Së shpejti raportohet për Asociacionin në Bruksel

Aktuale May 04, 2018 - 07:52
Lexo detajet

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së Diplomacisë Evropiane Federica Mogherini, ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se kryenegociatorët e Prishtinës, të Beogradit, si dhe ekipi menaxhues, i cili po harton statutin e Asociacionit, së shpejti do të ftohen në Bruksel, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se shumë shpejt do ta organizojë një takim, në të cilin do të ftohen kryenegociatorët e Prishtinës, të Beogradit, si dhe ekipi menaxhues i cili po harton statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kështu ka deklaruar për gazetën “Zëri” Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së Diplomacisë Evropiane Federica Mogherini, duke shtuar se normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve është në dobi të dyanshme dhe qëllim i vazhdimit të rrugës evropiane. 

LEXO EDHE: Finalja për vizat

“Një normalizim gjithëpërfshirës i marrëdhënieve është në dobi të të dyja vendeve, Beogradit dhe Prishtinës. Është jetike për të dyja palët, por gjithashtu është e rëndësishme që të mundë të vazhdojnë rrugën e tyre evropiane, pasi përparimi në dialog është i lidhur fort me aftësinë e të dyjave vendeve për të përparuar në këtë drejtim”, ka thënë ajo në përgjigjen e saj.

Kocijançiq ka shtuar se dialogu gjatë viteve ka çuar në një normalizim të rëndësishëm të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, si dhe në një hap tjetër të normalizimit, i cili do të duhej të sillet në një nivel gjithëpërfshirës.

“Dialogu gjatë viteve ka çuar në një normalizim të rëndësishëm të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit. Në një hap tjetër, normalizimi do të duhej të sillet në një nivel gjithëpërfshirës. Përmbajtja e marrëveshjes ligjërisht detyruese është që të dyja palët të përcaktohen me lehtësimin e Bashkimit Evropian”, ka thënë ajo.

Arifi: Kërkuam takim në maj, BE-ja s’është përgjigjur 

Në anën tjetër Avni Arifi, shef i delegacionit kosovar për bisedime në Bruksel, ka thënë për “Zërin” se pala kosovare ka kërkuar që faza e ardhshme e dialogut të fillojë qysh në fillim të këtij muaji, ndonëse BE-ja ende nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

“Ne i kemi kërkuar BE-së që të ketë takim qysh në fillim të këtij muaji, posaçërisht të bisedohet tema e energjisë dhe menaxhimi i integruar i kufijve, por fatkeqësisht nuk kemi asnjë indikator se kur mund të fillojë faza e re”, ka thënë Arifi, duke shtuar se janë në pritje të datës se kur mund të rifillojë faza e ardhshme e dialogut. 

Opozita: Thaçi s’është i duhuri për dialog me Serbinë

Deputetja e partisë më të madhe opozitare, LDK, Lirije Kajtazi, ka deklaruar për “Zërin” se nuk pret rezultate nga ky dialog për shkak të qasjes joserioze të palës serbe. “Duke e njohur Serbinë, presim pak nga dialogu”, ka thënë Kajtazi.

Ndërsa vendimin e Qeverisë së Kosovës që bisedimet me Serbinë t’i udhëheqë presidenti Hashim Thaçi Kajtazi e ka vlerësuar si të gabuar.

Ndërsa deputeti i partisë tjetër opozitare, LVV-së, Ismajl Kurteshi, thotë se pala kosovare nuk duhet të ngutet me këto bisedime.

“Mendoj që Kosova nuk ka nevojë të ngutet me platforma edhe për bisedime në përgjithësi, sepse këto bisedime i nevojiten Serbisë e cila po ecën drejt integrimit evropian, kurse ne nuk jemi as në agjendat evropiane”, ka thënë Kurteshi për “Zërin”.

Sipas Kurteshit, zgjidhja qëndron te krijimi i një platforme të re për dialog që do të mundësonte përfshirjen e gjithë spektrit politik në dialog.

“Kosovës i duhet një platformë e përgatitur mirë, e cila parasheh njohjen reciproke të të dyja vendeve dhe çfarëdo zgjidhje tjetër që ofrohet do të ishte e papranueshme. Pala kosovare duhet të përqendrohet në miratimin e kësaj platforme, e cila e përfaqëson spektrin politik kosovar, duke përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërsa udhëheqjen e bisedimeve nga presidenti i vendit, Kurteshi e sheh si veprim jo të duhur, pasi Thaçi nuk është personi adekuat për të dialoguar me Serbinë.

Edhe Imer Mushkolaj, analist politik, vlerëson se faza finale e bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës varet vetëm nga Brukseli, përderisa as ai nuk e mbështet udhëheqjen e dialogut nga Thaçi ngase thotë se presidenti nuk është negociator i shkathët.

“Duhet konsensus i plotë, jo imponim. Thaçi është treguar negociator i dobët dhe marrëveshjet e nënshkruara nga ai po dalin të jenë problematike”, ka thënë ai.