''Ushtria është serioze, s’mund të bëhet me deklarata'' (VIDEO)

Aktuale May 07, 2018 - 14:57
''Ushtria është serioze, s’mund të bëhet me deklarata''

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës, duam që të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.

Kështu ka thënë në intervistën ekskluzive dhënë Gazetës “Zëri”, komandanti i KFOR-it, Salvatore Cuoci.

Sipas tij, formimi i ushtrisë së Kosovës është diçka shumë serioze që kërkon kohë dhe duhen vite dhe sigurisht është një proces që duhet të diskutohet në mesin e popullatës

Zëri: Si të formohet ushtria e Kosovës nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese kur ka kundërshtime të mëdha nga Lista Serbe dhe nga qeveria e Serbisë?

Cuoci: Kjo është diçka që duhet të zgjidhet mirë brenda vendit, pasi që një ushtri është diçka serioze, nuk është diçka që do të arrini me deklarata. Ushtria kërkon kohë, duhen vite dhe sigurisht është një proces që duhet të diskutohet në mesin e popullatës. Pra, Kosova duhet të vendosë nëse dëshiron ta ketë ushtrinë e vet, nëse ka nevojë për të, nëse ka nevojë për një të tillë dhe sigurisht që ky vendim duhet të ndahet mes njerëzve. Nuk është e lehtë sipas të kaluarës së këtij vendi që të ketë një vendim të përbashkët, por kjo është një shenjë e pjekurisë së mirë dhe mendoj se institucionet në Kosovë duhet të punojnë për t’i arritur edhe këto rezultate.

LEXO EDHE: 'S’ka rrezik nga armatosja e Serbisë'' (VIDEO)

Zëri: Por nëse Qeveria vendos që transformimi të mos ndodhë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese?

Cuoci:  Kjo është një zgjedhje nga Qeveria. Institucionet në Kosovë thjesht mund të marrin vendime, por ne do të shohim gjithashtu se çfarë do të ishte qëndrimi i NATO-s. Pra NATO-ja dhe z. Stoltenberg ishin shumë të qartë për ta bërë këtë transformim nën ndryshime kushtetuese, nëse do të jesh ndryshe, nëse do të ndodhë, do ta shqyrtojmë edhe qëndrimin tonë dhe do të shohim se cili do të jetë vendimi nga NATO-ja, domethënë nga Brukseli dhe nga kombet që janë në Bruksel.