tre gjyqtarët shqiptarë gjatë javës që shkoi, ndërkohë që procedurat deri te votimi i sërishëm marrin kohë të konsiderueshme.

Gjykata Kushtetuese ka gjithsej nëntë gjyqtarë, por meqë tre prej tyre e përfundojnë mandatin më 15 qershor Gjykata mbetet me vetëm 6 të tillë. E për të pasur kuorum sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese duhet të jenë të pranishëm 7 gjyqtarë gjithsej.

Nga Kuvendi i Kosovës kanë njoftuar për gazetën “Zëri” se konkursi për aplikim për gjyqtarë është rihapur dje, mirëpo anëtarët e Komisionit për Legjislacion thonë se deri te votimi i ardhshëm mund të shkojë kohë e gjatë, ndoshta deri në vjeshtën e këtij viti.

Nga ana tjetër, nga Gjykata Kushtetuese kanë konfirmuar për “Zërin” se kjo gjykatë nuk do të ketë kuorum për vendimmarrje pas 15 qershorit 2018.

Gjatë muajit qershor pritet që mandati t’u përfundojë katër gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, në mesin e të cilëve janë dy gjyqtarë ndërkombëtarë.

Nga Zyra për Informim e Gjykatës Kushtetuese e kanë konfirmuar se pas largimit të këtyre gjyqtarëve ndërkombëtarë, Almiro Rodrigues dhe Snezhana Botusharova - Doicheva, Gjykata nuk do të ketë kuorum.

“Pas largimit të gjyqtarëve Rodrigues dhe Botusharova – Doicheva, më 16 qershor 2018, Gjykata Kushtetuese nuk do ta ketë kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje”, theksohet më tutje në përgjigjen e Kushtetueses. Në përgjigjen e Gjykatës më tej bëhet e ditur se gjatë muajit që vjen mandati u skadon edhe dy gjyqtarëve të tjerë kushtetues: zëvendëskryetarit Ivan Çukaloviq dhe gjyqtarit Altay Suroy.

Haxhiu: Gjykata rrezikon të mbetet jofunksionale

Pas dështimit që të zgjidhen tre gjyqtarët shqiptarë, kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu ka vlerësuar se Gjykata Kushtetuese rrezikon të mbetet jofunksionale.

“Gjyqtarët aktualë kanë mandat deri më 15 qershor. Nëse nuk përfundon procesi deri në atë kohë Gjykata mbetet jofunksionale. Duke pasur parasysh afatin e konkursit, që është i hapur 15-20 ditë, duket që do të jetë jofunksionale, sepse 7 gjyqtarë përbëjnë kuorumin”, ka theksuar Haxhiu. 

Pas kësaj, në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese thuhet se nevojiten edhe 15 ditë të tjera për shqyrtimin e kandidatëve të propozuar.

Duke marrë për bazë të gjitha procedurat në tërësi, të cilat duhet të kryhen para se të vihet deri te zgjedhja e gjyqtarëve, Korab Sejdiu, anëtar i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, ka vlerësuar se votimi i radhës për këtë çështje mund të mos ndodhë deri në vjeshtë.

“Mandati u skadon në qershor gjyqtarëve dhe natyrisht me procedurat që duhet përsëritur tani për ta gjeneruar një klasë të re të kandidatëve do të marrë kohë dhe nuk besoj që procedurat do të përfundojnë para vjeshtës, që t’i futemi sërish votimit. Mirëpo, edhe votimi nuk është se do ta garantojë përzgjedhjen e gjyqtarëve pa pasur ndonjë marrëveshje politike në mes të grupeve të mëdha politike”, ka nënvizuar ai.

Sejdiu ka konsideruar se problemi kryesor i dështimit të zgjedhjes së gjyqtarëve të Kushtetueses ka të bëjë me procedurat që ekzistojnë lidhur me këtë çështje.

“Besoj që problemin kyç e përbëjnë procedurat që janë paraparë për përzgjedhjen e gjyqtarëve, ku kërkohet një numër mjaft i lartë i deputetëve për të votuar për një kandidat të caktuar. Pra, çdo kandidat që pretendon për të qenë anëtar duhet t’i marrë 2/3 e deputetëve që janë të pranishëm aty dhe që votojnë”, ka deklaruar ai.

Konkursi për gjyqtarë është rihapur dje

Ndërkaq Ismet Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, ka bërë të ditur se konkursi i ri për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese është publikuar gjatë ditës së djeshme.

“Komisioni përkatës të martën ka marrë vendim për ta publikuar thirrjen publike për tri pozita (të lira) të gjyqtarëve në Gjykatë Kushtetuese”, ka deklaruar për “Zërin” Krasniqi.

Pas kësaj, deputetja e Partisë Socialdemokrate (PSD) Shqipe Pantina ka konsideruar se në pozitat e gjyqtarëve në Kushtetuese duhet të vijnë edhe persona të atillë të cilët kanë përvojë në fushën e drejtësisë.

“Deri më tash shumica e kandidatëve, por edhe atyre që janë zgjedhur, kanë qenë me përvojë kryesisht në akademi dhe në diplomaci. Do të ishte, besoj, në interes edhe të vetë Gjykatës Kushtetuese që në mesin e gjyqtarëve të ketë edhe të tillë që kanë përvojë në sistemin e drejtësisë”, ka deklaruar Pantina.

Berisha: Kalkulimet politike bllokuan funksionimin e Gjykatës

Njohësi i çështjeve kushtetuese Durim Berisha ka thënë për “Zërin” se dështimi i Kuvendit për t’i zgjedhur gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese është tregues i mungesës së vetëdijes institucionale dhe kushtetuese të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Ky veprim i pamatur, i cili qartazi u shkaktua nga kalkulimet politike, rrjedhimisht shkaktoi bllokimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese për shkak të mungesës së kuorumit për vendimmarrje në trup gjykues. Prandaj Gjykata Kushtetuese nuk do të mundë të vendosë për meritat apo pranueshmërinë e kërkesave të parashtruara”, ka vlerësuar Berisha.

Ai më tej ka thënë se ky veprim i pamatur, përmes të cilit rrezikohet funksionimi kushtetues i organeve shtetërore, i dëshmoi publikut se politika po synon t’i katapultojë në Gjykatën Kushtetuese ata që do t’i shërbejnë politikës dhe jo një gjyqësie kushtetuese të pavarur. Sipas tij, zgjedhja e gjyqtarëve të rinj do të duhet mbi 60 ditë.

“Procedurat tani duhet të përsëriten në tërësi dhe vetëm shpallja publike merr 30 ditë. Nëse punohet me përkushtim maksimal deri te përsëritja e procesit të votimit në Kuvend do të nevojitën në tërësi të paktën 60 ditë”, ka shtuar Berisha.

Zgjedhja e gjyqtarit serb konsiderohet skandaloze

Për dallim prej asaj që Kuvendi nuk ia doli t’i zgjedhë tre gjyqtarët shqiptarë, në seancën e së premtes u arritën të zgjidhen dy gjyqtarët e komuniteteve joshumicë: Radomir Llaban dhe Bajram Latifi.

Menjëherë pas kësaj pati reagime të shumta, duke kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që të mos e dekretojë Llabanin për gjyqtar. Përmes një letre drejtuar presidentit KMDLJ-ja bëri thirrje që Llaban të kalojë në një proces të verifikimit të së kaluarës.

Pavarësisht kësaj, nga Zyra e Presidentit nuk kanë dhënë përgjigje për “Zërin” nëse kreu i shtetit Hashim Thaçi do ta dekretojë apo jo gjyqtarin serb Radomir Llaban.

Ndërkaq teksa foli rreth kësaj, kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu e cilësoi skandaloze zgjedhjen e Llabanit për gjyqtar të Kushtetueses.

“Është skandaloze se si në mesin e atyre që u zgjodhën është personi i dënuar si pjesë e një grupi kriminal Radomir Llaban. Kjo u bë e mundur me votat e koalicionit, por edhe të një pjese të opozitës, qoftë të PSD-së ose të LDK-së”, u shpreh ajo.

Kurse dështimi i zgjedhjes së gjyqtarëve shqiptarë, sipas Haxhiut, ka ardhur si pasojë e pazareve mes partive të koalicionit qeverisës.

“Ky dështim ndodhi për shkak të pazareve të koalicionit. Ata ishin të interesuar që t’i dërgojnë në Kushtetuese njerëzit e tyre, sepse është e qartë që me këtë rregullim dhe me këtë koalicion nuk vlerësohet profesionalizmi, por afërsia me pushtetin. Mendoj që në mesin e tyre ka pasur profesionistë, ndonëse jo shumë, por ata nuk u dërguan në Gjykatën Kushtetuese pikërisht për shkak të pazareve dhe tendenca për ta kapur Gjykatën me njerëzit  e tyre”, ka deklaruar Haxhiu për “Zërin”