Hoxha takon drejtorin e ri të GIZ'it: Bashkëpunimi do të vazhdojë

Aktuale May 21, 2018 - 19:42
Detajet e takimit

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar sot, drejtorin e ri të Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), David Oberhuber.

Me Oberhuberin, Hoxha "ka diskutuar për bashkëpunimin e deritashëm, përkrahjen e fuqishme të cilin e jep Gjermania, në veçanti GIZ-i për procesin integrues", bën të ditur një njoftim nga MIE.

"Ministrja Hoxha e falënderoi Z. Oberhuber, duke theksuar se përkrahja gjermane është thelbësore në proceset nëpër të cilët po kalon Kosova, në veçanti procesi integrues", thekson njoftimi.

LEXO EDHE: Haradinaj i bindur: Vizat hiqen këtë vit

“GIZ-i ka ofruar mbështetje të fuqishme për procesin integrues, konsideroj se kjo ndihmë është thelbësore në këtë proces. Theksova të arriturat dhe sfidat e këtij procesi, duke u zotuar se zbatimi i rekomandimeve nga Brukseli janë prioritet, ashtu si procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët tanë dhe zbatimi i MSA-së”, ka thënë Hoxha.

Oberhuber vuri në pah përkushtimin e GIZ-it për këtë proces, duke theksuar të arriturat por edhe sfidat e këtij procesi, thuhet në njofitm.

Kosova do ta ketë edhe më tej mbështetjen e fuqishme në procesin integrues nga GIZ-i, ka thënë mes tjerash Oberhuber, duke vënë në dukje se ka ende shumë punë për t’u bërë, por rruga e Kosovës tashmë është e konfirmuar, brenda vlerave dhe integrimeve euro-atlantike.

Ai ka rikonfirmuar se përkrahja e GIZ-it, do të vijojë në pajtim me prioritetet e Qeverisë, procesin integrues. 

Bashkëbiseduesit u pajtuan se Agjenda Evropiane e Reformave dhe reformat ekonomike janë bazë e mirë e çuarjes përpara të agjendës integruese, agjendë të cilën GIZ-i do ta mbështes.